SHBA nis hetimet për rolin e Soros në Shqipëri dhe lidhjet me Ramën

Mike Gonzalez, një ish-zyrtar i cili ka shërbyer për vite me radhë në administratën e Presidentit Xhorxh W. Bush, si dhe në Departamentin e Shtetit ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një hetim mbi aktivitetin e Soros në Shqipëri dhe lidhjet e tij me Ramën. Në qendër të shkrimit të ish-zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit janë edhe lidhjet e ambasadorit amerikan në Tiranë me Ramën. Gonzalez është gjithashtu një studiues i “Heritage Foundation”. Ajo çfarë dihej deri tani ishte fakti se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një hetim mbi lidhjet e Soros në Maqedoni, por Gonzalez thotë se ky hetim ka nisur edhe për Shqipërinë. Kjo është një goditje e fortë për Ramën dhe lidhjet e tij me Sorosin, të cilat po bëhet e qartë se nuk kanë më asgjë të përbashkët me qëndrimin e ri zyrtar të Shteteve të Bashkuara në politikën në Shqipëri dhe rajon.

Mike GONZALEZ

Në ekonominë e politikës globale, George Soros ka investuar miliarda, të cilat janë shtrirë deri në vendet më të largëta si Republika e Maqedonisë. Në fakt, shteti i vogël ballkanik është kthyer në emblemën e betejës që po zhvillohet në Europë ndërmjet partive konservatore që mbështesin vlerat tradicionale dhe sovranitetin kombëtar dhe partive të themeluara nga miliarderi i kudondodhur, me axhenda ambicioze që përfshijnë politikat liberale të drogës, orientimit seksual, si dhe transnacionalizmin.
Ajo që i ndërlikon akoma më shumë gjërat është ndërhyrja e vazhdueshme e Kremlinit në këtë ekuacion. Presidenti rus, Vladimir Putin dhe rrjeti i tij i propagandës shpesh futet në mes të konflikteve, i ftuar ose jo, duke mbajtur anën e kauzës tradicionaliste, duke hyrë në luftë me armikun e tij më të urryer: Sorosin.
Në disa vende si Maqedonia, ekziston edhe një tjetër variabël që ndërlikon situatën: trashëgimia e epokës së Obamës. Ambasadori amerikan i emëruar nga Obama në Shkup, Jess Baily, është akuzuar vazhdimisht nga Kongresi për shfaqje të paragjykimeve politike kundër partisë konservatore maqedonase, VMRO dhe se ka lehtësuar negociata të koalicionit ndërmjet partive të majta dhe partive me enti shqiptare.
Në një letër drejtuar Baily-t më 17 janar, anëtarët republikanë të Senatit i kërkuan atij të shpjegonte raportet që tregojnë se ambasada e tij ka zgjedhur fondacionin Open Society të Xhorxh Sorosit si implementues kryesor të projekteve të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Amerikës në Maqedoni. Përgjigjja e datës 6 shkurt e Departamentit të Shtetit nuk jepte asnjë detaj në lidhje me financimet e forndacionit të Sorosit dhe grupet që kontrollonte.
Grantet që i janë dhënë kanë kaluar përmes “procesit të tenderimit” shkruhet në letër. Ndihmat, shtohej aty, janë dhënë për të “fuqizuar rregullin e ligjit, për të nxitur rritjen politike dhe për të mbështetur sigurinë rajonale” dhe për të ndjekur qëllime të tjera të errëta. Por më 7 shkurt një deklaratë e USAID-it e një kontrate prej 2,54 milionë dollarësh me fondacionin tregoi se projekti përfshinte edhe trajnimet e “aktivizimit civil”, “mobilizimit” dhe “angazhimit civil”.
Duke mos pasur aspak lidhje me forcimin e rregullit të ligjit apo sigurisë rajonale, këto aktivitete lidhen më shumë me riformatimin e shoqërisë sivile si aktivizëm politik progresiv të stilit të viteve 1960.
