Më në fund u krye, Milani kalon zyrtarisht nga duart e Silvio Berlusconit te ato të kinezit Li Yonghong. Pas 31 viteve mbyllet epoka Berlusconi, padyshim më e lavdishmja në historinë e klubit. Kompania Fininvest që zotëronte Milanin, pasi u derdh në arkat e saj pagesa e plotë shiti 99.93% të aksioneve te kompania luksemburgase, Rossoneri Sport Investment Lux, që është krijuar enkas për këtë transaksion nga investitori kinez. Në komunikatën zyrtare të Fininvest bëhet e ditur se u finalizua shitja e aksioneve, ndërsa sqaron se parimet e përgjithshme të akordit janë ato që janë bërë të ditura prej kohësh me një vlerësim në total të AC Milan prej 740 milionë eurosh, përfshirë dhe njohjen e një situate debiti prej rreth 220 milionë eurosh, në të cilën gjendet klubi. Mediat italiane bëjnë të ditur se, Li Yonghong për të kompletuar kalimin e aksioneve derdhi në arkat e fundit edhe shumën e mbetur prej 370 milionë eurosh, pasi kishte paguar më parë edhe dy këste, secili prej rreth 100 milionë eurosh.