Vazhdon të jetë e rrethuar me mister vizita e shkurtër në Shqipëri e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe vendndodhja e kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli. Lajmi i raportuar fillimisht nga mediat në Prishtinë për lëvizjen e pazakontë të kreut të shtetit është konfirmuar zyrtarisht edhe nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Përmes një deklarate ai ka sqaruar lëvizjet e Thaçit që ngrenë disa pikëpytje.
“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë kufitare që Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror në ora 17:39 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë në ora 19:20. Kur eskorta e Presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet Presidenti. Po ashtu është vërejtur që Presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP. Po ashtu Policia, për shkak të xhamave të zinj, nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona tjerë të ulur prapa. Vetura e Presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër, në të cilën ka qenë vetëm shoferi”, thuhet në deklaratën e Sveçlës.
Në reagimin e vet ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm ngre dyshime se në makinën e presidentit Thaçi ishte i fshehur Behgjet Pacolli. Ky i fundit kishte kërkuar leje nga autoritetet në Prishtinë që të ulej në aeroportin “Adem Jashari” pas fluturimit nga Zvicra. Por nëse do të zbriste në Prishtinë me avionin e tij privat, Pacolli do duhej të qëndronte i karantinuar për 14 ditë sikundër veprohet në kuadër të masave për luftimin e Covid-19. Pacolli e ka refuzuar këtë gjë dhe prandaj devijoi fluturimin e tij nga Prishtina në Tiranë.
Në aeroportin e Rinasit nuk e pengoi askush të ulej dhe as i kërkuan të karantinohej për 14 ditë në hotelet e përcaktuara nga qeveria sikundër veprohet me të gjithë të riatdhesuarit. U raportua se kreu i AKR-së po qëndronte në shtëpinë e tij në Tiranë dhe se gëzonte shëndet të plotë. Por kjo histori në dukje banale, është e përzier edhe me klimën politike në Kosovë ku po zhvillohen negociatat për qeverinë e re. Nëse qëndron hipoteza e hedhur nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm në Kosovë, se Hashim Thaçi ka marrë Behgjet Pacollin me veturën e tij nga Tirana për në Prishtinë, kjo lëvizje duhet parë edhe në një kënd tjetër.
Presidenti ka dashur t’i bëjë karshillëk Vetëvendosjes, zyrtarët e së cilës në qeveri nuk e lejuan Pacollin të ulej në aeroportin e Prishtinës sepse refuzoi karantinimin në qendrën e përcaktuar nga autoritetet. Si njeri që ia ka marrë dorën kalimeve ilegale të kufirit që nga koha e luftës me Serbinë, Thaçi kësaj radhe mund të ketë përdorur postin e presidentit për të sjell në Kosovë kreun e AKR-së, i cili duhej të ishte i pranishëm në negociatat për ngjizjen e koalicionit të ri qeverisës.
Deri më tani nuk dihet me saktësi nëse Thaçi ka fshehur në veturën e tij Behgjet Pacollin. As vendndodhja e këtij të fundit nuk dihet. Por ushtruesi i detyrës së Ministri të Brendshëm, Xhelal Sveçla, paralajmëroi arrestim për kreun e AKR-së në rast se ai ka hyrë ilegalisht në Kosovë përmes makinës së presidentit Hashim Thaçi në mënyrë që të shmangte karantinimin.
“Ne i kërkojmë Presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërkaq z.Behgjet Pacollit i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar, Policia do të ndërmerr masa të parapara me legjislacionin në fuqi”, thotë në deklaratën e tij Xhelal Sveçla.
Deri më tani s’ka asnjë reagim zyrtar nga presidenti Hashim Thaçi, as për vizitën e shkurtër e jashtë rregullave të protokollit në Shqipëri dhe as nga Behgjet Pacolli. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin zhvillimet në orët në vijim dhe çfarë do të thonë palët për dyshimet e ngritura nga zyrtari i lartë i qeverisë së Kosovës. Nëse do të vërtetohet që presidenti ka përdorur imunitetin dhe funksionin e tij për të futur në Kosovë ilegalisht një deputet që refuzonte karantimin sic përcaktojnë masat kundër Covid-19, ky do të ishte një tjetër karagjozllëk nga politika në Prishtinë pas rrëzimit të qeverisë në kulmin e pandemisë.