Vladimiri i Arabisë

Emile Simpson

Në raportin e tij vjetor të titulluar “Strategjia: Histori”, Lawrence Freedman e përcakton strategjinë si “arti i krijimit të pushtetit”. Ky është një këndvështrim mjaft i dobishëm me të cilin mund të shpjegohet një nga trendet më të rëndësishme gjeopolitike të këtij viti: rikthimi i vëmendjes së Rusisë drejt Lindjes së Mesme. Përveç lidhjeve të ngushta me regjimin sirian, të cilat datojnë që në vitet 1970, Moska nuk ka pasur asnjë rol domethënës në Lindjen e Mesme që në vitin 1972, kur presidenti Anwar Sadat dëboi këshilltarët sovjetikë jashtë Egjiptit.
Përse ka vendosur të rikthehet dhe përse tani? Në nivelin e përgjithshëm, është e qartë se presidenti rus, Vladimir Putin kërkon të sfidojë nocionin e një rendi botëror të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të nxisë rikthimin e botës multipolare, edhe pse ekzistojnë shumë kufizime të vetimponuara mbi ambiciet e tij. Edhe pse ka ndërhyrë në Gjeorgji dhe Ukrainë, Vladimir Putin nuk duket shumë i gatshëm të nisë një luftë më të gjerë duke sulmuar vendet e Evropës Lindore, të cilat janë anëtare të NATO-s.
Por në Lindjen e Mesme, Putini mund të gjejë një teatër ku të dëmtojë influencën perëndimore dhe të krijojë pushtet për veten e tij, pa rrezikuar të shkaktojë një luftë më të madhe me Perëndimin. Siç e di çdo demagog, një nga mënyrat për të krijuar pushtet nga hiçi është që të gjendet një përçarje dhe të shfrytëzohet.
Në Lindjen e Mesme, përçarja thelbësore që Rusia ka shfrytëzuar është ajo ndërmjet luftës së Perëndimit kundër islamistëve nga njëra anë dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut në anën tjetër. Konflikti ndërmjet këtyre dy qëllimeve shpesh krijon keqkuptime në politikën e jashtme perëndimore. Kjo hap gjithashtu një hapësirë politike ku Rusia mund të operojë duke investuar mbi shtypjen dhe duke dekurajuar demokracinë.
Është e ditur tashmë se Moska mbështet regjimet autoritare në Damaskus, Kajro dhe Tobruk, të cilët i portretizon si mur mbrojtës kundër përhapjes së islamit radikal. Në Egjipt, Putini e ka mbështetur vazhdimisht presidentin Abdel Fattah al-Sisi dhe veprimet e tij kundër Vëllazërisë Myslimane, për shembull, në kurriz të provave të panumërta që tregojnë traktikat shtypëse dhe diktatoriale që përdor qeveria e tij ushtarake.
Që në vitin 2013, Rusia është shfaqur e gatshme për të siguruar armë për qeverinë egjiptiane, duke shfrytëzuar edhe hezitimin e Shteteve të Bashkuara për të ofruar pajisje ushtarake, pasi dyshonin se mund të përdoreshin për shtypjen politike të brendshme. Edhe pse Egjipti vazhdon të varet më shumë nga mbështetja financiare e Washingtonit se sa nga ajo e Moskës, ky veprim është shembulli ideal që demonstron strategjinë e Rusisë për të shfrytëzuar çdo krisje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të rajonit, veçanërisht në rastet kur Washingtoni i frenon veprimet për shkak të konfliktit ndërmjet sigurisë dhe të drejtave të njeriut.
Të njëjtën gjë e shikojmë edhe në Libi dhe Siri, ku Rusia nuk përballet me një partner të betuar të Shteteve të Bashkuara. Në Siri, pavarësisht mizorive kundër të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi i Bashar al-Assadit që ka tërhequr të gjithë mllefin e vendeve perëndimore, Perëndimi përsëri nuk ka arritur të shpjegojë nëse rrëzimi i Bashar al-Assadit nga regjimi mund të përmirësojë vërtet sigurinë e vendit, pasi kjo mund ta çojë Sirinë edhe drejt ngritjes së anarkisë islamike.
