Gjykata e Lartë dënoi me 4 vite burg ish-gjyqtaren e kësaj gjykate Majlinda Andrea, por për shkak të rrethanave lehtësuese, Kolegji Penal ia pezulloi dënimin me burg duke e konvertuar atë me kusht që të mbajë kontakte për 3 vitet e ardhshme me shërbimin e provës. Veç dënimit me kusht, ish-gjyqtarja Andrea ndalohet të ushtrojë funksione publike edhe për 5 vite të tjera pas përfundimit të dënimit.
Ndërkaq për bashkëshortin e ish-gjyqtares, shtetasin Odisea Andrea gjykata vendosi dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burg. Por çuditërisht ai dje nuk u paraqit në sallën e gjyqit, pasi vendimi është i formës së prerë dhe do të arrestohej nga policia. Por mbetet për t’u parë në orët në vazhdim nëse do të arrestohet apo do të arratiset siç ndodhi në momentet e para kur u lëshua urdhri i arrestit. Po me nga 1 vit e 6 muaj burg gjykata dënoi edhe Petraq Dashin dhe të pandehurin Ilia Çabiri. Ndërsa të pandehurën Eleni Lino gjykata e dënoi me 1 vit burg, por dënimi ju konvertua në shërbim prove për dy vitet e ardhshme.
Të pandehurit akuzoheshin për korrupsion, ku bashkëshorti i ish-gjyqtares ka përfituar rreth 50 mijë euro që Majlinda Andrea t’i favorizonte palët me një vendim për njohjen e pronës.