VOA: Lidhjet e Austrisë me Rusinë, shqetësim për aleatët

Dhjetëra mijëra persona, që do të ndiqnin koncertin e këngëtares Taylor Swift, këndonin në rrugët e Vjenës, ndërsa i dhuronin njëri-tjetrit byzylykë në shenjë miqësie. Ndërkohë, punëtorët çmontonin skenën ku pritej të shfaqej këngëtarja, brenda një stadiumi tashmë të boshatisur.

Organizatorët anuluan papritur tre shfaqjet e zonjës Swift, për shkak të rrezikut për një sulm nga militantët e grupit Shteti Islamik.

Shkëmbimi i të dhënave të zbulimit ndihmoi për parandalimin e një tragjedie, thanë zyrtarët austriakë dhe amerikanë. Por ai mbështetet në besimin e ndërsjellë – besimin se sekretet nuk do të bien në duar të gabuara, ose nuk do t’u zbulohen qeverive armiqësore.

Shqetësimi i aleatëve perëndimorë të Austrisë për këtë mundësi, është rritur gjithnjë e më shumë javët e fundit. Partitë politike të vendit kanë mbajtur një përqasje të hapur ndaj Rusisë për dekada – pjesë e një politike të jashtme tradicionale të neutralitetit – por jo në nivelin e Partisë së Lirisë të ekstremit të djathtë, e cila mori shumicën e votave në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar.

Nëse Partia e Lirisë bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme të Austrisë, disa analistë paralajmërojnë se shkëmbimi i të dhënave të zbulimit mund të kufizohet në mënyrë drastike, ose mund të ndalet krejtësisht.

Për momentin, Partia Popullore e qendrës së djathtë ka mandatin për të formuar një koalicion qeverisës. Negociatat do të zhvillohen në javët dhe muajt në vijim pa Partinë e Lirisë, pasi konservatorët dhe të gjitha partitë e tjera kanë përjashtuar mundësinë e qeverisjes me të djathtën ekstreme. Por nëse këto negociata dështojnë, Partia e Lirisë do të jetë e gatshme për t’u përfshirë.

Zyrtarët austriakë dhe amerikanë konfirmuan se shkëmbimi i të dhënave të zbulimit ndihmoi për parandalimin e një tragjedie. Por ky lloj shkëmbimi informacioni mbështetet në besimin e ndërsjellë – besimin se sekretet nuk do të bien në duar të gabuara ose nuk do t’u zbulohen qeverive armiqësore. Për Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së, ndër qeveritë armiqësore përfshihet edhe Rusia.

Në shkurt 2018, kur kreu i Partisë së Lirisë Herbert Kickl ishte ministër i brendshëm, disa shërbime të huaja të zbulimit e përjashtuan Austrinë nga shkëmbimi i të dhënave të zbulimit, si pasojë e një operacioni policor, të urdhëruar nga ministria e tij, për të bërë kontroll në agjencinë e zbulimit të vendit.

Bastisja, e cila u shpall e paligjshme nga një gjykatë austriake në gusht 2018, tronditi vendin. Operacioni shkaktoi edhe ngritjen e një hetimi parlamentar dhe mbylljen e agjencisë.

A pati rol Rusia?

Nuk është ende e qartë se në çfarë përmasash mund t’i ketë ndikuar zhvillimet Rusia në prapaskenë.

Beate Meinl-Reisinger, drejtuese e partisë austriake Neos, tha gjatë një konference për shtypin në maj se, ose zoti Kickl dhe Partia e Lirisë pranuan me vetëdije të punojnë për interesat e Rusisë në vitin 2018, ose u përdorën.

Hetimi parlamentar zbuloi se zyrtarë të lartë në Ministrinë e Brendshme, në atë kohë të kryesuar nga zoti Kickl, luajtën një rol aktiv duke përdorur akuzat e ngritura në një dosje anonime ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të shërbimit të zbulimit, për t’i shtyrë prokurorët që të firmosnin urdhërin për bastisjen. Zoti Kickl ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.

Akuzat në dosje, ndër të tjera për korrupsion, keqpërdorim të të dhënave konfidenciale dhe për ngacmime seksuale, dolën të pabaza, por vetëm pas katër vitesh hetimesh. Madje ende nuk është e qartë se kush e përpiloi dhe kush e bëri publike dosjen.

Mediat austriake raportojnë se hetuesit po shqyrtojnë nëse Egisto Ott, një ish-zyrtar i pakënaqur i zbulimit, i dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, mund ta ketë përpiluar dosjen në përpjekje për të dëmtuar shërbimin e zbulimit, ndoshta për shkak të zhgënjimeve të tij me agjencinë.

Ligjvënësi i Partisë së Gjelbër, David Stögmüller tha se duke nxitur bastisjen, Partia e Lirisë “dëshironte të shkatërronte agjencinë vendase të zbulimit dhe të krijonte diçka të re me fytyra të afërta me partinë e tyre”.

Përpjekjet e supozuara të Partisë së Lirisë për të reformuar agjencinë e zbulimit u ndërprenë vetëm pasi udhëheqësi i saj i atëhershëm u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi u kap në video duke ofruar kontrata publike në këmbim të donacioneve për fushatën.

Pasojat e bastisjes janë ende duke u ndjerë. Ligjvënësit gjermanë kanë thënë se qeveria e tyre duhet të rishikojë bashkëpunimin e saj me Austrinë, nëse Partia e Lirisë është pjesë e qeverisë së re.

