Vrasja e dyfishtë në Vlorë, asnjë i ndaluar nga policia

Tre ditë pas ngjarjes së rëndë në Vlorë, ku dy persona u vranë me armë zjarri dhe një tjetër u plagos rëndë, nuk ka ende asnjë të arrestuar. Objektiv i këtij sulmi me kallashnikov sipas hetimeve të deritanishme, ishte pronari i pikës së basteve Ilir Deromemaj, i cili mbeti viktimë.
Por plumbat përfshinë edhe 60-vjeçarin Dhimitër Cani, i cili humbi jetën në vend, ndërsa mbeti i plagosur aksidentalisht Krenar Runaj, 53 vjeç. Ky i fundit sipas të afërmve të tij ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Ai nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, por breshëria e kallashnikovit nuk e kurseu.
Autori ka qëlluar me breshëri, duke mos kursyer askënd nga një distancë e afërt. Sipas burimeve, plumbat kanë qenë të shumtë, duke depërtuar edhe në një banesë aty pranë, si dhe duke rrezikuar dhe jetën e banorëve të tjerë.
Dëshmitarë i thanë policisë se mjeti ngadalësoi shpejtësinë përpara lokalit dhe autori, që gjendej në vendin e parë të pasagjerit, zbrazi një karikator të plotë. Deromemaj ishte ulur në një nga dy tavolinat që lokali kishte përpara, në pjesën e jashtme. Viktima tjetër, Dhimitër Çani, që punonte si kambist dhe i plagosuri Krenar Runaj, nuk kishin lidhje me të. Policia ende nuk ka mundur të identifikojë dhe arrestojë autorët e kësaj masakre.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autori qëlloi me breshëri kallashnikovi nga një fuoristradë “Xhip” me targa AA 201 FS, e cila u gjet tre orë më vonë e djegur në fshatin Aliko, në afërsi të varrezave. Makina rezulton e vjedhur dy muaj më parë në Fier. Dyshohet se objektiv i atentatit ishte Deromemaj. Sipas policisë, ai kishte precedentë penalë dhe akuzohej se në vitin 1998 kishte vrarë Lame Gockajn. Deri më tani, sipas policisë, shkak i kësaj vrasje dyshohet hakmarrja.

Exit mobile version