Avokati i Popullit do të mbledhë sot, në datën 12 korrik, Komisionin Ad Hoc, i cili do të verifikojë kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë të ardhur nga radhët e avokatëve. KLP do të ketë në përbërje të tij dy anëtarë nga avokatia, por ligji thotë se Kuvendit të Shqipërisë, duhet t’i paraqiten jo më pak se 6 kandidatë për këto dy vende vakante. Erinda Ballanca, Avokatja e re e Popullit u ka dërguar një shkresë njoftuese të gjithë anëtarëve të këtij komisioni, Muzafer Korkuti, Arian Salati, Eris Hysi, Artan Zeneli dhe Maksim Haxhia duke i njoftuar për mbledhjen e orës 13:30, të ditës së mërkurë. Kjo mbledhje, e cila me ligj zhvillohet e mbyllur, do të bëjë verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Avokatia. Avokati i Popullit ka mbledhur informacion zyrtar nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, Prokuroria e Përgjithshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe ILDKP-ja për të gjithë kandidatët avokatë që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Komisioni Ad Hoc, me përfundimin e procedurës së verifikimit paraprak, shpall menjëherë emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe organi i fundit që vendos, është Kuvendi. Nga ana tjetër, institucionet e administratës shtetërore kanë filluar punën për kontrollin e pasurive të punonjësve të institucioneve të drejtësisë, të cilët do të verifikohen nëse kanë bërë deklarime të sakta të pronave të regjistruara dhe parave që kanë në bankë. Në media janë publikuar dy kopje të shkresave konfidenciale që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka çuar në zyrën qendrore të hipotekave, ku kërkon verifikimin për dy kategori: 13 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorëve dhe Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve, si dhe 775 gjyqtarët e prokurorët të punësuar në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Në letrën zyrtare të dërguar pranë hipotekës, ILDKPI kërkon që të nisë menjëherë Vettingu për anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, pasi puna për ta fillon në shtator. Pas tyre, radha e verifikimeve do të jetë për magjistratët e tjerë. Kërkesa e firmosur nga kryeregjistruesi për anëtarët e këtyre organeve mban datën 30 qershor, ndërsa kërkon të dhëna për pasuritë që kanë krijuar deri më 16 janar 2017-të, kohë kur ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e formularit të Vettingut. Përveç regjistrimit të pronave në emër të tyre dhe pjesëtarëve të familjes, ILDKPKI kërkon informacion edhe nëse ka patur shitje apo ndryshime të pronësisë gjatë kohës kur kanë dorëzuar të dhënat. Në urdhrin që kryeregjistruesi i ka dërguar administratës së hipotekës, kërkohen që të gjithë të dhënat të dokumentohen brenda 5 ditëve, përndryshe do të merren masa të rrepta administrative.