Votimi nga jashtë/ 140 518 regjistrime, 85 788 kërkesa të miratuara

Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 140 518, ndërsa deri sot në orën 09:40 janë miratuar 85 788 kërkesa.

Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 83 953 (59,7%) kërkesa, ndërsa femrat janë 56 565 (40,3%).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 39 132 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 37 976 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 26 814 dhe mbi 56 vjeç janë  21 945 kërkesa për regjistrim.

Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 14 651 të tilla. Sipas të dhënave janë refuzuar 49 627 kërkesa.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 53 042, e ndjekur nga Greqia me 37 984, Gjermania me 16 739, si dhe nga SHBA me 10 231.

Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 26 962, më pas bashkia e Fierit me 19 627, Korça me 1474, Durrësi me 14 631 etj.

Exit mobile version