8 mln euro me pak, ulet mbështetja për bujqësinë; përgjysmohen përfitimet për fermerët

Nga skema mbështetëse në bujqësi mesatarisht një fermer këtë vit pritet të përfitojë rreth 478 euro. Këtë vit janë shtuar përfituesit, por fondi në dispozicion është më i vogël se në vitin 2024. Për pasojë aplikimet e shtuara përgjysmojnë shumën që do të përfitojë mesatarisht një fermer.

“Sasia e parave në dispozicion të fermerëve është shumë e ulët, duke hequr naftën falas për bujqësinë pjesa tjetër është 43% më pak se shuma e dhënë në 2023. Në një nga pikat thuhet se nëse numri i aplikimeve është më i madh për një skemë atëherë bëhet një ndarje proporcionale, në këtë rast fermeri me 10 lopë do marri më pak nga çka i takon” , theksoi eksperti Gjok Vuksani.

Me 44 milionë euro miliard lekë në dispozicion, 8 milionë më pak se një vit më parë, sipas ekspertëve janë një arsye e fortë se përse është e pamundur të nxitet zhvillimi i mëtejshëm bujqësor dhe blegtoral.

“Një numër shumë më i vogël para 4-5 vitesh që ishte rreth 6 mijë aplikime për subvencinet. Kjo tregon që numri i fermerëve që merren me mbarështimin e lopëve dhe numri i lopëve është reduktuar”, theksoi Gjok Vuksani, pedagog, ekspert për bujqësinë.

“Sipas një vlerësimi të Ministrisë së bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vitin e shkuar, rezultoi se nevojat e sektorit ishin për 100 milionë euro. Dhe këtu nuk futen agro-përpunuesit. Ne dimë se nevojat janë shumë të mëdha”, u shpreh ekspertja e bujqësisë Esmeralda Ballesha.

Ekspertë të sektorit bujqësor vlerësojnë se veç fondeve në dispozicion skema duhet të synojë edhe krijimin e mekanizmave për të garantuar shitjen e prodhimeve të bujqve.

“Kjo pasi, pavarësisht mbështetjes nëse produkti nuk shitet fermeri është i destinuar të falimentojë. Më kot që harxhohen para”, tha ekspertja Ballesha.

Qarqet me numrin më të lartë të përfituesve dhe disbursimit të fondeve nga Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë këtë vit priten të jenë Vlora, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Berati./A2CNN

Artikulli paraprakGoli historik me Laçin, Uzuni rrëfen momentin që i ndryshoi karrierën: Kishin ardhur nga Kroacia! Më thanë në dhomën e zhveshjes se…
Artikulli tjetërUlja e pagave për një kategori në arsim përfundon në Kushtetuese