23 senatorë e kongresmenë: “Mbështetje për protestat”

Senati dhe Kongresi amerikan mbështet në unison kauzën  për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike, ndërsa po ndjekin me shqetësim situatën në Shqipëri. Mbështetja e senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë ka ardhur pas një sërë takimesh të zhvilluara me drejtues të opozitës. Krahas takimeve, përfaqësues të Senatit e Kongresit i janë drejtuar personalisht dhe zyrtarisht kreut të PD, Basha duke inkurajuar vijimin e lëvizjes së inicuar prej tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Mbështesim fuqishëm opozitën dhe lëvizjen e udhëhequr nga kreu i PD, Lulzim Basha. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht dhe detyrim për një demokraci funksionale. Proceset e manipuluara nga qeveria, vërejtjet e OSBE/ODIHR janë dhe qëndrim i SHBA”, janë këto mesazhet e përcjella nga senatorë e kongresmenë amerikanë në takimet e tyre me përfaqësues të lartë të opozitës. Ata kanë shprehur shqetësimin për forcën e krimit në Shqipëri, trafikun e drogës dhe sidomos përfshirjen e qeverisë në kultivimin e marijuanës për qëllime politike. Senatorët e kongresmenët janë angazhuar që zëri i opozitës të dëgjohet dhe debatohet jo vetëm në Kongres, por edhe në të gjitha nivelet e administratës së Presidentit Trump. “Kemi mbështetur Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe sot kërkojmë që ajo të sillet si e tillë duke garantuar standardet demokratike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, janë shprehur ata, ndërsa angazhohen se do të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Mbështetja e shprehur nga senatorët dhe kongresmenët amerikanë pritet që të konkretizohet gjata ditëve të ardhshme me qëndrime të qarta dhe të prera politike të Shteteve të Bashkuara. Kongresmeni Robert Aderhold ka shprehur përmes një letre drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha dhe atij republikan, Fatmir Mediu mbështetjen e fuqishme ndaj popullit shqiptar në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Unë mbështes fuqimisht, hapat e qytetarëve shqiptarë dhe betejës së tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për liri dhe demokraci, shtetin ligjor, si dhe lirinë individuale”, shprehet Aderhold. Duke iu drejtuar Bashës, kongresmeni shprehet i alarmuar nga raportimet zyrtare dhe mediatike mbi prodhimin masiv të drogës dhe trafikut të saj, si dhe nga ana tjetër fuqizimin e rolit të krimit në qeverisje. Korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet është gjithashtu një tjetër çështje që ngrihet nga kongresmeni amerikan. Duke përmendur fuqizimin e krimit të organizuar që sot ka kapur majat e qeverisjes, trafikut të drogës, si dhe korrupsionit, Aderhold shpreh shqetësimin serioz për Shqipërinë, e cila si një vend që meritoi përmes reformave të bëhet anëtar i NATO-s sot gjendet e rrezikuar përballë krimit në pushtet, pasigurisë, si dhe demokracisë së kërcënuar. Edhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën në Kongresin amerikan, Dana Rohrabacher, i dërgoi në prag të protestës së 18 shkurtit një mesazh kryetarit të opozitës shqiptare, Basha, ku e siguron se Shtetet e Bashkuara do të jenë në krah të popullit shqiptar. “I dashur Lulzim, ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore. Përzemërsisht, Dana Rohrabacher”, shkruan kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën në Kongresin amerikan. Rohrabacher është një nga zërat e fortë në Kongresin amerikan. Ai njihet si një nga mbështetësit e Presidentit Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Ai ishte një nga tre emrat e preferuar të Presidentit amerikan për postin e sekretarit amerikan të Shtetit së bashku me Tillerson dhe Romney. Zgjedhje e Trump ishte për Tillerson, ndërsa Rohrabacher vijon të drejtojë një nga komisionet kryesore në Kongresin amerikan me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Departamentin e Shtetit.

Lista me 23 senatorët e kongresmenët amerikanë në mbështetje të Bashës

Senatori Ted Cruz
Senatori Mike Lee
Senatori Mike Rounds
Senatori Roger Wicker,
Senatori Tom Cotons
Senatori Jim Inhofe
Senatorja Suzan Collins
Senatori Robert Casedy
Senatori Luther Strange
Senatori Mike Enzi
Senatori Lamar Alexander
Senatori Ben Sasse
Senatori Mike Perdue
Kongresmeni Danna Rohrabacher (njëkohësisht kryetari për Europën dhe Azinë)
Kongresmeni Robert Aderholt
Kongresmeni Jeff Forteberry
Kongresmeni Steve King
Kongresmeni Trent Kelly
Kongresmeni Richard Hudson
Kongresmeni John Rottcklife
Kongresmeni David Jolly
Kongresmeni James Carafano
Kongresmeni Randy Hultgren

Arben Shahini

Exit mobile version