Putini e ka shfrytëtzuar këtë pasiguri duke e mbështetur Assadin pa asnjë rezervë, duke e lënë Perëndimin të mbytet në argumentet e tranzicionit gradual që i duhet vendit për të shpëtuar nga Presidenti sirian. Kjo situatë ka arritur të nxisë akoma më shumë influencën e Rusisë dhe Iranit në rajon, të vetmet shtete që mbajnë në dorë çelësin për të nisur çdo formë tranzicioni të tillë për t’i dhënë fund luftës civile.
Për sa i përket Libisë, Shtetet e Bashkuara kanë investuar kohë dhe përpjekje në Marrëveshjen Kombëtare të Qeverisë të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, vendosur jashtë Tripolit, që ka për qëllim të bashkojë vendin e përçarë. Problemi është që qeveria separatiste në Tobruk në Libinë Lindore, e cila mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ka rënë dakord për këtë shkrirje mes dy zonave të përçara.
Pasi nuhati një mundësi për të hyrë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe dy aleatëve të tyre tradicionalë (Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), duke mbështetur formalisht procesin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, Rusia ka furnizuar me armë, me siguri përmes Serbisë dhe Bjellorusisë, forcat e gjeneralit Khalifa Haftar, i cili mbështet qeverinë Tobruk.
Duke lejuar Haftarin të marrë me sukses terminalet e naftës në basenin e Sortes në Libi gjatë dy muajve të fundit dhe qëndrimin e tij kundër grupeve islamiste të Bengazit, Perëndimi duket se për momentin është duke e pranuar realitetin dhe në njëfarë mënyre, nevojën që ekziston për pushtetin e tij në Libi, rrjedhimisht edhe influencën e Rusisë në vend.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shndërrimin e plotë të befasishëm të qëndrimit të Putinit kundrejt Turqisë. Duke nuhatur përsëri një mundësi për të dëmtuar pozicionin e aleancës së NATO-s, pas grushtit të shtetit të mbetur në tentativë kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan në muajin korrik, Putini ftoi liderin turk në Moskë. Sanksionet ruse të imponuara pas rrëzimit të avionit luftarak rus mbi Siri vitin e kaluar u hoqën dhe tani Perëndimi duhet të përballet me situatë të ndërlikuar të një vendi anëtar të NATO-s, presidenti i së cilit ndjek një filozofi politike më shumë të ngjashme me Putinin se sa me vlerat demokratike që NATO duhet të mbrojë.
Edhe pse Putini është përpjekur shumë për të penetruar në shumë fusha të tjera të politikës së Lindjes së Mesme këtë vit, duhet të kemi kujdes të mos ta ekzagjerojmë shumë influencën e tij. Duhet mbajtur mend, për shembull, se vlera e propagandës që rusët lidhën me sulmin bombardues të Sirisë nga një bazë iraniane gjatë muajit gusht e irritoi shumë Teheranin dhe se rusët u dëbuan nga kjo bazë vetëm tre ditë më pas.
Po kështu, përpjekja e Putinit për të marrë përsipër një rol në procesin e paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës këtë vit, strategji e menduar vetëm për të sfiduar pozicionin e Shteteve të Bashkuara si negociator kryesor, siç duket qartë nuk ka pasur asnjë sukses domethënës.
Kështu, a mund të themi se Putini është një mjeshtër i strategjisë së ndërhyrjes apo thjesht një kumarxhi që i pëlqen të vërë baste? Realiteti është më prozaik në fakt. Po, është e vërtetë se Rusia ka pasur më shumë arritje diplomatike këtë vit, veçanërisht në Libinë Lindore dhe në Turqi dhe e ka ndihmuar tejmase pozicionin e Assadit, por këto arritje kanë sjellë edhe kosto serioze afatgjatë për ekonominë ruse, e cila prej vitesh është futur në një situatë shumë të vështirë.
Siç e di mirë çdo demogog, e vetmja mënyrë për të ruajtur pushtetin e gjeneruar nga hiçi dhe përmes përçarjes, është të furnizohesh mirë me zjarret e konflikteve të hapura që kanë shkaktuar këto përçarje që në fillim. Por kur vendos që Perëndimin ta kthesh në armik, nuk mund të zihesh në befasi kur rezultati i veprimeve të tua janë sanksione gjithmonë e më të egra ekonomike dhe ngurrimi i të gjitha kompanive perëndimore për të investuar në vendin tënd.
