Anëtari i KQZ-së, Klement Zguri deklaron se afati për regjistrim në zgjedhje nuk mund të ndryshohet. Sipas Zgurit, PS dhe LSI nuk janë të autorizuara për të bërë një kërkesë të tillë dhe nga ana tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhor nuk ka asnjë tagër ligjor për të shqyrtuar këtë kërkesë, e jo më për ta aprovuar atë. “Kërkesa e dy partive nuk është legjitime. Kërkuesit nuk kanë autorizim për këtë kërkesë. Përmbajtja e saj prek zgjedhjet, i prish ato”, tha ai. “KQZ nuk mund të shtyjë afatin e regjistrimit, duke shtuar se kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka një marrëveshje politike”, u shpreh ai. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë ditën e sotme në orën 13:00 kërkesën e PS dhe të LSI për shtyrje të datës së regjistrimit të koalicioneve. Në mbledhjen e KQZ do të shqyrtohet përmbajtja e fletës së votimit për kandidatët për kryetar të Bashkisë së Kavajës. Kërkesa e PS-LSI është e paprecedentë dhe shënon një hap të parë drejt delegjitimimit të procesit zgjedhor. Nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë KQZ-ja për këtë akt të dy partive të koalicionit qeveritar. Po kështu KQZ pritet të miratojë përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për kryetar bashkie në Kavajë për zgjedhjet e pjesshme të 7 majit, zgjedhje në të cilat PD dhe LSI nuk do të marrin pjesë.