Vilma Nushi në panik nga SPAK, si oligarkja e Check Up-it po ‘zhduk’ kompanitë për t’i shpëtuar burgut!

Emri i Vilma Nushit personifikon aferën korruptive të koncesionit të Check up-it, ku vetëm me analiza të pakryera dhe rimburismin e padrejtë të TVSH ka futur në xhep mbi 6 milionë euro. Edhe pse vjedhjet e kuçedrës së korrupsionit në bashkëpunim me kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë janë faktuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Vilma Nushi vijon të mbetet për SPAK një monument i pandëshkueshmërisë. Që pas themelimit të SPAK, Vilma Nushi ka ndërmarrë disa veprime, duke kamufluar dhe avulluar kompanitë e saj.

Vilma Nushi e kontrollon koncensionin korruptiv të check up-it përmes kompanisë së saj kryesore të shitjes së mallrave MARKETING & DISTRIBUTION, e cila ka 80 % të aksioneve të kompanisë koncensionare 3P Life Logistic.

20 % të aksioneve në kompaninë koncensionare 3P Life Logistic i zotëron kompania farmaceutike Trimed, përfituese e rreth 1300 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 40 milionë euro. Kompania Trimed është themeluar në vitin 2004. Në 16 qershor të vitit 2008, Avenir Peposhi i ka dhuruar Vilma Nushit 50 % të aksioneve të kompanisë Trimed.

Në 24 mars 2017, Vilma Nushi i shet 50 % të aksioneve të kompanisë Trimed, për 300 mijë euro, shtetasit britanik, Dominic Noel William, i cili është bashkëshorti i mbesës së Vilma Nushit, Ledina Hido (vajza e Majlinda Hido, motra e Vilma Nushit).

Tashmë e kamufluar me burrin e mbesës, Vilma Nushi përlan miliona euro tendera edhe me kompaninë Trimed. Në 20 gusht 2019, Dominic Noel William Evans i shet 50 % të aksioneve që zotëronte te Trimed shtetasit Endrit Hido për 300 mijë euro.

Endri Hido është nipi i Vilma Nushit. Aksionet e kompanisë Trimed Vilma Nushi i kaloi nga duart e saj, në duart e dhëndrit dhe më tej tek nipi.

Nga viti 2019, kompania Trimed ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 16 milionë euro, ndërsa nga viti 2015 ka marrë rreth 40 milionë euro. Pjesën tjetër të aksioneve, Vima Nushi i kontrollon përmes punonjëses së saj, Gentiana Peshkatari.

Kompania e barnave Riofarma SHPK është një tjetër subjekt i sajuar nga Vilma Nushi, për t’a përdorur në procedurat e tenderave fiktivë. Këtë kompani, Vilma Nushi e kishte kaluar në emrin e kunatit të saj, burrit të motrës, Edmond Hido.

Në vitin 2020, Vilma Nushi i shet vetes kompaninë Riofarma, duke e kaluar në pronësi të kompanisë së 1300 tenderave Trimed, të cilën e kontrollonte përmes nipit të saj, Endrit Hido. Kompania Riofarma, e përdorur në punë të pista, u përthith nga kompania Trimed në qershor të vitit 2024, një përpjekje kjo për të zhdukur zhurmët e Riofarmës.

Vilma Nushi, përmes motrës së saj Majlinda Hido, kontrollon edhe kompaninë e tregtimit të mallrave të ndryshme Interlogistic shpk, e cila ka fituar 85 tendera publikë me vlerë miliona euro.

Biznesmenia Majlinda Hido, motra e oligarkes Vilma Nushi, fiton çdo tender ku merr pjesë, falë lidhjeve të forta me qeverinë të krijuara nga Vilma Nushi.

Vjedhja me analiza fiktive

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konfirmuar përmes disa raporteve dhe raportimeve në Kuvend se koncensionari i Check up-it ka përvetësua rreth 4 milionë euro para publike për shërbime të pakryera. Dëmimi ekonomik u deklarua për herë të fundit në korrik të vitit 2024, në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, nga audituesja e KLSH, Selime Bregu, e cila tha se këto shifra rezultojnë të kenë rritur fitimin e kompanisë koncesionare deri në 32%. Paratë kanë shkuar në xhepat e biznesmenes Vilma Nushi.

Jo vetëm kaq. Por, KLSH ka zbuluar se vetëm gjatë një viti, Vilma Nushi ka përfituar në mënyrë të padrejtë edhe 2.3 milionë dollarë TVSH të rimbursueshme. Edhe kjo vjedhje është zbuluar dhe faktuar nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa mësohet se pagesa është bërë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas KLSH-së, kthimi i parave te kompania e Vilma Nushit është bërë në mënyrë të padrejtë.

Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në FSDKSH për vitin 2022. Nga auditimi i veprimtarisë është konstatuar se FSDKSH nën drejtimin e Albana Adhamit dhe Ogerta Manastirlit kanë paguar me para publike Vilma Nushin për 20 172 analiza të pakryera. Raportet e KLSH-së tregojnë se skema e vjedhjes së parave publike nga Vilma Nushi ka vijuar nga viti 2015 deri në vitin 2022.

Gjatë vitit 2022, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është drejtuar nga Albana Adhami, një nga hajdutet më famëkeqe të parave publike në shëndetësi si dhe koka e disa skemave të mashtrimit me barnat e rimbursueshme.

Kryetare e Këshillit Administrativ të Fodit, për periudhën 2017- 2023, ka qenë Ogerta Manastirliu, pasi ishte ministre e Shëndetësisë, sot nën hetim nga SPAK për disa afera korruptive. Pra, Albana Adhami dhe Ogerta Manastirliu kanë drejtuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Koncensioni i denoncuar si korruptiv nga Kontrolli i Lartë i Shtetit po hetohet nga SPAK prej më shumë se sa 4 vitesh, procedimi nr. 122 i vitit 2020. Nuk kuptohet se pse SPAK mban një dosje në dorë që nga viti 2020 kur vjedhja është faktuar me dokumente nga KLSH. /Prapaskena

Exit mobile version