15 fabrika riciklimi në Tiranë dhe Durrës

15 fabrika riciklimi ushtrojnë aktivitetin e tyre midis Tiranës dhe Durrësit, por në të gjithë vendin numri i kompanive të tilla sipas riciklo.al një platformë në internet që mbështet aktorët që punojnë në këtë fushë arrin në 30 të cilat shtrihen dhe në rrethe si Berati, Bilishti, Dibra e Elbasani. Tetë prej këtyre kompanive të vendosura në Vorë, Mëzez, Yzberisht, në fshatin Gjokaj në autostradën Tiranë-Durrës, në Vaqar, në Durrës, Bërxull-Domje dhe në Bregun e Lumit në Tiranë përpunojnë mbetjet plastike.  Specialistët e rendisin këtë lëndë ndër mbetjet më të rrezikshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis ndërsa shtete të ndryshme po përpiqen të minimizojnë prodhimin e saj. Po tetë është edhe numri i fabrikave që merren me riciklimin e metaleve si alumin, bakër, bronx, hekur dhe çelik dhe deri bateri. Ekspertët tregojnë se alumini pas riciklimit lëshon në ajër kimikate ndërsa prodhon mbetje me përmbajte të lartë toksike, të cilat nëse nuk merren masat e duhura mund të kontaminojnë ujërat nëntokësor. Bateritë renditen ndër mbetjet më të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut për shkak të elementëve me të cilat mbushen ndërsa letra cilësohet me më pak risk. Këto fabrika janë të vendosura në Mëzez dhe Marikaj, Durrës dhe në Bregun e Lumit në Tiranë.  Ndërsa risku që paraqesin mbjetje të tilla është i qartë pikëpyetje lindin për teknologjitë që përdorin kompanitë në vendin tonë, a janë ato të duhurat për të garantuar që gazrat  apo lëndët toksike që gjenerohen pas procesit të riciklimit të kthehen në rrezik për shëndetin e njerëzve? Vetëm pak ditë më parë ABC News përcolli shqetësimin e banorëve të Mëzezit të cilët prej kohësh bashkëjetojnë me erën e rëndë që vjen nga një prej fabrikave të riciklimit vendosur në këtë zonë.

Exit mobile version