“Po dëshmoni një qeverisje arrogante në Shkozë” ishte konstatimi i gazetarit të “Zërit të Amerikës”, duke iu referuar shkatërrimeve masive të mbi 400 familjeve në Shkozë, ndërsa përgjigja ka qenë ajo e një drejtuesi qeverie, por e një të forti fshati që hardalliset duke i treguar forcën më të dobtit. Sipas tij, ata qindra qytetarë nuk meritojnë asgjë, madje as kohën për përgjigje të problemit. Kjo ka qenë e mjaftueshme që VOA edhe një herë tjetër të njohë monstrën që ne kemi në krye të qeverisë me votat e blera me paratë e drogës dhe të krimit të organizuar. Këtë model qeveritari sjell qenia në krye të pushtetit jo përmes votës së merituar, por përmes votës së blerë ku kreu i qeverisë përgjigjet si garip, duke mos kuptuar se fundi i garipëve është gjithmonë tragjik.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku po vijon vizitën e tij mes komoditetit dhe luksit, Edi Rama përcolli në mënyrë të prerë një mesazh çnjerëzor ndaj banorëve të Shkozës. “As nuk do të dëmshpërblehet, e as nuk do të shpronësohet njeri!”, u shpreh Rama teksa shpejt e shpejt u përpoq të mbyllte përgjigjen e tij të thatë pas pyetjes së bërë nga gazetari i “Zërit të Amerikës”.
Përtej çdo reagimi logjik dhe normal të kryeministrit të çdo vendi në një situatë të tillë, Rama jo vetëm që nuk foli për ndonjë zgjidhje apo mbështetje ndaj banorëve, por përkundrazi ai tha me zë dhe me figurë se asnjë ndihmë shtetërore nuk do të vijë ndaj 400 familjeve të nxjerra nga shtëpitë e tyre.
Ai e shfaqi hapur bezdisjen që i shkaktoi pyetja e gazetarit të VOA-s, ndërsa nxjerrjen e rreth 700 familjarëve e cilësoi si një proces si gjithë të tjerët, i cili sipas tij nuk meriton asnjë koment.
Teksa shpejtoi që të kalonte tek pyetja e radhës, Rama nuk dënoi për asnjë moment dhunën e ushtruar ndaj familjarëve që u tërhoqën zvarrë nga banesat e tyre pa asnjë paralajmërim po e legjitimoi këtë dhunë si dhe arrogancën me të cilën banorët si lecka u hodhën në rrugë.
“Shkoza s’përfaqëson asgjë dhe s’meriton besoj koment deri në Uashington dhe Nju Jork. Është një proces si shumë procese të tjera, ku ka qenë e domosdoshme të shemben ndërtime pa leje, aty pengohet zhvillimi i infrastrukturës për të mirën e përbashkët. Dhe kush ka ndërtuar pa leje, duke zënë akset kryesore, duke zënë hapësirat e zhvillimit, patjetër që s’mund të pretendojë të përkëdhelet, dëmshpërblehet dhe as shpronësohet”, tha Rama.
Por Kryeministri që flet lart e poshtë për legalizime e që do të bëjë shtet, nuk foli për mbajtjen e asnjë përgjegjësie për fatin e familjeve që kanë mbetur në mes të katër rrugëve pa asnjë çati mbi kokë. Sipas Kryeministrit edhe pse shteti është duke shkatërruar shtëpitë e tyre për t’i hapur rrugën projekteve ndërtimore, banorët nga ana tjetër duhet të marrin masa individualisht me forcat e tyre për të gjetur vendbanime të reja.
“T’i japim mundësinë (banorëve) për një qira të paguar nga komuniteti për një periudhë të caktuar deri sa familjet të akomodohen aty ku të gjejnë mundësi me forcat e tyre”, shtoi Kryeministri. Rreth 700 banorë rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur, pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i njoftoi një javë më parë se shtëpitë e tyre do të prishen për shkak se aty do të bëhet rehabilitimi i lumit të Lanës.
VOA-Ramës: Qeveria arrogante
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër këto ditë në Tiranë, qindra banorë të Shkozës po ankohen për prishjen e shtëpive. Shkoza duket se simbolizon në një fare mënyre gjithë ato problem të ndërlikuar të shkaktuara gjatë viteve në Shqipëri me çështjen e pronave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se përgjegjësia e Bashkisë është vetëm nga ana sociale. Një nga anakesat e përbashkëta të banorëve është mënyra si u soll shteti me ta, pa u dhënë një njoftim zyrtar që të ankimoheshin në Gjykata, disa ankohen për legalizime selektive, të tjerë thonë se projekti është ndryshuar dhe tani duhen prishur më shumë shtëpi, pra ka një pakënaqësi ndaj një lloj arrogance të shtetit ndaj tyre. A keni ndonjë koment për rastin e tyre?
Edi Rama: Shkoza nuk përfaqëson asgjë dhe nuk meriton, besoj, koment deri në Nju Jork dhe në Uashington. Megjithatë, ju e bëtë pyetjen dhe unë po ju përgjigjem. Është një proces si shumë procese të tjera. Ka qenë dhe mbetet e domosdoshme që të shemben ndërtimet pa leje, aty ku pengohet zhvillimi i infrastrukturës për të mirën e përbashkët. Dhe kush ka ndërtuar pa leje, duke zënë akset kryesore, duke zënë hapësirat e zhvillimit, patjetër që nuk mund të pretendojë as të përkëdhelet, as të dëmshpërblehet, as të shpronësohet, por thjeshtë duhet dhe meriton të trajtohet me kujdes, duke mos e lënë të pastrehë, po duke i dhënë mundësinë e një qiraje të paguar nga kolektiviteti, pra nga i gjithë komuniteti për një periudhë të caktuar, derisa familjet pastaj të jenë në gjendje të akomodohen aty ku ato do të gjejnë mundësitë të akomodohen me forcat e tye. Kjo është Shkoza dhe pasaj historitë me arrogancë me prepotencë, me shtet-shurdh dhe me shtet-qorrë janë histori që realisht nuk kanë vend. Shteti ka detyrë t’u shërbejë qytetarëve dhe të mbështesë të gjithë procesin transformues për të pasur një Shqipëri me shtet, me punë dhe me mirëqenie. Të bësh shtet, të bësh punë, dhe të bësh mirëqenie nuk ka shumë rrugë. Rruga është e qartë. Dhe në këtë rrugë sigurisht do të ketë edhe shqetësime të kësaj natyre. Por këto janë shqetësime që i përkasin një pakice shumë të vogël në krahasim me rëndësinë madhore që zgjidhja e këtyre problemeve ka për shumicën.