Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpalli dje aksionin e vëzhgimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të 25 qershorit 2017. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Hotel Tirana International ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse në procesin zgjedhor si kryetari i KQZ, Klement Zguri, anëtarë të tjerë të KQZ, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik në vend si ambasadorja e Gjermanisë, znj.Susanne Schütz, shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, Claus Neukirch, përfaqësues të OSBE-së, delegacionit të BE-së, USAID, ambasadës franceze, austriake, kroate, greke dhe britanike. Ky aksion vëzhgimi për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 është një mision i përbashkët i 34 organizatave joqeveritare vendase me asistencën e organizatës Democracy Internationl (DI) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe falë mbështetjes financiare të Misionit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përfaqësuesi i KVV, Premto Gogo bëri fillimisht një prezantim të aksionit të vëzhgimit për zgjedhjet e 25 qershorit, proces që do të vlerësohet në respekt të kuadrit ligjor shqiptar mbi zgjedhjet dhe të standardeve më të mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Gogo theksoi se KVV ka angazhuar tashmë një njësi koordinuese të përbërë nga tetë ekspertë zgjedhorë dhe 73 vëzhgues afatgjatë në të gjithë vendin. Gjatë fjalës së tij, kreu i KQZ, Klement Zguri tha se është dëshmitar i punës gjithnjë e më cilësore të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, angazhimit real dhe demokratik të tyre si pjesë e shoqërisë civile në proceset zgjedhore. “Angazhime civile si i KVV, janë ato të cilat kanë ndikuar fort në rritjen e ndërgjegjes qytetare dhe forcimin e kulturës zgjedhore tek shtetasit, por njëherazi kanë dhënë kontribut në punën e organeve të ngarkuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, ku padyshim KQZ është përfituesi më i drejtpërdrejtë”, u shpreh Zguri. Ndërsa përfaqësuesja e KVV, Gerta Meta, dha detaje mbi metodologjinë e vëzhgimit të ditës së zgjedhjeve, në vazhdën e ndjekjes së të gjithë procesit zgjedhor, që do të kryhet sipas vëzhgimit me bazë statistikore (Statistical Based Observation, SBO). “Gjatë ditës së zgjedhjeve, KVV do të angazhojë rreth 1600 vëzhgues të pavarur, të cilët do të vëzhgojnë procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin, duke angazhuar dy vëzhgues të stacionuar në çdo qendër votimi, me dy turne, në mënyrë që të rritet efektiviteti i vëzhgimit dhe vëzhguesit të kenë mundësi të votojnë, situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm dhe aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve të tjerë”, tha Meta. Ndërsa Rajmonda Prifti, gjithashtu përfaqësuese e KVV theksoi se zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm për qytetarët, vullneti i të cilëve duhet respektuar. “Procesi zgjedhor është një proces, i cili u mundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, burrat dhe gratë që në katër vitet e ardhshme do të hartojnë ligjet e vendit. Këta burra dhe gra kanë detyrimin moral dhe ligjor të respektojnë pikë për pikë, pa shtrembëruar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Institucionet që administrojnë zgjedhjet dhe të tjera institucione që luajnë një rol në procesin zgjedhor kanë detyrimin të përmbushin në frymë dhe në germë legjislacionin, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një proces zgjedhor me standardet më të mira demokratike”, u shpreh Prifti. Veçanërisht znj. Prifti risolli në vëmendje një nga prioritetet në punën e KVV lidhur me marrjen në konsideratë të shtresave në nevojë. “Duam të tërheqim vëmendjen e administratës zgjedhore dhe subjekteve zgjedhore mbi ato grupe të shoqërisë, të cilat janë të dizavantazhuara në shprehjen e vullnetit të tyre apo në marrjen pjesë plotësisht në jetën politike të vendit, personat me aftësi të kufizuara, minoritetet dhe gratë. U bëjmë thirrje subjekteve zgjedhore që t’i përfshijnë këto grupe të shoqërisë në programet e tyre në mënyrë specifike dhe administratës zgjedhore që të krijojë të gjitha kushtet e nevojshme që këta qytetarë të mund të votojnë në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë”, theksoi Prifti. Gjatë ceremonisë Michael Baldassaro, drejtori i Programeve për Shqipërinë në Democracy International (DI) bëri publik hapjen e faqes në internet “Të dhënat zgjedhore në Shqipëri”, (www.tedhenat.al) një iniciativë për mbledhjen, hapjen për publikun, vizualizimin dhe analizimin e të dhënave mbi zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë të vazhdueshme. Iniciativa është realizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) me mbështetjen e DI dhe ka si qëllim forcimin e demokracisë shqiptare nëpërmjet rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Kjo faqe interneti, jo vetëm si përpjekje ndaj rritjes së transparencës dhe përcjelljes së kulturës institucionale të open data, është një hap minimal për të determinuar proceset madhore në këto dy vlera. Kryesisht, kjo duhet të gjejë zbatim në ndërmarrjen e reformës zgjedhore që pritet të nisë.