Në takimin e kaluar me 4 prill, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se “janë mbushur disa boshllëqe midis propozimeve të të dyja palëve dhe se do të vazhdojnë diskutimet bazuar në idetë e Bashkimit Evropian për kompromis”, ndonëse nuk dha hollësi se cili është “kompromisi” i propozuar.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”, ndërsa akuzoi Prishtinën për dështimin e raundit të sotëm të bisedimeve.
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha ai, duke theksuar se “Prishtina erdhi në Bruksel pa komentuar idetë e Bashkimit Evropian dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore./voa