Vjen Milani i madh

“Kjo është një verë ëndrrash për mua, por e bukura është se ende nuk ka përfunduar asgjë”. Me këtë fjali Vicenzo Montela i bën një analizë momentit aspak normal të Milanit që brenda pak javësh është rikthyer i madh, të paktën në letër edhe pse askush në Itali dhe Europë nuk e priste që drejtuesit e rinj të klubit të ishin kaq agresivë në merkato. Timonieri i stolit flet për herë të parë në lidhje me afrimet e rëndësishme.
“Klubi po bën diçka shumë të rëndësishme. Kjo është një skuadër që do t’i rezistojë kohës dhe nuk do të zhvlerësohet. Më pëlqen që të jem unë njeriu që do të drejtojë gjithë këtë sipërmarrje për ta kthyer Milanin mes 5 klubeve më të mëdha të planetit brenda vitit 2022 ashtu siç e tha edhe Fassone”, u shpreh Montela.
Në vijim të intervistës ai e pranon se tashmë fokusi është te afrimi i një qendërsulmuesi me peshë dhe më pas te një sulmues krahu dhe një mesfushor krahu. “Janë të nevojshëm për skuadrën, por gjithsesi tani nuk jemi më të nxituar si disa javë më parë. Nëse synon të afrohesh sa më shumë me Napolin që luan një futboll shumë të bukur, duhet të bësh një merkato agresive. Është shpejt për të thënë nëse e kemi ngushtuar diferencën me Napolin dhe Romën, por nuk duhet të fshihemi”, tha ai.
Në fund një koment edhe për goditjen e madhe të merkatos, Leonardo Bonucci. “Isha i bindur se do ta transferonim sepse u besoja njerëzve që ma thoshin një gjë të tillë. I dërgoja Mirabellit të paktën 10 sms në ditë me vetëm tre fjalë, mirëdita, mirëmbrëma drejtor: Bonucci. Do të jetë një shembull shumë i mirë për të rinjtë dhe një lojtar lider në skuadër”, tha Montela.
Pas largimit të Leonardo Bonucci-t, Juventus po vlerëson disa pista për t’u përforcuar në mbrojtje. Sipas “La Repubblica”, klubi bardhezi po monitoron situatën e holandezit Stefan de Vrij te Lazio. 25-vjeçari sezonin e ardhshëm mund të lirohet me parametër zero nga bardhekaltërit. Nga ana tjetër “Zonja e Vjetër” ka hequr dorë edhe nga Nemanja Matiç i Chelsea.
Presidenti i Romës, James Pallotta është i bindur se skuadra e këtij sezoni do të zhvillojë një vit të madh. Verdhekuqtë, sezonin e kaluar u renditën në vendin e dytë dhe numri një i klubit italian beson se do të jenë sërish ata rivali kryesor i Juventus-it. Përsa i përket largimit të Sabatini-t, Pallotta tha se i vjen keq dhe se nuk e dëshironte ikjen e tij.
Hrvoje Miliç, tashmë një lojtar i Olympiacos në Greqi, përmes një postimi në Instagram falenderoi ish-skuadrën e tij, Fiorentinën. Lojtari kroat shkruajti se kaloi një vit fantastik në Firenze, pasi luajti në një klub që ka histori dhe pasion. Më tej 28-vjeçari shprehu mirënjohjen e tij ndaj klubit, stafit, shokëve të skuadrës dhe tifozëve për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kohës.

Exit mobile version