Zhduken 23 tonë kanabis që u gjetën në Vlorë në aksionin e organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha dje se, ka patur një lapsus, pasi nuk janë sekuestruar 23 tonë kanabis, por 23 kilogram. “Komunikata e policisë ka pasur një lapsus, në përdorimin e presjes dhjetore dhe në njësinë matëse kilogram dhe gram”. Kjo është deklarata e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në lidhje me lajmin e sekuestrimit dhe asgjësimit të 23 tonëve hashash në fshatrat Treblovë, Vezhdanisht dhe Vranisht të luginës së lumit Vlorë. Dyshohet se droga e sekuestruar gjatë operacionit të Prokurorisë po fshihet për t’u trafikuar.
ABC News ka arritur të sigurojë, komunikatën e brendshme të Policisë së Shtetit, në të cilën janë renditur informacionet e klasifikuara të operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia në këtë zonë më datë 4 tetor të këtij viti. Kjo komunikatë, vazhdon të jetë e klasifikuar edhe pse ministri pati premtuar se nuk do të ketë prej Policisë së Shtetit informacione të klasifikuar për media. Komunika jep detaje dhe veprimet e policisë.
Më datë 04.10.2016, ora 23:30, në fshatin Vranisht, në 3 parcela, janë gjetur të mbjella dhe u asgjësuan 3250 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, 900 bimë narkotike në proces tharje në dy kapanone, 16.009 kg me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa dhe 1 armë zjarri AK- 47 model 56.
Më datë 04.10.2016, ora 23:30, në fshatin Treblovë, në 3 parcela, u gjetën të mbjella dhe u asgjësuan 1220 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, 820 bimë narkotike të llojit kanabis sativa në proces tharje në 4 kapanone dhe 7.002 kg, 1 automatik AK-47, 1 pushkë model 56 dhe një sasi fishekësh.
Në përshkrimet e komunikatës ditore të Policisë së Shtetit, në asnjë rast nuk flitet për gram, por për kilogram kanabis të sekuestruar. Nga përllogaritja e kësaj shifre, të fiksuar në komunikatë rezulton se veç bimëve të kanabist në proçes tharje dhe të mbjella, janë sekuestruar edhe 23 ton hashash.
Edhe sikur të merret e mirëqenë fakti se janë ngatërruar presjet dhjetore, sipas deklaratës së Çakos, ato mund të ngatërrohen në ndonjë nga këto paragrafët, por jo në të gjithë përshkrimet e operacionit të Policisë. Dyshime ngrihen se me çfarë peshore, Policia e Shtetit i ka peshuar këto sasi të bllokuara në një zonë malore, ku për të arritur atje duhet të ecet rreth 2 orë në këmbë.
Veç të tjerash, ABC News ka arritur të sigurojë foto të kapanonëve të kanabisit, në mesin e të cilave janë edhe thasët e mbushur me hashash. Referuar deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nëse janë ngatërruar presjet dhjetore në këto komunikata, lind pyetja se sa mund të peshojnë vetëm këto dy thasë?!
Pavarësisht këtyre fotove dhe detajeve të tjera të dosjes, lind pyetja që pse Policia e Shtetit në njoftimin e saj dërguar mediave me datë 5 tetor nuk ka përshkruar asnjë kilogram apo gram kanabis të tharë të sekuestruar? Që për drejtorin Çako nuk janë 23 tonë, por 23 kg. Krahasuar edhe me njoftimet e tjera të policisë që shpërndahen çdo ditë për mediat, Zyra e Shtypit e Policisë së Shtetit tregohet aq e kujdesshme sa të njoftojë edhe për bllokimin e sasirave minimale të lëndëve narkotike.
