Zbulohet laboratori i tretë i drogës brenda 48 orëve

Shqipëria është kthyer në një laborator gjigant droge. Pa u mbushur 48 orë nga zbulimi i dy laboratorëve modernë të kultivimit të kanabisit, dje është zbuluar një tjetër në qytetin e Fierit. Bëhet e ditur se, laboratori i kanabisit është zbuluar pas hetimeve të Prokurorisë në një pallat të ri në lagjen “Kastriot” të Fierit. Burimet bënë të ditur se, dy katet e pallatit ishin kthyer në një serë për rritjen e kanabisit. Kanë qenë disa banorë të pallatit që kanë sinjalizuar Prokurorinë. Shtëpia ku ishte instaluar laboratori i drogës ishte në pronësi të një biznesmeni, ndërsa pas hetimeve të kryerera është zbuluar se faturat e energjisë shkonin deri në 3 milionë lekë të vjetra. Sipas burimeve, në banesën që ishte kthyer në magazinë droge janë gjetur mijëra rrënjë kanabisi të mbjella.
Burimet thanë se shtëpia tre katëshe është në pronësi të biznesmenit të njohur të gazit, Pirro Bare. Policia bëri të ditur se, Bare prej disa kohësh e kishte dhënë me qira banesën, dhe nga hetimet e deritanishme mësohet se, Bare nuk ishte në dijeni të aktivitetit kriminal që zhvillohej në shtëpinë tre katëshe.
Burime nga grupi hetimor thanë se do të jenë hetimet përfundimtare që do të përcaktojnë nëse biznesmeni i njohur është i përfshirë ose kishte dijeni për laboratorin e drogës, dhe më pas do të procedohet më tej sipas ligjit.
Pirro Bare nuk është një emër i padëgjuar më parë ku përveç se është një ndër biznesmenët më të njohur në Shqipëri, tre vite më parë një vrasës me pagesë ishte paguar për vrasjen e tij. Ngjarja në fjalë, u zbulua pas arrestimit të vrasësit me pagesë, Ilir Sinanaj, i cili dëshmoi se ndaj Bares, biznesmeni Ilir Karçini kishte paguar një shumë të madhe parash për ekzekutimin e tij. Për këtë ngjarje, Ilir Karçini u prangos, ndërsa dy vite më vonë u la i lirë.
Pas zbulimitm të laboratorit kanë përfunduar në pranga 10 persona, dy prej të cilëve janë punonjës të OSHEE-së. Gjatë një konference për mediat, drejtori i Policisë së Fierit, Neritan Nallbati ka bërë të ditur se përveç personave të arrestuar janë sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme kanabisi. Si rezultat u bë e mundur kapja në flagrancë e 8 personave, 6 burra dhe 2 gra, të cilët gjendeshin në ambientet e banesës tre katëshe në pronësi të shtetasit Piro Bare në lagjen “Kastriot”, ku në katin e dytë dhe të tretë të saj ishin duke kultivuar bimë narkotike.
Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve procedurale u bë ndalimi i Alesio Hajderaj, me detyrë lexues i matësit të energjisë elektrike në ndërmarrjen OSHEE, Fier përgjegjës për lagjen, Kastriot. Ylli Kostandini me detyrë përgjegjës grupi elektricistësh në ndërmarrjen OSHEE Fier. Këta persona u ndaluan për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Zyrtarë të administratës në kultivimin e kanabisit

Ky është laboratori i tretë modern për kultivimin e kanabisit që zbulohet nga Prokuroria, ndërsa kanë përfunduar në pranga edhe disa zyrtarë të administratës. Para tre ditësh u zbulua një laborator droge në Skrapar, ndërsa të premten u zbulua një laborator në Shkozë të Tiranës. Pas arrestimit të 5 personave të premten, mes tyre edhe një punonjës i OSHEE, dje Policia e Tiranës ka arrestuar edhe 5 të tjerë, mes të cilëve edhe një faturist i Ujësjellës Kanalizimeve. Ndërsa dy prej të arrestuarve të tjerë, punonin si dhe roje private. Laboratori i kultivimit dhe përpunimit të kanabisit u zbulua në zonën e Shkozës. Ambienti i mbyllur në brendësi të tuneleve në ish-Uzinën e Autotraktorëve, ishte përshtatur për kultivimin e drogës. Këto ambiente ishin në pronësi të Hazbi Parllaku, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal, e kamuflonte si aktivitetet i prodhimit të plastikës.
Dy faturistët mësohet se kishin bërë të mundur lidhjen e energjisë së tensionit të lartë trefazor, si dhe lidhjen e rrjetit të ujësjellësit në mënyrë të paligjshme dhe matës. Ndërsa punjonjësit e kompanie private të sigurisë fizike kanë pasur detyrë të ruajnë objektet, ku përpunohej kanabisi, por nuk kanë kallëzuar aktivitetin e paligjshëm. Në pranga u vunë më herët edhe pronarët e një servisi, nga ku është kryer lidhja e paligjshme e energjisë dhe e ujit. Gjatë marrjes në pyetje asnjë prej personave të arrestuar nuk ka pranuar të japë shpjegime, në lidhje me aktivitetin. Ata kanë pretenduar se nuk dinin gjë, apo se do të flisnin për hetimin në një moment të mëvonshëm.
Gjatë operacionit në fjalë janë sekuestruar gjithashtu, 46.45 kilogramë kanabis e paketuar në qese plastike,1375 kubikë kanabis, 205 rrënjë bimë narkotike, 78 llamba fosforeshente, që shërbenin për kultivimin e bimëve, 7 celularë të markave të ndryshme, si dhe pajisje të ndryshme që shërbenin për funksionimin e këtij laboratori (pompë uji, depozitë uji pajisje eletrike, pleh kimik etj).

R.POLISI

Exit mobile version