Vala e tenderave miliardëshe në Bashkinë Tiranë nuk ka të ndalur. Disa të dhëna të publikuara dje nga portali i të dhënave i Open Data kanë zbardhur shifrat stratosferike të dy tenderave të Bashkisë Tiranë, vlera e të cilave të dyja së bashku arrin në 4 miliardë lekë. Në rastin e të dyja tenderave, vlerat përkatëse nuk justifikojnë aspak objektet për të cilat është hapur tenderi. Ato cilësohen si tendera abuzivë dhe korruptivë.
I pari ka të bëjë me ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Kosova”, ku tenderi i shpallur nga Veliaj për këtë projekt kap shifrën e 216 727 812 lekëve apo ndryshe 2.1 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Open Data, fitues është bashkimi i operatorëve “Ed Konstruksioni” shpk me “Alba Konstruksion” shpk.
Në tender morën pjesë edhe dy konkurrentë të tjerë, të cilët u skualifikuan. Projektet me shkollat, ndërtimin apo restaurimin e tyre janë ndër të parapëlqyerat e Veliajt nisur nga shifrat marramendëse të çdo tenderi përkatës. Nuk janë të pakta rastet, kur ai është shfaqur duke vizituar edhe shkolla, çerdhe apo kopshte të rikonstruktuara nga bashkia e mëparshme e të shitura prej tij si investim i freskët pas ardhjes së Veliajt në pushtet.
E gjitha kjo për të justifikuar shifrat e tenderuara dhe paratë gjoja të shpenzuara me qëllim realizimin e këtyre investimeve, që në realitet ose nuk kanë ndodhur ose janë realizuar me të paktën gjysmën e fondeve të dhëna. Pjesa tjetër e parave shkon në xhepin e Veliajt dhe njerëzve pranë tij.
E njëjta situatë paraqitet edhe me tenderin tjetër. 1.9 miliardë lekë për ndërtimin e një piste vrapimi në Parkun e Liqenit. Një projekt tërësisht abuziv, që më shumë se sa gjoja është hartuar me qëllim shërbimin ndaj qytetarëve ka si qëllim të vetëm zhvatjen e një tufe të mirë parash nga Veliaj.
“Itinerare këmbësorësh me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit Artificial. Burimi i financimit: Vënë në dispozicion nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve. Vlera e kontratës 197 635 666 lekë. Fitues bashkimi i operatorëve ‘Alb Building’ shpk dhe ‘Delia Group’ shpk. Në garë u skualifikuan tre operatorët e tjerë pjesëmarrës ‘Be IS’ shpk në bashkim me ‘Egland’ shpk; ‘Curri’ Shpk dhe ‘Alko Impex General Construcion’”, thuhet në tenderin e shpallur rishtazi nga Veliaj.
Ky tender abuziv vjen si pjesë e projektit famëkeq të Veliajt për betonizimin e Parkut të Liqenit dhe ngritjen e disa bizneseve aty. Për shkak të reagimit qytetar, Veliaj ka fragmentizuar projektin, duke e lançuar pjesë-pjesë atë përmes tenderave të ndarë në hapësira të ndryshme kohore.
Në këtë rast vlen të theksojmë se tek Parku i Liqenit ekziston aktualisht një pistë e mirëfilltë ku qytetarët mund të ushtrojnë sportin e vrapit. Tenderimi i 1.9 miliardë lekëve për të ndërtuar një pistë që aktualisht ekziston dëshmon më së miri qëllimet e këtij tenderi dhe destinacionin final të parave të alokuara për realizimin e tij.
Të dyja këto tendera, ashtu si edhe disa tendera të tjerë të bashkive të majta të publikuara dje në portalin Open Data janë cilësuar si tendera me risk të lartë përsa i përket abuzimit.
Bashkitë e Ramës, çdo tender nis nga 1 miliard e lart
Dhjetë tendera me vlera të larta ku fituesi është i vetmi operator konkurrues i paskualifikuar u denoncuan dje në portalin Open Data për pabarazi dhe dyshime për abuzime. Në pasaportat e realizuara në portalin Open Data ka informacione të detajuara për procedurën, duke shfaqur edhe arsye të skualifikimeve. Karakteristikë e secilit tender është fakti se të gjithë nisin me shifrën mbi 1 miliard. Pjesa më e madhe e tenderave janë hapur gjatë periudhës zgjedhore, ku kuptohet që zhvatja e sa më shumë parave për blerje votash arriti kulmin e saj pikërisht në prag zgjedhjesh, fund maji dhe qershor.
Tenderat me risk për nepotizëm dhe keqpërdorim fondesh
Në portalin Prokurime Transparente Open Procurement Albania (Open Data), gjenden të dhëna për të gjitha procedurat prokuruese të realizuara në periudhën korrin 2015 e në vijim nga bashkitë dhe institucionet në vartësi të tyre. Aktualisht përveç informacionit të mirëstrukturuar portali ka edhe një opsion tjetër, markimin me Red Flag për procedura që paraqesin situata me risk për keqpërdorim fondesh, raste pabarazie, nepotizëm etj.
Një shënim me RedFlag është një fakt, ngjarje ose grup i rrethanave ose informacioneve të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve antikorrupsion.
Vlerësimi për këto kategori do të bëhet në mënyrë automatike, me filtra analitikë të paracaktuar.