Policia njoftoi të mërkurën se, u sekuestruan 10 tonë kanabis sativa në luginën midis tre fshatrave Vezhdanisht, Treblovë dhe Vranisht të Vlorës, ndërsa burime nga Prokuroria bënë të ditur një ditë më pas se, gjatë operacionit janë sekuestruar 23 tonë kanabis sativa. Sipas burimeve të Prokurorisë, deri më tani janë sekuestruar 23 tonë kanabis i tharë, 3700 bimë në proces tharje dhe 5700 rrënjë të mbjella, të cilat janë asgjësuar. Operacioni i sekuestrimit të drogës u organizua nga Prokuroria për Krime të Rënda pas raportit të SHISH, pasi Drejtoria e Policisë së Vlorës hezitoi për shkak se në kultivimin e kanabisit ishin përfshirë zyrtarë të lartë policie. Burimet nga grupi hetimor sqarojnë se, operacioni që u zhvillua në Vlorë mbrëmjen e 4 tetorit, u zhvillua pas përgjimeve të SHISH dhe u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilët nuk lajmëruan Policinë e Vlorës, por u nisën drejt vendngjarjes me forcat e FNSH-së nga Tirana.
Oficeri i Policisë, pronar i dy parcelave me drogë
Efektivi i Policisë në Vlorë, i shpallur në kërkim, ishte pronar i dy parcelave me hashash. Por, skandali thellohet akoma më shumë, pasi Renaldo Avduli, oficeri i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, është njoftuar për arrestimin nga kolegët e tij dhe është fshehur. Burime nga Policia e Vlorës bënë të ditur se, Shkëlqim Koçiaj dhe Taulant Haxhiraj, për t’u kujdesur për parcelat e mbjella me kanabis kishin punësuar disa persona. Ndërkohë, gjatë operacionit për asgjësimin e kanabisit u arrestuan disa punëtorë që merreshin me parcelat.
Të njëjtat burime pohuan se Avduli dhe dy bashkëpunëtorët e tij, kontrollonin veprimtarinë kriminale përmes fotove që u dërgonin punëtorët e kanabisit. Tashmë, Avduli është shpallur në kërkim, ndërsa ndaj tij është caktuar në mungesë edhe masa e sigurisë ‘Arrest me burg’.
Operacioni u organizua nga Krimet e Rënda ndërsa Policia e Vlorës nuk ka bashkëpunuar me Prokurorinë. Sipas burimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk e ka njoftuar fare Policinë e Vlorës për operacionin, pasi ata i kanë kthyer përgjigje se në zonën ku është kërkuar të ndërhyhet nuk ka kanabis sativa. Operacioni është organizuar në Tiranë dhe me Policinë e FNSH të Tiranës dhe Fierit dhe asnjë nga Vlora.
Prokuroria: Të arrestuarit e drogës në Vlorë kishin lidhje me policinë
Prokuroria për Krime të Rënda zbardh rolet e të arrestuarve në zonën e Vlorës, ku u gjetën dhe sekuestruan 23 tonë hashash dhe rreth 10 mijë rrënjë kanabis. Sipas akuzës, të arrestuarit Shkëlqim Koçiaj, Taulant Haxhiraj dhe Arjan Hasani, janë personat që kanë marrë përsipër gjetjen e truallit, punëtorëve, ngritjen e infrastrukturës në zona të thella dhe më pas mbjelljen, kujdesin dhe më pas prerjen e tharjen e kanabis sativës në zonën e tre fshatrave të lumit të Vlorës. Burimet thonë se Koçiaj, Haxhiraj dhe Hasani, përveç se kanë mbjellë kanabis në zona të caktuara të fshatrave Vezhdanisht, Treblovë, Vranisht dhe Sevaster, mbanin kontakte të vazhdueshme me oficerin e shpallur në kërkim, Eraldo Avduli. Për çdo problem në parcelat e hashashit, tre të dyshuarit njoftonin Avdulin, i cili kishte marrë përsipër veç mosndërhyrjen e policisë në parcelat e tyre, por edhe financimin për ngritjen e këtyre parcelave të mëdha dhe kapanoneve për tharjen e hashashit.
