Veriu dhe Juglindja mbulohen nga bora, probleme në disa akse rrugore

Veriu i vendit, por edhe Juglindja është mbuluar nga bora. Ndërsa të martën pati reshjet e para me uljen e temperaturave, dje pjesa më e madhe e rrugëve në këto zona është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sipas informacioneve nga terreni ka prezencë akulli në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz dhe po ashtu në akset Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës.
Mësohet se edhe rrugët në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri kanë prezencë akulli. Në Pukë po punohet për hedhjen e kripës në rrugë, ndërsa në segmentin rrugor Bardhet-Iballë nuk ka ndërhyrje.
Prezencë akulli ka edhe në disa akse në Kukës, Korçë e Dibër. Rruga Morinë-Fushë Dukagjin-Tuneli i Kalimashit aktualisht është i kalueshëm.
Në disa akse të Kukësit duhet të përdoren zinxhirë. Në terren ndodhen 8 borëpastruese dhe është hedhur kripë dhe skorie.
Në qarkun Dibër ka prezencë akulli në disa njësi administrative si në: Kala e Dodës, Lurë, Selishtë, Trebisht, në Qafë Buall- Peshkopi, tek Pishat.
Prezencë akulli ka në të gjithë rrugët e qarkut të Korçës dhe akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Mësohet se është ndërhyrë me kripë në rrugën e Voskopojës. Ndërsa rrethi i Lezhës ka një tjetër problem, pasi është pa energji elektrike që mbrëmjen e kaluar.

Exit mobile version