Ka mundësi që Putini të besonte se veprimet e tij në Lindjen e Mesme do t’i ofronin më shumë vend për të manovruar dhe për të negociuar sanksionet, pavarësisht faktit se sanksionet ekonomike ukrainase dhe ato siriane nuk janë formalisht të lidhur me njëri-tjetrin. Do të ishte më realiste të mendoje se dëshira e vazhdueshme e Putinit për të nxitur konfliktet me Perëndimin nuk e ndihmon aspak lehtësimin e sanksioneve në periudhën afatshkurtër, veçanërisht në rast se kandidatja demokrate Hillary Clinton vendoset në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Me veprimet e tij Putini ka arritur vetëm ta izolojë Rusinë në një pozicion që e detyron ta orientojë të gjithë ekonominë në varësi të Kinës dhe larg Perëndimit, gjë që i jep Pekinit pushtet jashtëzakonisht të madh mbi Moskën. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet elementi i mashtrimit dhe gënjeshtrës në strategjinë ruse. Kjo është një tjetër mënyrë për të gjeneruar pushtet nga hiçi, por bëhet fjalë për një pushtet të dyshimtë, i cili në periudhën afatgjatë e shkatërron kredibilitetin e një lideri apo vendi.
Shembulli më konkret për këtë është marrëdhënia e Rusisë me Arabinë Saudite. Pavarësisht se ndodhet në anë të kundërt të luftës civile në Siri, Putini ka arritur të afrojë Rijadhin në orbitën e tij diplomatike përmes bashkëpunimit në politikën e naftës, duke qenë se si vende anëtare të OPEC-ut të drejtuar nga Arabia Saudite, ata kanë nevojë për çmime më të larta të naftës për të financuar buxhetet e tyre shtetërore.
Moska ka shprehur gjithmonë përkushtim të bindur ndaj këtij bashkëpunimi dhe sauditët duket se kanë dhënë garancitë e tyre – pasi pa të, Rusia mund të përfitonte një pjesë të mirë të tregut të naftës që do të lirohej pas reduktimit të prodhimit të naftës nga Arabia Saudite. Por Rijadhi është mundësisht i destinuar të humbasë nga kjo marrëveshje. Muajin e kaluar, Igor Sechin, drejtues ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës ruse Rosnfet, tha se kompania e tij nuk do të merrte pjesë në këtë reduktim të prodhimit të naftës, duke dalë kështu në kundërshtim të zotimit të Putinit.
Rusia duket se kërkon që Arabia Saudite të firmosë marrëveshjen me Moskën, por pa pasur ndërmend ta respektojë atë. Është e vështirë të mendohet se sa mund të zgjasë mashtrimi i Putinit me Arabinë Saudite. Në periudhën afatshkurtër, deklarata zyrtare e marrëveshjes së reduktimit të prodhimit të naftës ndërmjet OPEC-ut dhe Rusisë, e cila pritet të miratohet këtë muaj, do të rrisë përkohësisht çmimin e naftës. Por në periudhën afatgjatë, kur marrëveshja të prishet, ajo do të shkatërrojë kredibilitetin e Putinit me Rijadhin dhe OPEC-un.
Vlerësimi i suksesit të strategjisë së Putinit varet shumë nga koha. Në vitin 2016, Rusia ndodhet në mes të çështjeve të Lindjes së Mesme. Në periudhën afatgjatë, dëmi që kjo i ka bërë ekonomisë ruse duke u armiqësuar me Perëndimin do ta reduktojë ndjeshëm vlerën e një aleance me Libinë Lindore, madje edhe me Turqinë. E dëmtuar ndjeshëm nga çmimet e ulëta të naftës, ekonomia ruse nuk mund ta përballojë dot izolimin dhe shkëputjen nga tregu i kapitaleve dhe investimeve të Perëndimit.
Por ndoshta suksesi ndërkombëtar i Rusisë është mënyra më e gabuar për të vlerësuar arritjet e Putinit nga strategjia e ndërhyrjes nëpër konflikte. Strategjia mund të jetë arti i krijimit të pushtetit, por pushteti që i intereson më shumë strategut mund të ndodhet brenda kufijve të vendit të tij. Ndërhyrja nëpër konfliktet e huaja mesa duket e ndihmon shumë Putinin të fitojë mbështetjen popullore që i nevojitet për të qëndruar në krye të Kremlinit, edhe pse vendi përreth tij po kalbet dita-ditës.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version