Nga hetimet paraprake, thuhet në dosjen e Prokurorisë, dyshohet se efektivi Avduli ka lidhje me persona të tjerë, të njohur në zonën e Vlorës për kultivimin dhe tregimin e drogave të forta. Ç’ka kanë lindur dyshimet se, Avduli është bashkëortak në biznesin e kultivimit të hashashit në zonën e fshatrave Vezhdanisht, Treblovë dhe Vranisht. Sipas akuzës, po punohet për të zbardhur me detaje të gjithë rolet e këtij grupi të strukturuar kriminal, të cilët veç kultivimit merret edhe me trafikimin e drogave drejt Greqisë e Italisë me mjete lundruese. Ndërkohë të arrestuarit e tjerë të kësaj dosje, Xhovalin Baco dhe Klajdi Imeri merreshin me transportin e punëtorëve në parcelat e hashashit, ndërsa 60-vjeçari Albert Aliaj ishte punëtor si shumë të tjerë që punonin në parcela kundrejt 2000 lekëve ditën.
Bëhet e ditur se, hetimi i kësaj dosje, ka nisur në korrik të këtij viti, pas dorëzimit në Prokurori të raportit voluminoz nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Raport ku identifikohen zona të caktuara të kultivimit me hashash dhe implikimi i zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit dhe punonjës të administratës publike në këtë veprimtari kriminale. Sipas materialeve të SHISH që kanë mjaftuar për prokurorin të nis hetimet, thuhet se gjatë muajit prill-maj të këtij viti në kuadër të grupit të strukturuar kriminal disa individë, emrat e të cilëve tashmë janë bërë publike dhe disa të tjerë që po vazhdojnë hetimet, kanë siguruar sipërfaqe toke, pyll, kullota e tokë në pronësi shtet e privat si dhe kanë marrë toka me qira për kultivimin e kanabisit. Duke armatosur edhe individë të ndryshëm për ruajtjen e tyre, deri në momentin e ndërhyrjes nga Prokuroria dhe Policia e dërguar nga Tirana.
Kapet në Vlorë një gomone italiane, do të merrte drogë
Një gomone italiane është kapur në brigjet e Vlorës nga Policia Kufitare me të cilën udhëtonin dy shtetas italianë. Gomonia u kap në Dhërmi dhe dyshohet se ishte përgatitur për transportim të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Mjeti lundrues pësoi defekt teknik, ndërsa dy italianët deklaruan në polici se janë nisur nga Greqia për të udhëtuar në Itali, por motori i tyre pësoi defekt.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se, dy italianët rezulton të jenë të dënuar për trafik droge. G.M 49 vjeç dhe M.Ch 40 vjeç e kishin të ndaluar të dilnin jashtë shtetit. Dy shtetasit italianë janë persona me precedent kriminal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike. Këta shtetas janë pajisur me Vendim të Gjykatës Italiane për të mos dalë nga shteti i tyre. Dy italianët janë shoqëruar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe më pas janë marrë nga Policia Kufitare me qëllim kryerjen e veprimeve për t’u proceduar për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve”.
Italianët u pikasën nga roja bregdetare teksa lundronin me një gomone 8 metra të gjatë. Policia nuk gjeti lëndë narkotike në mjetin lundrues, por dyshohet se ata kishin mbërritur në brigjet e Vlorës për të ngarkuar kanabis, ndonëse justifikimi i tyre ishte se patën defekt në motor.
Një i vrarë në Shëngjergj të Tiranës, dyshohet për kanabis
Një 36-vjeçar është gjetur i vrarë dje në fshatin Kollogjesh të Shëngjergjit. Bëhet e ditur se, viktima me iniciale B. P., 36 vjeç, banues në Shkozë, është gjetur i vrarë në një stan. Pranë trupit të viktimës është gjetur edhe një armë zjarri pistoletë. Ishte një telefonatë që njoftoi forcat e policisë për trupin e viktimës. Sipas burimeve të policisë, paraprakisht dyshohet se, personi mund të jetë vrarë. Hidhen dyshime se 36-vjeçari mund të jetë vrarë për larje hesapesh për kanabisin.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se dyshohet për vetëvrasje, por po hetohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. “Në sallën operative, tek numri i emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë se, në fshatin Kollogjesh, Komuna Shëngjergj, në një stan, është gjetur i vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasi B. P., 36 vjeç, banues në Shkozë. Në afërsi të trupit është gjetur dhe një armë zjarri. Forca të shumta policore dhe ekspertë kriminalistë kanë shkuar në vendngjarje. Paraprakisht dyshohet të jetë vetë vrasje. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
R.POLISI