Situata e rënduar dhe rritja e frikshme e kriminalitetit në vend, ka sjellë reagime të ashpra edhe brenda mazhorancës.
Është deputeti i Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës, Gjetan Gjetani, i cili me anë të një statusi në Facebook, ka dënuar ashpër ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në zonën e Kurbinit, ku ai e ushtron funksionin e tij si deputet. Gjetani është shprehur se fajtori i vetëm i kësaj situate është Policia e Kurbinit, e cila sipas tij është një hallkë shtetërore shumë e paaftë dhe se tregon se në Kurbin oficerët dhe drejtuesit e policisë të emëruar aty janë tërësisht të paaftë, të korruptuar dhe ordinerë.
Gjetani ka paralajmëruar një interpelancë me ministrin Xhafaj dhe sipas tij, në rast se nuk do të merren masa konkrete për pastrimin total të Komisariatit të Kurbinit nga këto oficerë e drejtues të paaftë, ai i pari, duke kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve që ai përfaqëson në Parlament, do të ngrihen në protesta.
Sakaq një qytetar që reagon në postimin e deputetit të PS-së shprehet se një situatë e tillë është në çdo qytet të Shqipërisë.
Ja shenimi i plotë i deputetit të mazhorancës:
Ngjarjet e fundit të ndodhura në Kurbin më kanë shqetësuar shumë. Duke bërë që, në Kurbin të mos ndihemi të sigurt. Eksploziv, kërcënim me armë dhe vrasjen e dy të rinjve tregon që poliicia është hallkë shtetërore shumë e paaftë. Kjo tregon se në Kurbin kanë sjellë oficerë dhe drejtues policie të paaftë, të korruptuar dhe ordinerë. Si deputet I kësaj zone kam pasur ankesa të shumta nga qytetarët, të cilat do t’I bëj publike në Parlament. Brenda muajit shtator do kërkoj interpelancë me Ministrin e Brendshëm dhe në qoftë nuk do të marrë masa për pastrimin e komisariatit të policisë Kurbin, unë i pari do ngrihem në protestë, duke kërkuar mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kurbinit, pa marrë parasysh ngjyrat politike.