U arrestua sot nga forcat RENEA për vrasje, kush është Ardian Çapja

Një prej emrave të shumëpërfolur të botës së krimit është arrestuar sot në Elbasan. Ardian Çopja, alias Çapja, 53 vjeç, është prangosur në orët e para të mëngjesit, teksa është shpallur në kërkim vëllai i tij Florenc Çapja.

BW raporton se fillimisht është nxjerrë urdhër-arresti nga Prokuroria e Elbasanit dhe më pas policia dhe forcat RENEA shkuan në shtëpinë e Ardjan Çapjas në orët e para të mëngjesit.

Para arrestimit, policia i ka bërë të ditur se forcat që po afroheshin ishin të policisë, kjo për të shmangur ndonjë përplasje, pasi ndaj Çapjas janë bërë 3 atentate më herët dhe për shkak të masave të sigurisë në vitin 2016 ata qëlluan me armë ndaj një grupi vëzhguesish të policisë.

Në momentin kur policia ka ndërhyrë në banesë, nuk ka hasur në rezistencë dhe ai është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Policia ka nisur punën hetimore për arrestimin e Ardian Çapjas që në vitin 2019, kur u arrestua Ervis Bardhi, si autor i dyshuar i vrasjes së Gentian Beqirit dhe të atit.

Hetimet për dokumentimin e vrasjes së dyfishtë nisën që me arrestimin e Bardhit, i cili është marrë në pyetje dhe ka dhënë detaje të rëndësishme për hetimin.

Dëshmia e Bardhit ka orientuar policinë dhe prokurorinë në gjetjen e provave të vlefshme që implikonin Ardian Çapjan bashkë me Florenc Çapjan, i cili është në kërkim. Gjatë këtij operacioni u tentua të arrestohej dhe ai, por nuk u gjet në shtëpi, ndaj policia e ka shpallur në kërkim.

Shkak për vrasjen e Gentian Beqirit, ka qenë ekzekutimi në 2005 i vëllait të Ardianit, Sokolit. Në 2005 Sokol Çapja ka pasur një konflikt me Fadil Memën që ka qenë shef i qarkullimit në Elbasan. Pas këtij konflikti Sokol Çapja u ekzekutua dhe familja akuzoi si autor nipat e Fadil Memës. Në shenjë hakmarrje në 2012 u ekzekutua Gentian Beqiri, i cili ishte në arrest shtëpie.

Për të kryer vrasjen u zgjodh Ervis Bardhi, i cili ishte shok me Gentianin dhe ishte i vetmi që mund të futej në apartamentin e tij.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ardian Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv. Prej vitesh familja Çapja ka qënë e akuzuar si e përfshirë në botën e krimit duke humbur nga atentate dhe ekzekutime të ngjashme edhe shumë familjarë.

Gazetari investigativ, Artan Hoxha publikoi pak kohë më parë një foto tijën së bashku me kryeministrin Edi Rama.

Exit mobile version