Me një rishikim të kategorive, qeveria ka shkurtuar pagat e një pjese të edukatorëve dhe mësuesve të ciklit të ulët. Vendimi është ankimuar në Gjykatë Kushtetuese dhe pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Pagat e një pjese të edukatorëve dhe mësuesve të ciklit të ulët janë rillogaritur me 5,000 më pak pas një vendimi të qeverisë marrë në qershor të vitit 2024.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH) thotë se ky vendim ka prekur një në çdo tre punonjës të kësaj kategorie të arsimit.
“[Edukatorët] Paguhen nga bashkitë, por bashkitë i referohen kësaj VKM-je për pagat,” shpjegoi për Citizens.al Alma Lama, përfaqësuese e SBASH, e cila tha se njësoj preken edhe mësuesit e shkollave private.
Shqetësimi nisi me aplikimin e pagave të reja, që hyri në fuqi në korrik të vitit 2024.
“Vendimi ka sjellë pasoja, veçanërisht për mësuesit e arsimit fillor, të cilët janë diplomuar në ish-institutet e rretheve dhe që nuk i njihet diploma si studim i plotë për mësuesi, por vetëm si cikël i parë Bachelor,” tregoi Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.
Në këtë pikë Alma Lama nga SBASH thekson se ka mospërputhje pasi ata mësues kanë dalë me një titull në varësi të rregullave që ia mundësonte koha, ndërkohë me ciklin e rishikuar në ‘Bachelor’ nuk mund të bëhesh mësues.
Sipas Lamas, VKM-ja ka përmirësuar disa hallka, por ka bërë shkeljen e një të drejte të fituar më herët, sikurse është ajo e pagës së grupit.
“Për të njëjtën punë, dy mësues paguhen ndryshe. Ky është problem,” thekson ajo.
SBASH e ka dërguar VKM-në në Gjykatë Kushtetuese, ku kërkon rrëzimin e pjesshëm të saj me pretendimin që të mos preken pagat e grupit, pasi për të njëjtën punë paguhen ndryshe.
“Ne kërkojmë që, së pari, kjo pjesa e pagës së grupit të mos preket. Në qoftë se [qeveria] do ta trajtojë mësuesin që ka më shumë vite, le ta shprehë në një formë tjetër në zë, por jo të ulë pagën e grupit, ai mësues është i diplomuar, ai s’ka ‘Bachelor’ se me ‘Bachelor’ ti nuk futesh dot të japësh mësim,” argumenton Lama./Me shkurtime nga citizens.al