280 miliardë lekë fasada,në vendin ku njerëzit vrasin veten nga varfëria

Armand MAHO

Herë me xhup e herë me kostum, apo dhe me antiplumb, i shoqëruar nga shpura e të zgjedhurve të tij vendorë, Edi Rama prej tre vjetësh prezanton gjetjen e tij të re, skemën perfekte të korrupsionit “Rilindjen Urbane”. Në zhargonin korruptiv, apo më saktë të atyre biznesmenëve që e njohin mirë ndërtimin e dinë fare mirë se mënyra më e mirë për të bërë para është të shtrosh beton vend e pa vend. Po të hapësh faqen zyrtare të Facebookut të kryeministrit të Shqipërisë, të jepet përshtypja se kjo nuk përfaqëson një kryetar qeverie, por thjeshtë një kryetar Bashkie të ndonjë qyteti në cep të Ballkanit. Ngado sheh, se si kryeministri i zgjedhur për Rilindje Kombëtare është shndërruar në një si biçim kryetari Bashkie. Ngado e sheh atë, duke inauguruar beton, dhe në qytetet më të humbura. Rëndom skena është kjo… Reshti i parë, përbëhet nga kryetari servil i Bashkisë së radhës dhe të tjerë si ai, që qeshin me batutat e Kryeministrit dhe kur ska asgjë për të qeshur. Normal, janë ata që kanë përfituar më shumë nga kjo mesele korrupsioni. Në rreshtat e dytë dhe të tretë, ndodhen më së shumti qytetarë të atij qyteti, kryesisht punëtorë të bashkisë, të cilët janë nxjerr me zor nga kryetari në fjalë, për të siguruar pjesëmarrjen në ardhjen e liderit global. Dhe fytyrat e tyre janë pasqyra më e mirë e maskaradës së radhës që ndodh. Në fytyrat e tyre shihet keqardhja, lodhja, varfëria. Nuk e dinë saktë se çfarë u duhet tërë ky shpenzim, nuk e kuptojnë tamam se ku do të dalë lideri global, vetëm se dinë se duhet të duartrokasin. Pas zhurmës së shuplakave, qëndrojnë hallet që vijnë nga të ardhurat e pakta. Qëndrojnë faturat e energjisë, shkollimi i fëmijëve, strehimi ngrohja.

Lungomarja e Vlorës

Herën e fundit, lideri global ishte në Vlorë, për të inspektuar ecurinë e punimeve në Lungomare… Ka rreth dy vjet që Vlorën e ka shndërruar në një gërmadhë. Vlonjatëve u prishi shtëpiat, u shkatërroi turizmin dhe çka është më e keqja kohët e fundit një 18-vjeçar gjeti vdekjen, pasi makina me të cilën udhëtonte u përmbys në një gropë të hapur në mes të qytetit. Edi Rama, shfaqej tërë shend e verë, duke ngjyer disa guralecë kuq e blu, ndërsa në shtëpinë e Kristi Panajotit morti është ende i hapur. Vlora dhe “lungomarja” e saj, e shndërruar në një vuajtje pa fund është tipike e atyre historive të korrupsionit që i dihet fillimi dhe jo fundi. Edi Rama do të kalonte triumfator dhe mbi betonin e hedhur në bregdetin e shkatërruar të Plazhit të Vjetër. Në krah kishte Dritan Lelin,  kryebashkiak i propozuar nga ish-lideri shpirtëror i tij Koço Kokëdhima, sot i shndërruar në armik. Leli është një kryebashkiak amorf, i cili i bindet verbërisht shefit të radhës. Deri dje i bindej Koços e sot e bindet verbërisht Ramës. Nuk flet për vuajtjen e qytetarëve të tij, nuk flet kur ata duhet të durojnë pluhurin dhe vapën e verës, nuk flet as për shirat që përmbytin qytetin, si pasojë e çmendurisë qeveritare, nuk kërkon asgjë mjaft që punët e shefit të shkojnë mbroth, dhe ai të mbledhë thërrimet pas tij. Dhe Leli nuk është i vetmi….

