Vlonjatët më të braktisurit nga Rama, bashkim më 18 shkurt

Vlonjatët i janë përgjigjur masivisht ftesës së kreut të PD, Lulzim Basha për të marrë pjesë në protestën e 18 shkurtit. Pasditen e së hënës, Basha ndaloi në Vlorë ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit. Zoti Basha mori ide dhe sugjerime lidhur me protestën e 18 shkurtit, e cila sipas tij është vetëm fillimi i një lëvizje mbarëpopullore, lëvizje që do të sjellë një ndryshim të madh në vend. Pasi dëgjoi edhe shqetësimet e të rinjve lidhur kryesisht me papunësinë, kryedemokrati Basha i ftoi vlonjatët të ngrenë njëzëri problemet e tyre përpara Kryeministrisë më 18 shkurt, ku do të nisë edhe lëvizja mbarëpopullore, e cila do të shtrihet në gjithë Shqipërinë.
“Sapo kam mbaruar një takim të jashtëzakonshëm me rininë vlonjate, e cila është e angazhuar si asnjëherë më parë për t’i prirë bashkimit mbarëpopullor të 18 shkurtit, që do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve në 27 vite pluralizëm. Përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë të rinjtë dhe qytetarët e Vlorës të bëhen pjesë e këtij bashkimi. Ata që pritën më kot 300 mijë vende pune, ata që shpresuan shëndetësi falas, ata që donin të dërgonin djemtë dhe vajzat e tyre në universitete më cilësore me tarifa të përballueshme, e dinë fare mirë pas katër vitesh se vende të reja pune nuk ka, se shëndetësia është në ditën e saj më të zezë dhe se të çosh fëmijët në universitet është më e shtrenjtë. Taksat janë rritur, faturat e energjisë janë më të larta, të ardhurat kanë rënë, po kështu edhe fuqia blerëse”, tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se, Vlora e 2017-ës është më keq, për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit, i cili gëlon, për shkak të lidhjes së qeverisë me bandat. “Sot vetëm një grusht njerëzish gëzojnë frytet e ‘Rilindjes’. Pushtetarët dhe kriminelët e lidhur me ta, janë pasuruar në këto katër vite, kanë vënë pasuri miliona euroshe mbi taksat, mbi gjakun, mbi djersën e njerëzve të thjeshtë. Populli i Vlorës është i braktisur nga kryedeputeti i saj. Populli i Vlorës është më i braktisuri, më i harruari në mjerimin ekonomik, në probleme dhe në brengën e madhe, hallet e mëdha, mungesës së ndihmës ekonomike, pensioneve të pamjaftueshme, faturave të larta, mungesës së shpresës dhe mundësisë për nesër”, theksoi Basha.
Për t’i dhënë fund braktisjes nga qeveria, kryedemokrati i kërkoi çdo vlonjati të mos ketë frikë të kërkojë atë çfarë i takon. Ndryshimi vjen përmes njerëzve, përmes guximit dhe lirisë dhe sipas Lulzim Bashës, rinia është motori i çdo lëvizje madhështore. “Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë me votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Ndryshimi po vjen, ndryshimi nuk do të ndalet. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor më 18 shkurt në Tiranë, për t’i thënë ndal arrogancës së pushtetit, për t’i thënë jo pushtetit të lidhur me krimin”.
“Nuk do të ketë votime, por do të ketë zgjedhje. Vlora do të zgjedhë, Vlora do të votojë me votë të lirë e të ndershme, Vlora do të flasë me zë të lartë. Vlora e braktisur nuk do të jetë më e braktisur dhe e harruar, por do t’i kthehet vlonjatëve, do t’i kthehet qytetarëve me votë të lirë dhe të ndershme. Dhe që ta sigurojmë këtë, më 18 shkurt i ftoj të gjithë vlonjatët të jenë pjesë e bashkimit më të madh, e bashkimit më të madh të shqiptarëve në 27 vjet”. Kreu i opozitës Lulzim Basha u ndal në Vlorë për t’u takuar dhe biseduar me qytetarë të thjeshtë për problemet që hasin dhe ndau me ta thirrjen për manifestimin e tyre më 18 shkurt në Tiranë.

Aleatët e PD: Më 18 shkurt gjithë populli të ngrihet në protestë

Aleatët e Partisë Demokratike bëjnë thirrje për protestë të qëndrueshme më 18 shkurt. Fatmir Mediu dhe Agron Duka thonë se kjo duhet të jetë një protestë, ku zëri qytetar të vendosë mbi krimin e korrupsionin, të ngrihen për ekonominë e tyre e për të votuar të lirë. “Ekonomia, krimi i organizuar, varfëria, të gjitha këto janë elemente që janë shtruar këmbëkryq në shoqërinë shqiptare dhe nuk ka asnjë lloj reagimi dhe këto nuk është se janë rrjedhojë e një procesi normal, por të një politike tërësisht të organizuar nga ana e qeverisë që ka të bëjë me lejimin e trafikut të drogës, kultivimit të kanabisit, me marrëdhëniet me krimin e organizuar, banditët sillen si shtet dhe shteti si bandit; një situatë krejt e papranueshme. Këto çojnë në një proces zgjedhor tërësisht të paramanipuluar, të provuar si të tillë në të gjitha zgjedhjet që janë kryer deri tani dhe ajo ç’ka është më e keqja, u heq autoritetin dhe forcën qytetarëve shqiptarë për të vendosur kush do të jetë e ardhmja e këtij vendi”, tha Mediu.
“Në kushtet e një ekonomie të rënduar dhe në kushtet kur parashikimi për zgjedhje të lira e të ndershme është negative atëherë është normale që njerëzit të reagojnë me protesta sepse si çështja e parë edhe e dyta nuk janë vetëm probleme të popullit opozitar, por janë problem i popullit shqiptar në përgjithësi”, tha Duka. Askush nuk pohon se cili duhet të jetë skenari, por se cili nuk duhet të jetë. Protesta sipas aleatëve duhet të jetë ndryshe prej të tjerave.
“Unë mendoj se nëse opozita do të jetë e sipërfaqshme që të shkojë para qytetarëve të flasë disa fjalë e pastaj këtu mbaron çdo gjë për të menduar se kush do të jetë pastaj protesta e ardhshme, unë mendoj se kjo nuk do të ketë vlerën që duhet të ketë. Është shumë e rëndësishme që të ketë një seri marrëdhëniesh dhe aktivitetesh për të ushtruar presionin maksimal mbi qeverisjen, por njëkohësisht edhe për të bërë të mundur edhe një ndërgjegjësim të shoqërisë shqiptare e të faktorit ndërkombëtar për situatën e papranueshme në vend. Kush janë mënyrat dhe format e organizimit të saj ngelet për t’u diskutuar në Partinë Demokratike dhe në tryezën e gjerë të opozitës”, thotë Mediu.
“Nëse do të vendoset që të vazhdojmë të qëndrojmë edhe unë bashkëngjitem çdo lloj vendimi që do të marrë opozita dhe Partia Demokratike. Natyrisht ky vendim nuk mund të merret apriori thjesht sepse ke dëshirë të qëndrosh, por merret kur shihet realisht që ka një reagim ndaj qeverisjes dhe kjo më shumë se sa politike duhet të burojë nga kërkesat që ka vetë populli në përgjithësi”.

Arben Shahini

Exit mobile version