Ish kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka dalë nga periudha e gjatë e heshtjes dhe ka dhënë një intervistë të gjatë dhe pothuaj shteruese, për të përditshmen italiane, “Corriere della Sera”.
Gruaja e ‘hekurt’, drejtoi për 16 vite me radhë shtetin më të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe la një shenjë të fortë në politikën botërore.
Kishte një arsye për zhdukjen pothuajse totale të Angela Merkelit: për dy vjet ajo iu përkushtua shkrimit të kujtimeve të saj me Beate Baumann, gruan që ka qenë hija e saj në politikë që nga viti 1992. “Liria” titullohet libri, i cili del të martën në tridhjetë vende.
Në libër gjejmë kujtimet e saj, RDGJ-në, Putinin, Trumpin, Berlusconin, por është gjithashtu mbrojtja e saj, një përgjigje ndaj akuzave: dhe ajo duket se nuk është penduar.
Ajo drejtoi Gjermaninë për 16 vjet dhe duke u quajtur gruaja më e fuqishme në botë, por çfarë është pushteti për Angela Merkel?
‘Për mua, pushteti është mundësia për të formësuar diçka. Të kesh mazhorancë, të marrësh vendime që lënë gjurmë së bashku me njerëzit që kanë marrë mandatet e tyre. Ndërtimi i mazhorancave, bashkimi i tyre, gjetja e kompromiseve. Ky është pushteti.’, thotë Angela Merkel.
Më tej në rrëfimin e saj, Mekel thotë se Putini s’ka qenë kurrë mik i Evropës.
‘Unë i dija shumë mirë qëllimet e Presidentit Putin. I ka shprehur gjithmonë si publikisht ashtu edhe në biseda konfidenciale. E dija që nuk kishim të bënim me një mik të Europës. Pyetja ishte vetëm si të reagonim. Përgjigja ime nuk ishte që të mos kisha më asnjë marrëdhënie me Putinin, por përkundrazi të përpiqesha të parandaloja pushtimin e Ukrainës përmes bisedimeve, ndonjëherë me shumë polemika, në të cilat nuk përdora asnjëherë lojëra fjalësh. Ka funksionuar për një farë kohe me fillimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, situata ka ndryshuar rrënjësisht.’, shpeheht ish kancelarja.
Asnjë udhëheqës perëndimor nuk e ka njohur Vladimir Putinin më mirë se ajo . Ajo akuzohet se nuk dëshironte të shihte qëllimet e tij agresive, ndërkohë që injoroi provat se Putin donte të shkatërronte rendin evropian.
‘Gëzimi më i madh i jetës sime – fundi i Luftës së Ftohtë, rënia e Murit, ribashkimi gjerman dhe uniteti i Evropës – për Putinin, nga ana tjetër, lidhen me fatkeqësinë më të madhe të shekullit të 20-të, fundin e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, pikëpamjet tona ishin diametralisht të kundërta.
Putini po përpiqej ta bënte Rusinë sërish një fuqi të madhe. Por ai nuk mundi ta bënte atë në nivel ekonomik, përmes mirëqenies për të gjithë. Në vend të kësaj ai u përpoq me metodat e mësuara në shërbimin sekret, KGB, përmes forcës ushtarake dhe nacionalizmit rus. Kaq shumë nga shpresat që kishim në vitin 1990, se Rusia do të merrte gradualisht rrugën e demokratizimit, nuk janë realizuar.’, thekson ajo.
Ish kancelarja ka folur gjithashtu edhe për rrezikun e një ndarjeje të Evropës.
“Rreziku është gjithmonë aty. Varet nga ne, gjithçka është në duart tona. Sipas mendimit tim, pavarësisht pozicioneve të ndryshme fillestare, ka një shans të mirë që Evropa të gjejë një vijë të përbashkët për çështje të vështira”./ Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera