Zbulohet laboratori me 3 ton drogë i zyrtarëve të policisë

Një laborator droge u zbulua në Mat dhe u sekuestrua një sasi tepër e madhe lënde narkotike. Plot 3 ton e 132 kg kanabis i tharë gati për t’u shitur u zbulua në fshatin Rremull të Matit, pas një hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, punishtja e drogës u zbulua nga përgjime të Shërbimit Informativ të Shtetit pas indicieve që kishin marrë, të cilët më pas njoftuan Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Magazina përdorej për të fshehur dhe përgatitur lëndën narkotike.
Pronarët e tokave ku ishin kultivuar parcelat e kanabisit i përkasin punonjësve të policisë, punonjësve të administratës vendore dhe të administratës gjyqësore. Këta pronarë i kishin dhënë me qira tokat kultivuesve dhe trafikantëve të drogës, ndërkohë që këta të fundit nuk janë arrestuar, por janë shpallur në kërkim, njësoj si në aksionet e tjera të policisë. Pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, operacioni policor u zhvillua ditën e martë, ku edhe u kapën 3 tonë kanabis në laboratorin e përgatitur enkas për grumbullimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.
Superaksioni ku morën pjesë dhe forca speciale nga Tirana u zhvillua të mërkurën, ku u zbulua dhe magazina ku fshihej dhe paketohej droga, ndërkohë që policia bëri të ditur se, operacioni u zhvillua të enjten. Bëhet e ditur se, zyrtarët e policisë të përfshirë në këtë skandal janë lënë të lirë nga policia.

Hetimet

Zbulohen të tjera detaje nga parcelat dhe punishtja e kanabisit që u gjet në fshatin Rremull të Matit. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se, pronarët e parcelave me drogë të mbi 3 tonë marijuane të gjetur brenda banesës, janë zyrtarë të policisë, administratës gjyqësore dhe pushtetit lokal në Mat. Ata i kanë dhënë me qera tokat për kultivimin e lëndës narkotike.
Parcelat me drogë janë evidentuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), i cili pak kohë më parë, siç ka raportuar edhe Lapsi.al, ka informuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi hartën e kanabisit në Shqipëri dhe kultivuesit apo zyrtarët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Bëhet e ditur se, hetuesit kanë zhvilluar 5 muaj hetime dhe përgjime për të zbuluar këtë aktivitetet kriminal, për të identifikuar trafikantët kultivues dhe pronarët e tokave ku është mbjellë kanabisi. Të gjithë janë të identifikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, policia u njoftua ditët e fundit para se të kryhej aksioni antidrogë, për shkak se punonjës policie rezulton që të jenë pronarët e tokave që trafikantët kanë marrë me qira.
Zbulimi i parcelave është bërë një ditë më parë, jo sot sikundër njofton policia. Në kërkim aktualisht është shpallur vetëm pronari i shtëpisë, shtetasi SH.L, ndërsa vijon puna për identifikimin e kultivuesve.
Burimet thonë se për momentin, dosja po hetohet nga Prokuroria e Matit, e cila ra në gjurmë të këtyre parcelave gjatë hetimit të një dosje tjetër. Por pritet që kjo çështje t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet për një grup të strukturuar kriminal shumë të fuqishëm në zonë.

Policia kundër Prokurorisë

Pas operacionit në Mat ku u zbulua një punishte kanabisi me mbi 3 ton drogë dhe mijëra rrënjë, ka reaguar zyrtarisht policia përmes një deklarate për shtyp. Ndonëse burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thonë se, parcelat janë zbuluar nga hetimet që po kryente organi i akuzës, pas informacioneve të siguruara nga SHISH, policia kujdeset të thotë në komunikatë se ky operacion është zhvilluar “tërësisht në informacionin policor të marrë në rrugë operative”.
Po kështu, sqarohet se nuk ka punonjës policie të dyshuar si të lidhur me këtë rast. Ndërkohë, burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se, dyshohet për një grup të strukturuar kriminal që qëndronte pas këtij aktiviteti. Pronarët e drogës janë zyrtarë të policisë, administratës gjyqësore dhe pushtetit lokal.
Policia bën të ditur se është duke djegur 3 tonët e kanabisit në fshatin Rremull të Matit. Dhjetëra policë janë angazhuar për djegien e sasisë gjigante të drogës pranë punishtes që bënte tharjen e kanabisit. Fotot u shpërndanë nga Policia e Shtetit.

R.POLISI

Exit mobile version