Viçenco Montela: Jam gati të rinovoj

Në përfundim të eventit, ku u dorëzua çmimi “Pankina e artë”, trajneri i kuqezinjve, Viçenco Montela është marrë në pyetje nga mediat italiane: “T’ju them të drejtën, votova për Di Françeskon, pasi mendoj se ai e meriton këtë çmim, jo sepse e kam mik. Ai zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm, por edhe Sarri, që fitoi, nuk është se nuk e meritonte.
Ndeshja Juve-Napoli? Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, midis dy skuadrave më në formë të momentit, por mendoj se Juventusi ka diçka më shumë se Napoli.
Sezoni? Mendoj se po bëjmë një sezon shumë të mirë, duke parë që në fillim të gjithë na shikonin inferiorë ndaj ekipeve që kemi përpara, por e vërteta është se nuk jemi aq larg tyre në renditje.
Shitja e klubit? Nuk kemi menduar asnjëherë për këtë çështje. Në ‘Milanelo’ nuk na mungon asgjë, i kemi të gjitha kushtet, të gjithë organizmat funksionojnë, kështu që nuk ka asnjë justifikim.
Objektivat e sezonit? Duhet të ngushtojmë diferencën që kemi me tre ekipet e para. Kemi shumë lojtarë që qëndrojnë jashtë për shkak të dëmtimeve, që ndonjëherë kanë qenë dhe të çuditshme nga mënyra si kanë ndodhur. E përsëris, nuk duhet të krijojmë alibi, por t’i shikojmë gjërat nga ana pozitive, pasi do na ndihmonte në gjendjen tonë psikologjike, që të kërkojmë të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundshme.
Kontrata? Trajneri vihet gjithmonë në diskutim, sidomos një trajner që drejton Milanin. Unë jam shumë i lumtur këtu dhe jam i qetë, pavarësisht se kush do të jetë në krye të klubit, kinezët apo Silvio Berluskoni. Jam i gatshëm ta rinovoj kontratën, nëse dhe drejtuesit kanë dëshirë ta rinovojnë.
Mungesa e lojtarëve ‘big’? Unë mundohem që t’i transmetoj skuadrës idetë e mia të futbollit dhe kam vënë re se, ekipi po i zbaton shumë mirë në fushë ato çfarë diskutojmë në stërvitje. E ndiej shumë mungesën e Montolivos, Abates dhe Bonaventurës. Po përfitoj që t’i uroj Injacios një rikuperim sa më të shpejtë, pasi po vuan shumë këto kohë pas dëmtimit.
Donaruma në kombëtare? Ka një të ardhme të madhe përpara. Është një djalë shumë i thjeshtë dhe i qetë, jam shumë i sigurt që do të ketë një karrierë të madhe, plot trofe. Është meritë e Sinisha Mihajloviçit që Donaruma është thirrur nga kombëtarja, pasi pati besim tek ai dhe e lançoi në skuadrën e parë.
Trajner i kombëtares? Këto kohë kanë qarkulluar shumë zëra, por unë jam shumë i lumtur te Milani dhe mendoj se trajner i kombëtares duhet të jetë dikush me flokët e thinjura (qesh), kështu që është akoma shpejt për t’u bërë trajner i kombëtares italiane.
Peskara? Është një sfidë delikate, pasi ata kanë dy javë që përgatiten për këtë ndeshje dhe ne do të kemi vetëm dy ditë në dispozicion, duke parë që grupi do të jetë i kompletuar vetëm ditën e enjte. Skuadrat që drejtohen nga Zeman janë shumë të vështira për t’u përballur, pasi janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo detaj dhe të mos e nënvlerësojmë kundërshtarin, pavarësisht renditjes së tij.
‘Europa League’? Duhet të japim maksimumin tonë, pasi gjithçka varet nga pikët që do të grumbullojmë këto nëntë ndeshje. Duhet të bëjmë një rrugëtim ‘Champions’-i për ta arritur këtë objektiv. Pavarësisht kësaj, jam i bindur se do të shkojmë në ‘Europa League’, pasi të tjerët kanë shumë ndeshje direkt dhe do të lënë shumë pikë”.

Exit mobile version