Si një prej burrave më të pasur të botës, Soros ka një histori të gjatë ndërhyrjesh në të gjithë globin në ndjekje të ëndrrës së tij të çlirimit të botës nga kufijtë, të qeverisjes globale dhe të gërryerjes së identitetit rajonal – pikërisht ajo që ai e quan “open society”, shoqëria e hapur. Për shkak se letra e Departamentit të Shtetit ishte e vaktë dhe nuk përgjigjej për pyetjet kryesore të drejtuara, i njëjti grup politikanësh republikanë kërkuan javën e kaluar që të hapej një hetim dhe audit i Departamentit të Shtetit dhe USAID-it në lidhje me Maqedoninë dhe përfshirjen e fondacionit të Sorosit.
Cilido qoftë rezultati i hetimeve që po zhvillohen, partitë politike që ambasadori amerikan në Shkup është duke përkrahur – Bashkimi Social Demokrat i majtë dhe tre parti me etni shqiptare, Bashkimi Demokrat për Integrim, Besa dhe Aleanca e Shqiptarëve – arritën të dielën e kaluar një marrëveshje për të formuar qeverinë.
Por presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, refuzoi të mandatonte Bashkimin Social Demokrat për të formuar qeverinë, sepse lideri Zoran Zaev pranoi kërkesat e partive shqiptare që gjuha shqipe të njihej si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Palët e kanë negociuar marrëveshjen në Tiranë, Shqipëri – një nga arsyet përse Ivanov pretendon se nuk ka pranuar të njohë mandatin.
Shqipëria është një tjetër vend ku aktiviteti i Xhorxh Sorosit dhe fondacionit të tij janë duke u hetuar për mbështetje të qeverisë së kryeministrit Edi Rama – një socialist, i cili ka negociuar “Platformën e Tiranës”. Edhe në Shqipëri duken haptazi pasojat e trashëgimisë së epokës Obama, ku një tjetër ambasador amerikan, Donald Lu, mbështet dukshëm partitë e financuara nga Sorosi.
Rama, i cili ka një marrqëdhënie të ngushtë me Sorosin dhe ka marrë pjesë në dasmën e tij në vitin 2013, i drejtoi një lutje javën e kaluar Shteteve të Bashkuara që të mos ta braktisnin Ballkanin në duart e Rusisë, influenca e së cilës, tha ai për “Telegrafin”, është më e fortë se kurrë. “Rusia”, shtoi Rama, “ka interes të përhapë influencën në të gjithë rajonin”.
“Reuters” raportoi ditën e enjte, më 2 mars, se Rusia ka akuzuar Shqipërinë, NATO-n dhe Bashkimin Europian se po përpiqej të impononte një qeveri pro shqiptare në Maqedoni. Përveç se nuk mbështet politikat pro Putin, VMRO ka qenë fuqimisht pro SHBA dhe pro NATO. Por mbështetja e jashtëzakonshme që është duke shfaqur ambasada amerikane për Sorosin, ka filluar tashmë t’i irritojë së tepërmi njerëzit në Maqedoni dhe kudo tjetër.
“Disa nga miqtë e mi konservatorë në Maqedoni më thonë se e urrejnë Amerikën”, thotë Jason Miko, një biznesmen amerikan që e frekuenton vendin ballkanik prej dy dekadash. “Ata më thonë e urrejnë vërtet dhe veçanërisht atë që ka bërë administrata Obama. Nëse Sorosi kërkon të shpenzojë paratë e tij, le t’i shpenzojë, por kur fillon të përdorë paratë e taksapaguesve për interesa të errëta, situata ndryshon”.

Mike GONZALEZ është një studiues në “Heritage Foundation”. Ai ka një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare si editor, i cili ka raportuar nga Azia, Europa dhe Amerika Latine. Ai ka shërbyer në administratën e Xhorxh W. Bush në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe më pas në Departamentin e Shtetit

Exit mobile version