Tifozët e Manchester United kanë qenë shumë të gëzuar kur Alexis Sanchez ka nënshkruar kontratën me skuadrën e tyre. Por Marcos Rojo ka patur një reagim të ndryshëm, duke thënë: “Dreqi e mori”, kur ish-ylli i Arsenal u transformua nga rival në një shok skuadre. Mbrojtësi dhe kiliani kanë zhvilluar shumë beteja në fushën e lojës në nivel klubesh dhe me kombëtaret respektive dhe kjo gjë ka ndikuar te marrëdhënia e tyre. “Alexis është një lojtar i madh, por ne nuk shkonim shumë mirë në fushën e lojës”, ka thënë Rojo për “TycSports”. “Sa herë që përballeshim me njëri-tjetrin, me kombëtaret ose me klubet, unë nuk i kurseja goditjet ndaj tij dhe ai ndaj meje, por përveç kësaj, unë e ofendoja dhe ai bënte të njëjtën gjë”. Për shkak të kësaj historie, Rojo ka zbuluar se reagimi i tij nuk ka qenë aspak pozitiv kur ka mësuar se Sanchez do të bëhej shoku i tij i skuadrës. “Kur mësova se do të na bashkohej, thashë: ‘Dreqi e mori’, tani do ta kem këtu”, ka thënë argjentinasi. Gjithashtu, 27-vjeçari ka zbuluar këshillën që i ka dhënë Mourinho. “Ai më tha: ‘Do të marrim Alex. Nuk dua që ta marrësh me shqelma nesër në stërvitje’. Më pas filloi të qeshte”.