Zgjedhje të lira me qeveri të qytetarëve

Pas revoltës popullore në Rumani, e cila çoi në tërheqjen nga ana e qeverisjes së majtë të dekretit që do të dekriminalizonte veprimet korruptive të zyrtarëve, tani është radha e shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi dje protestën e 18 shkurtit si nisjen e një procesi të pakthyeshëm të revoltës popullore kundër qeverisë.
Basha zhvilloi dje një takim me të rinjtë e degës dy lidhur me protestën e 18 shkurtit. Duke e cilësuar rininë si forcën shtytëse të çdo ndryshimi të madh, kreu i PD, Basha tha se: “Njerëzit kanë nevojë të zgjohen dhe të marrin fatin e vet në dorë”.
“Ku ngrihen qytetarët, ku ngrihet rinia nuk ka qeveri të korruptuar e të inkriminuar t’ju bëjë ballë. E pamë në Rumani, tani është radha e shqiptarëve të ngrihen kundër papunësisë, kundër shëndetësisë së kolapsuar, kundër arsimit në ditën më të zezë, kundër diskriminimit të rinisë që i është lënë emigracioni si rruga e vetme.
Rinia është e persekutuara kryesore e këtyre katër viteve. Sepse këtu është ngritur një sistem antivlerash, ku krimi dhe krimineli bëjnë përpara, bëhen deputetë, bëhen kryetarë bashkish, bëjnë para e katandi, ndërsa rinia, intelektualët, të mençurit detyrohen të shkojnë në emigracion. Kjo duhet të marrë fund, këtë e kanë në dorë qytetarët, e ka në dorë rinia”, u shpreh kreu i PD, Basha.
Kreu i PD i bëri thirrje të rinjve e gjithë shqiptarëve t’i bashkohen protestës për t’i kthyer popullit qeverisjen.
“Ndaj më 18 shkurt ngrihemi të gjithë bashkë për të marrë fatet në dorë, për të diktuar me pushtetin e qytetarëve zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe përmes tyre për të diktuar që pushteti t’iu kthehet njëherë e mirë qytetarëve.
Rinia e Tiranës është gati. I bëj thirrje të rinjve dhe të rejave kudo t’i bashkohen përpjekjes tonë të madhe qytetare, e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim. Fatin e qytetarëve në duart e qytetarëve. Të kthejmë pushtetin te qytetarët dhe të nisim ndryshimin. Të jetë edhe Shqipëria pjesë e erës së ndryshimit që ka përfshirë të gjithë shoqërinë e civilizuar në Europë, në Amerikë dhe në mbarë botën”, tha Basha. I pyetur nga mediat në lidhje me reformën zgjedhore dhe uljen në një tryezë me Ramën pas deklaratave të këtij të fundit, Basha tha se kryeministri nuk kërkon marrëveshje për reformën zgjedhjore, por vjedhje të zgjedhjeve.

– Z. Basha, a jeni i gatshëm të uleni në tryezë me Kryeministrin Rama, nisur nga deklarata e dy ditëve më parë të eurodeputetit Kukan, i cili kërkoi që palët të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje për reformën zgjedhore?
Kasta e korruptuar dhe e inkriminuar nuk do marrëveshje për të mirë të shqiptarëve, por do Shqipërinë këtu ku është, kështu siç është: ta vjedhin, ta gjobisin, ta dënojnë, ta tallin, ta ndëshkojnë, ta nëpërkëmbim. Kasta e korruptuar politike në pushtet dhe çdo pseudoopozitar i lodhur do ta marrin përgjigjen nga qytetarët e bashkuar, duke nisur më 18 shkurt në Tiranë e duke u shtrirë në mbarë Shqipërinë. Ky është fillimi i një lëvizjeje për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë fatet e këtij vendi, duke i dhënë fund një republike të korruptuar e të falimentuar, duke ndërtuar së bashku pushtet me qytetarët dhe për qytetarët.

– Z. Basha, keni një koment për projektin 1 miliard euro investime të lançuar nga Kryeministri Rama?
Gënjeshtrat për të justifikuar mosmbajtjen e premtimeve nuk ka njeri t’iu besoj më. Askush nuk i zë besë një kryeministri që premtoi 300 mijë vende pune dhe sot jo vetëm që nuk ka hapur një vend të vetëm pune, por ka larguar me mijëra shqiptarë drejt emigracionit. Për shkak sepse e ka futur ekonominë në kolaps, në vjedhje, në korrupsion dhe me lidhje me krimin.
Prandaj më 18 shkurt nuk ka rrugë tjetër përveçse të ngrihemi bashkë, nën shembullin e kombeve të civilizuara të tregojmë të gjithë si shqiptarë se jemi gati të marrim fatin në duart tona.
Më 18 shkurt nis një proces i pakthyeshëm, një lëvizje mbarëpopullore për t’i dhënë fund kastës së korruptuar, për të çliruar Shqipërinë që sot është peng i kësaj kaste. Për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes tyre një qeveri të qytetarëve.

Exit mobile version