Nga Desada Metaj
“Intervistë ekskluzive”, “flet për herë të parë babai i Martinit” dhe plot tituj e intervista pa asnjë interes për publikun, veç kuriozitetit pervers për një ngjarje të rëndë. Është vrarë një fëmijë, është plagosur dhe shenjuar në mënyrë përfundimtare një familje, e bashkë me të e gjithë shoqëria që jeton në një vend ku dhuna paketohet me ngjarje ekskluzive dhe tituj bombastikë për ca klikime më shumë. Por asnjë reflektim. Asnjë moment heshtje në respekt të familjeve me fëmijë të vrarë e të vrarës jeta, të cilëve përveç goditjes më të rëndë të mundshme, tashmë kanë në kurriz edhe gjykimin e një shoqërie që, prej disa ditësh, ushqehet veç me “ekskluzivitete” makabre që nuk të çojnë askund.
Si mundet që një grua, që del ekran më ekran dhe tregon se si e ka shoqëruar viktimën në spital, nuk ka frikë nga shkelja e ligjit? Si mundet që asnjë drejtues emisioni nuk e di apo nuk i thotë që ka thyer ligjin, teksa ka shoqëruar një të plagosur pa pritur ta bëjë këtë ambulanca, ose së paku të kërkonte ndihmën e një mjeku?
Si mundet që në shkollën Fan Noli, të nesërmen e ngjarjes, nuk ndaloi procesi mësimor dhe godina, nga skenë krimi, u shndërrua në “Big Brother live”, ku flisnin të mitur të pashoqëruar nga prindër, dhe prindër e mësues pa asnjë filtër të vërtetë?
Si mundet që në panele flasin qeveritarë e politikanë me zero ndjeshmëri dhe përgjegjësi për ngjarjen? TikTok nuk vret njerëz, TikTok nuk ka për detyrë të edukojë shoqërinë. Por politikanët e këtij vendi, që prej 33 vjetësh veç shahen dhe ekspozojnë dhunën që nga parlamenti deri tek dera e shtëpisë, të paktën duhet të heshtin e të kërkojnë ndjesë për katandisjen e shoqërisë.
Dhe teksa ndjek vorbullën e madhe të reagimeve histerike, ku çdokush nxiton të flasë në TV dhe të shkruajë në Instagram, askush nuk pyet: Mos janë këto programet me “super audiencë” që reflektojnë sjelljen e adoleshentëve të sotëm? Mos janë këta që bërtasin më shumë për të dënuar vrasjen e një adoleshenti promovuesit e këtij sistemi antivlerash, ku programet televizive janë plot me çuna “problematikë” dhe vajza me jetë luksi, të sponsorizuara nga lekët e drogës dhe trafiqeve, një nga arsyet e rrënimit të vlerave?
Personalisht mendoj që po. Mendoj dhe vlerësoj se ngjarja e adoleshentit të vrarë në derën e shkollës meriton si fillim heshtjen dhe më pas, nëse mundemi, reflektimin. Për një shoqëri dhe për ca vlera të humbura gjatë rrugës e për të cilat ata që bërtasin sot më shumë janë përgjegjësit kryesorë. Pas disa ditësh, ne të gjithë do të harrojmë dhimbjen e familjes së Martinit. Por prindërit e tij nuk do ta harrojnë kurrë. Ndaj, në respekt të një tragjedie me gjurmë të përjetshme për prindërit e tij, bëjmë mirë ta respektojmë në heshtje dhimbjen e tyre dhe të reflektojmë sa të mundemi për të bërë diçka që ngjarja të mos përsëritet. Por për këtë, së paku, na kurseni histerinë televizive me “ekskluzivitetet” tuaja dhe mbani larg ekraneve qeveritarë, politikanë e VIP-a. Duhet të mësojmë të respektojmë dhimbjen që të jemi të aftë të nxjerrim mësime nga një tragjedi që nuk është larg portës së gjithkujt!