Çfarë ndodh

Rilindja Urbane, duket se nuk është gjë tjetër vetëm se një mënyrë për të devijuar dhe më pas vjedhur fondet publike. Po harxhohen paratë të cilat, mund të ishin investuar në infrastrukturë apo strehim.  Për shembull, me  paratë që ka harxhuar për rilindjen e Tepelenës mund të kish zgjidhur farë mirë strehimin për këtë qytet… Për shembull në Bashkinë e Gramashit, lideri global ka shpenzuar 129 milionë lekë, një vend i ngërthyer keqaz nga varfëria dhe papunësia. Kjo gjë ka ndodhur dhe me një sërë qytetesh të tjera të vogla, të cilat kanë emergjente financimet në bujqësi, strehim, arsim apo reduktim të varfërisë. Në dy vjet, që nga fillimi i kësaj marrëzie, nga Rama janë shpenzuar rreth 290 miliardë lekë, apo 250 milionë euro për Rilindje urbane në qyteza, popullsia e të cilit jeton nën koston minimale të jetesës. Këtu nuk futen shpenzimet për Lungomaren e Vlorës, apo qendrën e Tiranës. Po të shkosh në Himarë për shembull do të shohësh se vetëm për një rrugë, rruga stefanel që quhet Rama parashikon të shpenzojë 4.3 miliardë lekë, ose rreth katër milionë dollarë për një rrugë lagjeje. Kësaj i shtohet dhe 637 milionë lekë të tjera për betonizimin dhe shkatërrimin e plazhit të Himarës, vlera shkon në më shumë se 5 miliardë lekë ose rreth 5 milionë dollarë. Shifra të tilla të fryra ka pasur në të gjitha qytetet dhe fshatrat, ku janë harxhuar qindra e miliona dollarë të tjerë për rehabilitime që nuk kanë asnjë impakt në përmirësimin e jetës së banorëve atje.

Shtyhet ndërtimi i rrugëve

Me paratë e hedhura në erë, do të mbaroheshin disa akse rrugësh kryesore, të cilat janë jetike për zona të ndryshme të vendit. Sipas buxhetit të shtetit të paraqitur për vitin 2017, segmente të tilla si Qukës-Qafë Plloçë; Tiranë-Elbasan; Qafë Thanë-Pogradec dhe Fushë Krujë-Milot nuk do të ndërtohen, dhe janë shtyrë për në vitin 2019. Ndërkohë, fondet e vëna në dispozicion në buxhetin e 2017 për by-passet e Fierit, Vlorës dhe Shkodrës janë minimale, duke e shtyrë përfundimin e tyre në vitin 2019. Afati për të gjitha këto segmente, ka kohë që ka përfunduar. Me sa shihet Rama dhe të tijët, nuk e kanë parë si “të leverdisshëm” ndërtimin e segmenteve rrugore, për të cilat cilësia dhe kostoja janë lehtësisht të verifikueshme. Prandaj ka gjetur si zgjidhje “Rilindjen Urbane”, një mekanizëm për të pasuruar kryesisht veten dhe firmat që operojnë rreth tij. Në buxhetin e Rilindjes për vitin 2017 nuk janë parashikuar as fonde për rrugën e “Arbrit”, një tjetër premtim i pambajtur ky i kryerilindasit Rama….

Praktikat e fasadave

Në fakt është e njohur  praktika sidomos e liderëve despotikë për të investuar në fasada me qëllim shmangien e vëmendjes nga problemet jetike që mund të ketë vendi. Nga ana tjetër, praktika në Bashkinë e Tiranës, e mësoi Ramën se sa më shumë beton të përdoret, aq më të mëdha janë fitimet për vetë atë dhe kompanitë që punojnë për të. Në këto tre vite, nuk është parë asgjë tjetër vetëm se zbukurim fasadash, kostoja i faturohet qytetarëve. Janë ata që duhet të paguajnë faturat e fryra të energjisë deri në vetvrasje , faturat e taksave, faturat që i shtohen çdo ditë për strehimin që lideri global të inspektojë qendra fshatrash dhe lëshojë batuta hidh e prit me mercenarët e tij. Edi Rama dhe Rilindja nuk ishin vetëm një dështim për shtetin, por ishte dhe një fatkeqësi për qytetarët e këtij vendi. Ishin ata që mbushën burgjet se ishin të varfër, janë ata që po vidhen çdo ditë në emër të të bërit shtet. 280 miliardë lekë nuk shkuan në shëndetësi, nuk shkuan në reduktim varfërie, nuk shkuan atje ku duhet të shkonin… Taksat shtohen dhe investimet nuk shihen kurrkund, ose dalin në skenë në formën e “Rilindjes Urbane” që nuk është gjë tjetër vetëm se një skemë korruptive për devijim dhe rrëmbim fondesh, por dhe si kurorë për kryet e pushtetit të Edi Ramës.

Exit mobile version