Banorët e Unazës së Re vijojnë të protestojnë ndonëse janë të rrethuar nga qindra forca policore me maska e makina të blunduara.
Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu tha se, nëse gjyqtarët do të dënojnë banorët e shoqëruar, ata do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit.
“Protesta do të vazhdojë. Shikoni sa forca policie kanë ardhur. Qartazi krimi mund të bëjë çfarë të dojë. Çdo hajdut, kriminel, bandit, është në qejf të vetë, pasi policia është këtu. Rama ka hallin e “Unazës”, se këtu do t’i vjedhë lekët. Ai kërkoi të kishte gjakderdhje, por qytetarët refuzojnë të bëjnë gjakderdhje dhe të përplasen me policinë, pasi ata kërkojnë dialog me qeverinë. Policia duhet të ishte në punë të vetë, duke kapur kriminelë, të kapte Kajmakun, Pjetrin, Avdylajt, etj. Protesta është e drejtë kushtetuese. Qytetarët po protestojnë sepse po iu shemben shtëpitë”, u shpreh Balliu.
“Nëse do të dënohet qytetarët, gjyqtarët janë të çmendur dhe do të mbajnë përgjegjësi penale. Ne do të jemi këtu çdo ditë”, shtoi ish-deputeti Balliu.
Mesprotestuesve ishte edhe nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, që gjatë fjalës së saj, përveçse shprehu mirënjohjen e saj për rezistencën qytetare, akuzoi qeverinë se me sjelljen dhe politikat e saj po largon shqiptarët nga vendi.
“Nëse ulim kokën sot, do ta ulim përjetë dhe do të duhet të largohemi ashtu siç kanë bërë mijëra të rinj. Mbi 2 mijë të rinj aplikojnë për azil në Francë dhe për 70 vjet i bie që të mos kemi më fare shqiptarë. Kjo është fatkeqësia më e madhe që i ka bërë kjo qeveri popullit të vet, prandaj kërkoj rezistencë, forcë dhe një atdhedashuri shumë të madhe”, u shpreh ndër të tjera Xhixho.