“Nën dritën e rrezikut masiv që paraqet Rusia për paqen dhe stabilitetin në Evropë, ne nuk mund të lejojmë që informacioni përkatës t’i dorëzohet drejtpërdrejt Rusisë”, tha për gazetën gjermane Handelsblatt në fillim të këtij muaji Konstantin Kuhle, ligjvënës i një nga partive në pushtet në Gjermani dhe anëtar i komisionit të mbikëqyrjes së zbulimit në parlamentin gjerman.

“Nëse Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë do të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme dhe do t’i jepet sërish kontrolli mbi agjencitë e zbulimit, besimi i shërbimeve të huaja të zbulimit sigurisht që do të jetë sërish në diskutim”, tha Thomas Riegler, një ekspert zbulimi me Qendrën Austriake për Studime të Zbulimit, Propagandës dhe Sigurisë.

Ndër objektet e sekuestruara në bastisjen e paligjshme të vitit 2018 ishte një kopje e të ashtuquajturës Baza e të Dhënave Neptun – ku përmbante informacionet sekrete të dërguara Austrisë nga agjencitë e huaja të zbulimit.

“Mosbesimi i partnerëve të huaj ndaj Partisë së Lirisë është i rrënjosur në marrëdhëniet e partisë me Rusinë”, tha zoti Riegler.

Partia e Lirisë bën thirrje për t’i dhënë fund sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo kritikon ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe nënshkroi një marrëveshje miqësie në vitin 2016 me Partinë Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin, marrëveshje për të cilën thotë se tashmë ka skaduar.

Por, Partia e Lirisë nuk është e vetmja që ka mundësuar ndikimin rus. Partitë kryesore kanë luajtur gjithashtu rolin e tyre, duke rrezikuar të dëmtojnë sigurinë austriake dhe evropiane. Kjo ka të bëjë shumë me historinë e Austrisë në periudhën e pasluftës.

Austria, e cila u aneksua nga Gjermania naziste në prag të Luftës së Dytë Botërore, deklaroi neutralitetin pas luftës, nën trysninë e aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik. Ajo u përpoq të marrë rolin e një vendi ndërmjetës mes Lindjes dhe Perëndimit, duke kultivuar lidhjet me Moskën që zgjatën përtej Luftës së Ftohtë.

“Neutraliteti i Austrisë, organizatat e shumta ndërkombëtare në Vjenë, vendndodhja e saj gjeostrategjike dhe ligjet e buta për spiunazhin, të gjitha këto e kanë shndërruar Austrinë në një vatër për agjenturën ruse dhe të tjerë”, tha zoti Riegler.

Spiunazhi është i ndaluar në mënyrë të qartë vetëm nëse drejtohet kundër vetë Austrisë, por jo nëse synon vende të tjera apo organizatat ndërkombëtare.

Që nga viti 2020, 11 diplomatëve rusë të dyshuar për spiunazh u është kërkuar të largohen nga Austria. Në dallim, Gjermania mbylli katër nga pesë konsullatat ruse vitin e kaluar.

Deri në mars 2024, Rusia kishte 142 diplomatë dhe 116 punonjës të personelit administrativ dhe teknik të akredituar në Austri. Përafërsisht 25% prej tyre mund të jenë agjentë zbulimi, tha një zyrtar austriak i shërbimit të zbulimit, duke kërkuar që t’i ruhet anonimiteti.

Numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë më i lartë: mund të përfshijë të afërmit e diplomatëve dhe punonjësit e institucioneve gjysmë-zyrtare, si shkollat, zyrat e linjave ajrore ose organizatat e mediave, shtoi zyrtari.

“Ngurrimi i Ministrisë së Jashtme austriake për të dëbuar më shumë diplomatë rusë është një skandal dhe përbën një rrezik sigurie për vendin”, tha Stephanie Krisper, e partisë NEOS që përkrah një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë.

Ministria e Jashtme e Austrisë thotë se numri i diplomatëve rusë të dëbuar është “në mesataren evropiane”.

Në një përgjigje me shkrim për agjencinë e lajmeve Associated Press, Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg tha se: “Pozicioni im është shumë i qartë: e drejta ndërkombëtare është baza e veprimeve të mia. Jam ministri i parë i Jashtëm austriak që nuk jam i shmangur marrjes së masave të duhura dhe dëbimit të diplomatëve, sa herë që më sillet në vëmendje se janë përfshirë në akte të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

Por në raportin e saj vjetor të vitit 2023, agjencia austriake e zbulimit të brendshëm, DSN, theksoi rrezikun e spiunazhit rus dhe të tjerë. Radarët dhe instalimet satelitore në çatitë e përfaqësive diplomatike ruse në Vjenë përdoren për mbledhjen e të dhënave të zbulimit për vende evropiane anëtare të NATO-s, tha DSN-ja, duke sjellë kështu një “humbje reputacioni” për Austrinë.

“Austria lejon që në tokën e saj të ndodhë spiunazhi që drejtohet kundër interesave dhe vlerave të sigurisë së vendeve evropiane dhe të shteteve të tjera partnere”, tha një diplomat i lartë evropian, që foli në kushte anonimiteti.

Duke patur parasysh lidhjet historike ndërmjet Austrisë dhe Rusisë, situata nuk ka gjasa të ndryshojë shumë, pavarësisht se kush është në qeverinë e ardhshme, tha diplomati.

Exit mobile version