Vladimir Putin, Edi Rama dhe Gent Cakaj

Nga Erl KODRA

Putin po zhvillon një vizitë në Serbi. Kjo vizitë pritet me shumë interes në rajon, ku padyshim kryefjala do të jetë Kosova. Fakti është se vizita e Vladimir Putin në Beograd projektohet kundër çështjes shqiptare.
Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë qenë dhe janë fushëbeteja e madhe mes shqiptarve dhe sllavëve të jugut prej shekujsh. Ne shqiptarët e Ballkanit i mbijetuam invazionit sistemik serb, por akoma nuk e kemi fituar betejen finale. Duket se Maqedonia po fiton sigurinë, po ashtu edhe Mali i Zi.
Kosova dhe Shqipëria gjenden në ditën më të keqe falë “politikave” të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës. Është gati e pabesueshme se si dy njerëzit më të rëndësishëm politik të dy Shqipërive ua kanë dhënë këtë kahje drejtimi punëve tona. Kushedi se prej kujt, kushedi për ç’arsye, por dora vetë Hashim Thaçi flet se Kosova do t’i korrigjojë/ rregullojë/ definojë/ demarkojë/ përcaktojë/ delitimojë kufinjtë me Serbinë!
Edi Rama i mban ison në Tiranë. Ai shkarkon Ministrin e Jashtëm, i cili është shprehur qartë kundër ndryshimit të kufinjëve, e thënë ndryshe ndarjes së Kosovës.

Edi Rama cakton si Ministër të Jashtëm një fëmijë “të ditur” nga Prishtina. Baton Haxhiu, gazetari që rri ngjitur me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën në “punën” për ndarjen e Kosovës, e mbron fortë fëmijën nga Prishtina që nuk mori dotë Dekretin Presidencial.
Edi Rama cakton veten Ministër të Jashtëm, ndërkohë që Ditmir Bushati ndodhet akoma “ministër në detyrë”. Nuk dihet nëse Kryeministri Edi do të bëhet edhe “Ministri i Jashtëm Rama”, gjë e cila po të ndodhë, në fakt do të gjendeshim në një pozitë akoma më të keqe se sa në rastin kur fëmija nga Prishtina do të mbante me vete Dekretin Presidencial.
Ju lutem, imagjinoni pak këtë situatë gjysëm hipotetike;
Vladimir Putin sonte mban një fjalim të rëndë kundër Kosovës dhe shqiptarve. Në Kosovë reagon ashpër Kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa në Tiranë “Zv. Ministri i Jashtëm” Gent Cakaj kundërpërgjigjet.
A e imagjinoni dotë dekleratën e fortë të fëmijës nga Prishtina?! A e kuptoni se si do të tremben serbët pas këtij reagimi të fortë nga Tirana zyrtare?!
Po ashtu, imagjinoni Edi Ramën duke folur me turqizma kundër Vladimir Putin!
Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj qetësisht vazhdon ta mbajë në fuqi taksën 100 % kundër mallrave serbe. I vetmi që i ka kredencialet e urtësisë, qartësisë, trimërisë dhe burrërisë, por edhe pozitën politike për të mbrojtë Kosovën.

Exit mobile version