VIDEO/ Dhuratë për Edi Ramën, Sali Berisha shpall Frontin politik kundër Drejtësisë së re dhe ndërkombëtarëve!

Mbrëmjen e të martës si kurrë më parë, Sali Berisha, nga dritarja e arrestit, ka mbajtur një fjalim strategjik kundër Drejtësisë së re.

Ndryshe nga herët e tjera kur është marrë me individë, gjyqtarë, prokurorë të veçantë apo me vetëm disa segmente të veçanta të sistemit, përfundimisht ai ka shpallur një Front dhe luftë të hapur kundër gjithë Drejtësisë së re.

Berisha më në fund e ka ngritur betejën e tij personale me Dumanin, Krajën apo gjyqtaren Irena Gjoka në nivel politik.

Ai u bëri thirrje gjithë mbështetësve të grumbulluar te Rithemelimi që jo vetëm të luftojnë Drejtësinë e re, por edhe ndërkombëtarët, (SHBA, BE, Britani e Madhe), të cilët e mbështesin dhe e mbrojnë.

Për herë të parë në Shqipëri, tashmë kemi një formacion politik, i cili ka edhe grup parlametarë me 43 deputetë në parlament të drejtuar nga Gazment Bardhi, i cili pozicionohet politikisht nëpërmjet kryetarit, në luftë të hapur me Drejtësinë e re, ndërkombëtarët që e përkrahin dhe çdo zë mediatik pro saj.

Ky zhvillim i fortë në arenën politike shqiptare, tani për tani duket si një dhuratë e madhe për pushtetin e Edi Ramës, i cili e saboton me sa mundet Drejtësinë e re, por nga ana tjetër shitet tek ndërkombëtarët si mbrojtës i saj përball Frontit të Berishës.

Berisha: Drejtësia e re është kopja e shëmtuar e drejtësisë së vjetër të diktaturës. Është drejtësia e mercenarëve që s’kanë ligj as moral ligjor.

Ata që mbrojnë drejtësinë e re, ata mbrojnë krimet e Edi Ramës.

Ata që u servirin shqiptarëve drejtësinë e re, u servirin mburojën e korrupsionit si drejtësi.

I bëj thirrje Parlamentit Europian të sjellë një mision faktmbledhës, i bëj thirrje Komisionit të Venecias, Këshillit të Europës, urdhëroni në vend.

Kjo drejtësia e re e Xhorxh Sorosit i la shqiptarët jo pa drejtësi, por u dha drejtësinë më politike në histori.

Po çfarë kujtoni? Po mbrojtja e të drejtave është akti më themelor i një shteti dhe me drejtësinë politike, nuk ka shqiptar që gëzon një të drejtë të vetme.

Çfarë i mendoni shqiptarët zotërinj? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat si qytetarë europianë? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat kushtetuese? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut?/Alfapress

 

Exit mobile version