Mediu: Mbështetja e SHBA për kauzën e opozitës, maksimale

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka konfirmuar dje se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është maksimale jo vetëm në Senatin e Kongresin amerikan, por edhe në administratën e Presidentit Trump. Mediu ka reaguar ashpër dje pas deformimit të qëllimshëm të disa deklaratave të tij gjatë një interviste në lidhje me mbështetjen e SHBA ndaj kauzës së opozitës. Mediu ka rrëzuar çdo pretendim të ngritur në mediat pranë Ramës se gjoja administrata Trump “nuk e ka mendjen në Shqipëri”, ndërsa ka sqaruar se përkundrazi kjo mbështetje në të gjitha nivelet e institucioneve më të rëndësishme të SHBA është e fuqishme.
“Mediat pranë Ramës vazhdojnë të deformojnë dhe të nxjerrin nga konteksti qëndrimet sipas interesit të tyre. Dje në intervistën me z. Babaramo në ‘Report TV’ kam theksuar disa herë se: Mbështetja nga SHBA e shqiptarëve dhe opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme është maksimale në Kongres, Senat dhe me vizitën e Bashës dhe kontaktet e tij me autoritete të larta edhe në administratën e Presidentit Trump, pavarësisht se çështjet globale dhe tranzicioni i zgjatur në ndërrimin e administratës ka bërë që vëmendja drejt Ballkanit dhe Shqipërisë të mos jetë e madhe”, shprehet Mediu në reagimin e tij.
Nga ana tjetër, kreu i republikanëve dënon ashpër sulmin e mediave të Ramës ndaj senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë që kanë mbështetur kauzën e opozitës, të cilat qëllimisht i kanë cilësuar me urdhër të Ramës si persona me qëndrime pro ruse apo antikombëtare.
“Për herë të parë 6 senatorë i drejtohen sekretarit të Shtetit për një vend anëtar të NATO-s dhe theksojnë situatën e rëndë para zgjedhjeve dhe dominimin e krimit, korrupsionit, trafiqeve dhe lidhjeve me qeverinë. Kongresmenë kanë dërguar mbështetje me shkrim opozitës dhe z. Basha për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Lukunia e mediave manipuluese të Ramës i quajti pro rus, pro grek, të blerë me para këta përfaqësues të nderuar që kanë mbështetur Shqipërinë për t’u bërë vend anëtar i NATO-s, kjo është sa e turpshme dhe antikombëtare. Zhvillimet e tjera në të ardhmen për Shqipërinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jetë akoma më e madhe”, shprehet Mediu në reagimin e tij.
Gjatë intervistës, kreu i PR, Mediu konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Senatit, Kongresit amerikan, si dhe administratës Trump ndaj kauzës së opozitës dhe popullit shqiptar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mediu solli në vëmendjen letrën e gjashtë senatorëve amerikanë drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit ku ngrihej shqetësimi për situatën dramatike që ka përfshirë Shqipërinë, si dhe influencën e Sorosit në vend. “Sa i takon vizitës së z.Basha thelbi i diskutimit nuk ishte më në Senat dhe Kongres, por në nivele të larta në administratën Trump. Në dijeninë time kanë qenë takime të rëndësishme dhe do të ketë zhvillime sa i takon zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e politikës shqiptare 6 senatorë kanë shkruar një letër ku ngrenë shqetësime për situatën në Shqipëri, situatën zgjedhore. Të mos harrojmë që për shkak të tranzicionit të administratës së Trump në rajon dhe në Shqipëri nuk është vëmendja e duhur”, u shpreh Mediu. Kreu republikan thekson gjithashtu se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për qeveri teknike. Sa i takon uljes së palëve në një tryezë, Mediu tha se Basha duhet të shkojë me një formulë konkrete për qeverinë teknike dhe luftën kundër krimit të organizuar. “Ajo që i kam propozuar z. Basha është të dalim me një formulë të qeverisë teknike dhe për çështjen e krimit dhe të parave të krimit të organizuar”, tha Mediu.

PS, skenar për manipulimin e votave

Për Famtir Mediun nuk asnjë dyshim që PS i ka marrë të gjitha masat dhe skenarët për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndaj dhe ai thekson se krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme është një domosdoshmëri. “Opozita e ka shumë të vështirë kur përballet me krimin që mbështetet nga shteti. E pamë atë që ndodhi në Dibër, krimi veproi, votat u blenë. Prandaj, ne kërkuam marrëdhënie të përbashkëta me qeverinë e sotme duke nisur nga votimi elektronik, i cili u hodh menjëherë poshtë. Pra, opozitës nuk iu la as mundësia për të provuar. Të gjitha këto kanë provuar qëllimin e PS për të manipuluar procesin zgjedhor. Të gjitha reformat zgjedhore janë bërë me mirëkuptim. Qëndrimi i Berishës vite më parë ka qenë që Kodin Zgjedhor kemi detyrimin ta bëjmë me PS-në, kjo është hera e parë që nuk ndodh në 26 vjet. Një moment është kur ne nuk hyjmë në zgjedhje dhe mazhoranca shkon në zgjedhje e vetme. Mundësia tjetër është ajo për të gjetur një marrëveshje, një qeveri teknike, një qeveri e mandatuar për disa çështje”, shprehet Mediu.

Exit mobile version