Një nga elementët e riskut për një procedurë tenderimi është konsideruar rasti kur të gjithë operatorët ofertues skualifikohen dhe mbetet pa u skualifikuar vetëm ofertuesi, i cili gjithashtu shpallet fitues. Këto procedura kanë më shumë interes për investigim dhe monitorim civil.
1 miliard lekë tender nga Bashkia e Krujës pesë ditë para zgjedhjeve
Nga të dhënat e Bashkisë Krujë, një tender prej 1 miliard lekësh është akorduar për zgjerimin e një rruge dhe rikualifikimin e një sheshi. Tenderi është dhënë pesë ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërkohë që deri dje asnjë nga punimet e dy projekteve të tenderuara nuk ka nisur. Historiku i projekteve të tilla është i njëjtë, ato nisin me vonesë, zvarriten për disa vite me radhë, ndërkohë që paratë janë vjedhur dhe realizimi i objektit mbetet në harresë.
“Zgjerim i rrugës kryesore, si dhe rikualifikimi i sheshit ‘Mustafa Merlika’ (Kruja). Vlera e kontratës me TVSH 108 826 668 lekë, në tender morën pjesë shtatë operatorë konkretisht: ‘Shendelli’ Shpk & ‘Shkelqimi 07’ Shpk; -‘B-93’ Shpk & ‘Bajrami’; ‘N’ Shpk – ‘Kthella’ Shpk & ‘Nika’ Shpk; ‘Sireta 2F’ Shpk & ‘Agri Konstruksion’ Shpk; ‘Bami’ Shpk; ‘Geci’ Shpk; ‘BE-IS’ Shpk. Fitues u shpall ‘Bami’ shpk dhe të gjashtë kompanitë e tjera janë skualifikuar. Procesi nuk është shoqëruar me ankesa. Kontrata është lidhur në datën 20.06.2017”, thuhet në tenderin e Bashkisë Krujë.
2 miliardë lekë tender nga Bashkia Elbasan për një “rikualifikim”
Rikualifikimi urban i Parkut qendror Rinia, Bashkia Elbasan, ku vlera e ofertës fituese me TVSH është 204 058 767 lekë dhe fitues është “Bajrami N” shpk dhe në tender morën pjesë gjithsej 4 operatorë ku u skualifikuan: “Alko-Impex General Construction” Shpk; “Victoria Invest” Shpk dhe “Shendelli” Shpk. Për procedurën e skualifikimit nuk ka pasur ankesa.
1 miliard lekë nga Bashkia Librazhd për vetëm një lot
Ndërtim rruga Orenjë-Librazhd, loti 2. Vlera e kontratës së lidhur me TVSH është 108 393 937 lekë. Në tender morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, konkretisht: “Victoria Invest” shpk; “Bajrami-N” shpk; “Vëllezrit Hysa”; “Ali Hyko” dhe “Çaushi” shpk. Në tender u skualifikuan katër operatorë dhe mbeti fitues “Vëllezrit Hysa” shpk. Për këtë tender ka patur ankesa pranë Komisionit të Prokurimeve Publike.
1.1 miliard lekë nga Bashkia Fier për një rikonstruksion
Rehabilitim i fasadave dhe rikonstruksion i rrugës “Rauf Nallbani”, si dhe rrjetëzimi i hapësirës së terminalit të autobusave Bashkia Fier. Vlera e kontratës së lidhur është 118 674 808 lekë. Kompania fituese është “A.L-Asfalt” shpk. Në tender morën pjesë edhe dy kompani të tjera, të cilat u skualifikuan dhe nuk paraqitën ankesa. Kompanitë janë “Boshnjaku B” shpk dhe “Shendelli” shpk. Arsyetimin për skualifikim e gjeni tek pasaporta e tenderit në portalin Open Procurement Albania. Kontrata është lidhur në datën 7.06.2017. Ende nuk kanë nisur punimet mbi këtë projekt megjithëse fondi është alokuar në fillim të muajit qershor, tre javë para zgjedhjeve.
1.1 miliardë lekë edhe nga Gjushi për një rikonstruksion
Rikonstruksion i Sheshit Publik para Hyrjes së Portit, Faza II, Bashkia Durrës. Vlera e tenderit 118 697 400 lekë. Fituese bashkimi i kompanive “Everest” shpk dhe “G.P.G Company” shpk. Të skualifikuar bashkimi i operatorëve “BE-IS” shpk dhe “Curri” shpk, si dhe “ALKO-IMPEX General Construction”. Skualifikimet nuk janë shoqëruar me ankesa. Kontrata është lidhur në datën 04.07.2017. Edhe në këtë rast punimet ende nuk kanë nisur.
Edhe Himara nuk mbetet pas, 1.3 miliardë lekë tender për rikonstruksion
Rikonstruksioni i rrugës Kthesë e Pilurit (Himarë–Vumblo) me vlerë kontrate 136 485 450 lekë, fituar nga “Salillari” shpk. Në këtë tender morën pjesë tre operatorë ku u skualifikuan “MANE/S” shpk, për mospërmbushje të kritereve të veçanta të vendosura nga autoriteti kontraktor dhe operatori ekonomik “BAMI” shpk, është skualifikuar për mospërmbushje të kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktor. Për kualifikimet e këtij tenderi nuk ka patur ankesa.