Zgjedhjet/ Karabina: Demokratët Euroatlantikë s’do bëjnë koalicion me Berishën, jo aleancë me ‘non grata’! Rama i dha vulën që ta ketë përballë, Trump ftoi vetëm Bashën

Mirela Karabina, zëdhënësja e grupimit DA flet për aleancat para dhe paszgjedhore. Kreun e grupimit, Lulzim Basha, e sheh si alternativë për vijimin e luftës antikorrupsion dhe mbështetjes ndaj drejtësisë. Koalicion dhe bashkëpunim me forca që s’janë kundër aleatëve strategjikë të Shqipëris

Demokratët Euroatlantikë nuk do të bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha nëse do i duhen votat e kësaj aleance politike pas zgjedhjeve të 11 Majit.

Kështu u shpreh nga studio e emisionit “Sot, Live në Shqipëri” në Report TV, Mirela Karabina, zëdhënësja e grupimit të ri politik të drejtuar nga Lulzim Basha dhe që janë ende në proces gjyqësor rekursi për vulën e PD-së.

E ftuar nga moderatori Nertil Agalliu, ajo u shpreh se pikërisht për shkakun se Rama kërkon të ketë përballë Berishën në zgjedhje, që ta ketë më të lehtë edhe fitoren e zgjedhjeve, “iu dha vula e partisë Berishës”.

Karabina theksoi se janë të hapur për bashkëpunim me alternativa që e duan vendin, që janë kundër korrupsionit dhe që nuk janë në një linjë me aleatët strategjikë të Shqipërisë, që mbështesin dhe nuk e sulmojnë drejtësinë e re.

“Shqiptarët duan alternativë njerëz të pakorruptuar. Të hapur për bashkëpunim me ata që duan vendin. Rama ia ktheu vulën Berishës, e do përballë atë në zgjedhje”, tha ajo.

E pyetur se edhe Basha ka qenë në drejtim të institucioneve në qeverisjen e PD, Karabina nënvizoi, duke bërë thirrje që shqiptarët të votonin alternativën e formacionit të tyre politik, Aleanca Euroatlantike:

“Nëse Basha do kishte bërë abuzime, Rama do ia kishte nxjerrë në 12 vjet në qeveri. Shqiptarët duan alternativa. Basha ka qenë i suksesshëm, heqja e vizave, Rruga e Kombit, ministër i Brendshëm, Bashkia e Tiranës. Basha është alternativë”.

Në lidhje me përçarjet në PD, Karabina pohoi se PD po zvogëlohet çdo ditë e më shumë si produkt i rrugës që ndoqi.

“PD erdhi duke u zvogëluar sepse s’iu përmbajt boshtit të saj. Basha do e kthejë PD-në në kohët e vitit 1992”, tha ajo.

Por mohoi kategorikisht një koalicion me Berishën pas zgjedhjeve.

“Koalicion me Berishën në PD nuk do bëjmë, absolutisht. Ne kërkojmë dhe mirëpresim partnerë me aleatët strategjikë, që duan luftë ndaj korrupsionit, drejtësi dhe zhvillim të vendit. Nuk mund të bëjmë koalicion me njerëz që janë ‘non grata’ nga aleatët tanë strategjikë apo nën akuzë për korrupsion”, vijon zëdhënësja e DA.

Në fund foli edhe për ftesën që Basha pati për ceremoninë e betimit të presidentit Donald Trump, i vetmi nga Shqipëria.

“Basha po zhvillon takime ndërkombëtare, ka qenë i vetmi i ftuar në ceremoninë e Trump, tur dyditor në SHBA me takime. Basha nuk shkon për foto atje dhe as i publikon ato. Reforma në drejtësi do jetë e mbështetur nga ata edhe në vijim. Populli nuk është budalla, por i mençur, të gjithë vuajmë tranzicionin e gjatë, 34 vite, nuk arrijmë të ndërtojmë shtet as në arsim, as në shëndetësi dhe kudo”, nënvizoi.

Dhe në fund Karabina i bën një thirrje elektoratit, brenda dhe jashtë vendit, e veçanërisht Diasporës:

“Votën t’ia japin Demokratëve Euroatlantikë. Në Diasporë po shkojnë ata që i larguan shqiptarët jashtë vendit. Po të kishin bërë më mirë gjërat këtu, gjërat do ishin ndryshe. Besoj se shqiptarët do votojnë njerëzit që duan ndryshimin, që punojnë për ta. Ata do votojnë Demokratët Euroatlantikë”, përfundoi zëdhënësja e grupimit politik.

Exit mobile version