“Vizita në Kosovë, shfaqje pseudo-patriotizmi”, Basha: Qeveria të miratojë propozimin tim për ndihmë financiare prej 50 mln eurosh për mbrojtjen e Kosovës

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në prononcimin për mediat nga oborri i Kuvendit, e cilësoi vizitën e Parlamentit të Shqipërisë në Kosovë si një shfaqje pseudo-patriotizmi. Basha theksoi se bllokimi i amendamentit të tij për ndihmën financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës, është një tregues i këtij pseudo-patriotizmi.

Ai shtoi se Shqipëria ka mundësinë dhe detyrimin të mbështesë Kosovën, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime, në një kohë kur Kosova përballet me rreziqe gjeostrategjike nga Beogradi dhe Moska.

“Është sot e udhës, 24 orë para se këta që bllokojnë luftën kundër korrupsionit të udhëtojnë drejt Prishtinës për një tjetër shfaqje pseudo-patriotizmi, të kujtojmë se, në një kohë kur qeveria shqiptare do të arrijë së shpejti një rekord shpenzimesh, mbi 7.2 miliardë euro, nuk ka ndarë apo nuk ka gjetur të diskutojë propozimin tonë tjetër të kahershëm për të ndarë një shumë prej 50 milionë euro këtë vit dhe çdo vit si ndihmë financiare ushtarake për mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Kjo ndodh në një kontekst kur Republika e Kosovës përballet me një përshkallëzim të rreziqeve gjeostrategjike, me origjinë nga Beogradi dhe me frymëzues Moskën. Natyrisht, fjalët edhe këtu i merr era. Shqipëria ka plotësisht mundësi, është vokacion i çdo shqiptari, të djathtë dhe të majtë, që ne të gjendemi pranë Kosovës me vepra dhe jo me fjalë. Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë Kombëtare” – u shpreh Basha.

Exit mobile version