Zjarret vijojnë të shkrumbojnë pyjet në të gjithë territorin e vendit, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë shfaqur edhe 12 vatra të reja në disa qarqe. Një vatër zjarri ka shpërthyer pasditen e djeshme në kodrat e rrugës së Muzinës në Gjirokastër. Nga të dhënat paraprake mësohet, se nga flakët rrezikohen disa banesa në fshatrat Grapsh dhe Jorgucat. Ndërkohë, era e fortë favorizon përhapjen e flakëve të zjarrit, ndërsa kërkohet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Qarku i Gjirokastrës ka qenë një ndër zonat e prekura nga zjarri, ku shumë sipërfaqe pyjore janë djegur.
Në fshatin Luzat, Bashkia Tepelenë, u rindez përsëri vatra e zjarrit e shuar para dy ditësh. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0,4 ha me shkurre e ferra, kurse rreth 3 ha janë përshkuar nga zjarri.
Në fshatin Alipostan, Bashkia Përmet, ra zjarri në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Si pasojë u dogj banesa, 1 ha me shkurre dhe pyll lisi, si dhe rreth 25 pemë frutore. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Malaj, Bashkia Mirditë u rindez përsëri zjarri i rënë në pyllin me pisha. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre e ferra.
Në fshatin Shebe, Bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët janë vënë nën kontroll. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me pyll pishe.
Në malin e Vinës, Kodovjat, Bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe lisi. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete, duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu dhe lisi.
Në fshatin Fikas, Bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe 10 rrënjë ulliri.
Në fshatin Visokë, Bashkia Mallakastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe mjeteve është bërë e mundur shuarja e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,8 ha me shkurre dhe rreth 200 rrënjë ullinj.
Në fshatin Sheqishtë, Bashkia Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pemë frutore dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,5 ha me shkurre, 30 rrënjë ullinj dhe disa pemë arra, në pronësi të shtetasve.
Në fshatin Mallkuç, Bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve me mjete është shuar zjarri. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj në pronësi të një shtetasi.
Në kodrën mbi Liqenin e Kasharit, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll të shkurtër. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pyll të shkurtër.
Në fshatin Fitore, Bashkia Devoll, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bazë ushqimore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe vogël me bazë ushqimore.