50 mijë euro ryshfet, gjyqtarja Andrea kërkon gjykim të shkurtuar

Gjyqtarja e pezulluar e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, ndryshe nga bashkëshorti i saj, kërkon gjykim të shkurtuar nga ish-kolegët. Me ndihmën e avokatit, pasi vet gjyqtarja nuk kishte preferuar të paraqitet në sallën e gjyqit, ajo mohoi akuzën, por kërkoi që procesi penal në ngarkim të saj të zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Të njëjtën kërkesë kishin edhe avokatët e të pandehurve Petraq Dhami, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.
Ndërsa bashkëshorti i gjyqtares Odhise Andrea, i cili u vetdorëzua pas 6 muajve dhe u la i lirë nga kjo trup gjyqësore, kërkoi që procesi penal ndaj tij të zhvillohet me gjykim të zakonshëm. Kundër kërkesës për gjykim të shkurtuar dhe veçim të çështjes për Odhise Andrean, ishte përfaqësuesi i akuzës, i cili tha se ndarja mund të dëmtojë provat e Prokurorisë. Kolegji Penal i kësaj gjykate, i kryesuar nga relatorja Evelina Qirjako, pasi dëgjoi palët vendosi të shtyjë seancën për t’u shprehur në lidhje me këto kërkesa më datën 17 janar.
Nga ana tjetër, pas lirimit nga burgu të Odhise Andreas bashkëshortit të gjyqtares së akuzuar për korrupsion, i pandehuri Ilia Çabiri dorëzoi në gjykatë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Sipas të pandehurit, pozita e tij penale në krahasim me bashkë të pandehurin Andrea, i cili tashmë është liruar, është shumë më e lehtë dhe nuk mund të qëndroi ai në qeli. Këtij argumenti, avokati i Çabirit i shtoi edhe problemet shëndetësore të klientit të tij. Edhe për këtë kërkesë, mësohet se Gjykata e Lartë do të shprehet paraditen e datës 17 janar.
Sipas Prokurorisë, gjyqtarja Majlinda Andrea me ndërmjetësimin e bashkëshortit Odhise Andrea ka marrë një shumë prej 50 mijë euro nga shtetasi Petraq Dashi që të favorizonte shtetasen Eleni Lino në vendimmarrjen për pronat. Për prokurorin, pas marrjes së parave nga Odhise Andrea, edhe Gjykata ka vendosur në favor të kërkueses Eleni Lino.

Exit mobile version