Situatë dramatike nga zjarret në Martanesh. Flakët e zjarrit në fshatin Lenë kanë djegur disa banesa dhe kasolle bagëtish dhe po rrezikojnë edhe banesat e tjera. Banorët e alarmuar u shprehën se, flakët i janë afruar shumë pranë banesave në lagjen ‘Ndërfushas’ dhe kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të dërguar helikopterë. Një nga banorët e zonës tha se, janë në rrezik 30 familje, pasi flakët e zjarrit po u afrohen banesave dhe për momentin nuk ka ndërhyrje.
“Gjendja është kritike dhe ne jemi në rrezik. Helikopteri ishte në mëngjes dhe për momentin nuk ka ndërhyrje. Ne jemi afër shtëpisë për të mbrojtur mallin. Jemi rreth 200 metra larg nga zjarri. Jemi rreth 30 familje që jemi në rrezik. Ne e ndjejmë rrezikun nga çasti në çast. Po u rrezikuam do lemë banesat”, tha banori.
Për shkak të terrenit të vështirë, forcat e zjarrfikëses e kanë të pamundur të mbajnë nën kontroll flakët. Gjatë ditës së enjte, zjarri i madh ka detyruar forcat e shpëtimit të evakuojnë 6 familje që banojnë në shtëpitë përreth. Të enjten u lajmërua se 6 familje u evakuuan nga banesat e tyre, pasi rrezikoheshin të përfshiheshin nga flakët. Ndërkohë do të evakuoheshin edhe 4 familje të tjera.
Edhe pse situata po shkon drejt katastrofës, qeveria nuk ka dërguar asnjë helikopter për shuarjen e flakëve.
Banorët: Lutemi të bjerë shi
Martaneshi është përfshirë nga flakët e zjarreve që prej dy ditësh dhe askush nuk ka shkuar në ndihmë të banorëve. Këtë ka deklaruar edhe një prej banorëve që i ka nisur ish-kryeministrit Berisha një mesazh duke e shoqëruar edhe me video.
“Martaneshi në zjarr e flakë! Qytetari dixhital denoncon rrezikun e 10 familjeve nga zjarri dhe mungesën e ndihmës nga qeveria! Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e tij”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha, doja që të bëni publike këtë video çfarë po ndodh aktualisht në këtë moment në fshatin Lenë Martanesh që janë të rrezikura 10 familje askush nuk të vjen për fikjen e zjarrit populli në mëshirën e fatit, fshatarët luten Zotit për shi se ndihmë tjetër nuk ka….”, shkruan qytetari.
Zjarr në Gjirokastër, rrezikohen disa banesa
Situatë mjaft e rëndë edhe në Gjirokastër si pasojë e zjarreve që kanë rënë prej disa ditësh. Ditën e djeshme ka shpërthyer një vatër tjetër zjarri në Stegopul të Gjirokastrës. Flakët kanë përpirë kullota e pyje dhe zjarri po u afrohet banesave. Drejtori i PMNZSH-së apelon për ndërhyrje nga ajri, pasi rrezikohen disa banesa. Edhe në këtë rast nuk është marrë asnjë masë nga qeveria për shuarjen e zjarreve.
Zjarri në Këlcyrë bllokon rrugën nacionale
Një zjarr që ka përfshirë pemët në faqen e malit pranë rrugës së Këlcyrës dje pasdite ka bllokuar trafikun. Zjarri ka shkaktuar rënie gurësh dhe për këtë arsye është bllokuar aksi rrugor. Për fat deri tani nuk ka patur dëme në njerëz, por situata sa vjen dhe përkeqësohet.
Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar në të gjithë vendin, ndërsa zjarrfikëset nuk arrijnë të përballojnë flakët. Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në pyllin e Frakullës në Fier. Si pasojë rrezikohen disa hapësira të mëdha me pisha. Zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore për të neutralizuar zjarrin. Po ashtu, një vatër zjarri është riaktivizuar ditën e djeshme në pyllin e mbrojtur të fshatit Karmë, Vau-Dejës. Flakët kanë përpirë dhjetëra hektarë me pisha dhe po përparojnë si pasojë e erës. Dy vatra mbeten ende aktive. Ato po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat pyjore, por është e pamundur të fiken.
Situata e vështirë e kësaj vere me zjarret që veç zjarrvënies së qëllimshme për hapjen e kullotave të reja, janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe thatësira, ka vendosur në provë shërbimin zjarrfikës dhe ato të pyjores.
Zjarret vazhdojnë të djegin Shqipërinë, 7 vatra të reja
7 vatra të reja zjarri janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin. Emergjencat Civile bënë të ditur se, po vazhdojnë operacionet për shuarjen e zjarreve, por banorët shprehen se situarta është shumë e vështirë pasi flakët po u afrohen banesave.
QARKU SHKODËR
Vatra zjarrit në fshatin Karmë të Vaut të Dejës ka prekur edhe pyjet në Bashkinë e Pukës. Forcat e zjarrfikësve të Shkodrës kanë ndërhyrë, por për shkak të terrenit të thyer nuk kanë mundur të shuajnë flakët. Për këtë është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të një helikopteri.
Në orët e pasdites për shkak të erës së fortë dhe ndryshimit të drejtimit të saj, zjarri ka kaluar në fshatin Karmë, të Pukës. Shërbimi zjarrfikës të mbështetur nga forcat vullnetare kanë ndërhyrë për të izoluar flakët. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, kullotë dhe disa lisa. Vatrat e zjarrit po monitorohen edhe ditën e sotme.
QARKU DIBËR
Në fshatin Muhurr Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur të shuajë flakët, për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter, i cili ka bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Në fshatin Lenë, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në orët e mbrëmjes është kryer dhe evakuimi i disa banorëve për arsye sigurie, pasi vatrat e zjarrit ndodheshin pranë banesave. Në orët e para të mëngjesit një helikopter ka ndërhyrë për të shuar vatrat e zjarrit.
QARKU LEZHË
Në fshatin Skuraj Kurbin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 20 forca ushtarake për të shuar flakët. Sot në mëngjes, vatrat e zjarrit janë riaktivizuar.
QARKU FIER
Në fshatin Kreshpan, Fier, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarrfikëset të mbështetur nga forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe një plantacion me ullinj.
QARKU VLORË
Në fshatin Radhimë Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e vogël me shkurre dhe disa rrënjë ulliri.
“Zjarret nuk janë punë e shtetit. Ato le të shuhen vetë”!
I gjithë mali përgjatë rrugës së “Kombit” është përfshirë nga flakët e zjarreve prej disa ditësh, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për shuarjen e flakëve. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i ka dërguar edhe disa foto nga vendi i ngjarjes ish-Kryeministrit Berisha. “Vendimi i Noriegës: Zjarret nuk janë punë e shtetit. Ato le të shuhen vetë! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Doktor përshëndetje, jam K.N., një shoku im po ikte për Tropojë dhe në rrugën e “Kombit” ka bërë këto foto ku i gjithë mali është i djegur. Në vendngjarje nuk as polici, as punonjës, as ushtri e as zjarrfikës, domethënë në mëshirë të fatit gjithë ai mal. Fotot flasin vetë”, shkruan qytetari.