Dy janë personat që po e shkatërrojnë më shumë historinë e Durrësit, Enver Hoxha dhe Edi Rama. I pari, duke ngritur mbi banjat e lashta Romake, një ndërtesë model sovjetik, të cilën do e etikentonte si pallat kulture, ndërsa i dyti Edi Rama, mbi rrënojat bizantine në afërsi të Torrës po kërkon që me anë të një projekti mafioz korrupsioni, të fundosë nën beton dhe atë çka mbetur nga ky qytet. Këtë lloj shkatërrimi nuk ja ka bërë asnjë pushtues qytetit 3 mijë vjeçar. Madje as barbarët turq kur mësyen në mes të mijëvjeçarit të kaluar në brigjet e Adriatikut. Po ja që në vitin 2017 mbin Vangjush Dako, i cili për të justifikuar një projekt mafioz, të financuar nga Edi Rama, nën siglën e “rilindjes urbane”, varros atë për të cilën Durrësi dhe durrasakët krenohen!
Varrimi i historisë
Në hyrje të portit është zallamahi e madhe. Kudo të shesh syri betoniere, zhurmë matrapikësh dhe beton. Trafiku është i padurueshëm. Atje ku duhej të ishte Torra Veneciane, sheh një rrethim ku dallohet qartë se po bëhen punime. Gurët mijëra vjeçarë të saj janë shkulur dhe janë lënë mënjanë. Përreth saj është hedhur një shtresë betoni, në formë rruge e cila gjarpëron në sheshin përmes Torrës. Diku më tej, në rrënojat ku ka qenë muri rrethues është hedhur masa e parë e betonit, duke mbuluar dhe kollonat mbrojtëse të tij. Duket se historia po fundoset në harresën e betonit. Pak më tutje të zë syri një tjetër pallat, me disa shtesa të paligjshme, ku nën të dallohet qartë një pjesë e murit të Kalasë së Durrësit. Pronarët që e kanë blerë, kanë vendosur ta shndërrojnë në lokal, duke i vënë dhe emrin “portiku”. Pallati, duket se e ka mbytur historinë rreth 1500 vjeçare të tij. Punëtorët duket sikur nxitojnë, të përfundojnë atë masë betoni që do e fundosë përfundimisht atë. Një nxitim i pashpjegueshëm… përse duhej që pikërisht në atë vend të ndërtohej ajo “velierë” e shëmtuar, e cila në përbërje të saj ka vetëm beton. Ndoshta përgjigja është e thjeshtë, dhe atë mund ta gjejmë të firmat e betonit të Vangjush Dakos dhe fondet e Edi Ramës….
Revolta e qytetarëve
Kamarieri që servir kafen në lokalin bri Torres është një djalë i ri, rreth të njëzetave! Na thotë se vazhdon shkollën në Universitetin e Durrësit dhe njëkohësisht edhe punon. Por humori i tij zymtohet sapo fillon biseda për atë çka po ndodh atje. “Unë nuk e di se çfarë i ngelet më Durrësit. Plazhin ja betonoi, sheshet ja mbushi me pallate pa leje. Kjo ishte e vetmja pjesë tërheqëse e tij. Kam nja dy vjet që punoj këtu dhe shoh shpesh turistë që vijnë vetëm për antikitetit. Nuk e di e kujt ishte kjo ide, për ta betonuar këtë shesh, dhe përse duhej. Të rrethosh Torrën me beton? A ka ligj në këtë vend, është një krim që smund të rikuperohet… Durrësi bukurinë e ka tek antikiteti, po me sa duket dhe atij i doli pronari”, thotë djaloshi që nxiton të marrë porosinë tek një tavolinë tjetër. Në fakt irritimi durrsakëve duket qartazi, dhe nga reagimet e tyre teksa kalojnë nëpër rrugën e betontë përkarshi Torres.
Afera 6 milionë euro
Por çfarë është veliera e famshme, e cila po na shitet si një projekt i cili do i japë një “frymëmarrje të re Durrësit”. Veliera nuk është gjë tjetër vetëm një masë e stërmadhe betoni e shtrirë në të gjithë hapësirën para portit. Bordura betoni, rrugë betoni dhe një çadër e madhe në formë vele në mes në një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, do zëvendësojë antikitetin mesjetar të sheshit ku do të ndërtohet. Për këtë mishmash, Rama i ka akorduar Gjushit të Durrësit rreth 6 milionë euro, dhe jo më kot ky i fundit ka zgjedhur një projekt të mirëfilltë betoni. Banorët e Durrësit na thanë se furnziuesit kryesorë me beton të velierës janë pikërisht firmat e Gjushit, cili megjithëse kryetar Bashkie duket nuk ka hequr dorë nga të qenit biznesmen betoni. Pra, skema e vjedhjes është e thjeshtë, paratë dalin nga taksapaguesi, i jepen Gjushit, të cilat ky i kanalizon në betonieret e veta, dhe në fund të dy me gjithë Ramën, janë të lumtur dhe të gëzuar. Jo më kot është zgjedhur dhe qendra e Durrësit, për të realizuar këtë projekt. Dihet tashmë mania e liderit global dhe dashuria e tij për fasadat, por ndoshta pak nga injoranca dhe nga makutëria për të fituar nuk po pyet se po varros përfundimisht trashëgiminë kulturore të një kombi.
Shkelja e rëndë e ligjit
Në fakt ligji për trashëgiminë kulturore është mjaft i qartë për këtë çështje. Ai nuk lejon asnjë lloj ndërtimi në një distancë prej 200 metrash nga këto objekte. Por në rast se do vëresh, Gjushi i Durrësit e ka shkelur tashmë ligjin, që me rrugën e betontë që ka ndërtuar në krah të Torres Veneciane. Dhe jo vetëm kaq, por tashmë ka dalë me pretendimin se, “nuk është akoma e vërtetuar që muret e gjetura janë objekt i trafshëgimisë kulturore” dhe për këtë arsye po vazhdon punimet. Në fakt pak a shumë me të njëjtin arsyetim, është justifikuar dhe për pallatin e ngritur mbi murin bizatin. Gjushi ka shfrytëzuar për këtë një nen të ligjit, i cili shprehet se objekte të trashëgimisë kulturore mund të quhen vetëm ato që verifikohen se datojnë 100 vjet më parë. Pra, objekte që i përkasin, para vitit 1917. Por dhe gjetja më e fundit, në themelet e Torrës, përgënjeshtron Gjushin dhe Ramën, dhe i bën ata subjekt të hetimit penal. Një top i gjetur nga gërmimet, mendohet se i përket vitit të periudhës së pushtimit Osman, diku nga 1800-ta. Pra duket qartë se, kemi të bëjmë me justifikime krejtësisht qesharake, të cilat si qëllim kryesor kanë të mbrojnë atë 6 milionë euro, para të buxhetit, që në shumicë do të përfundojnë në xhepat e kryebashkiakut të Durrësit dhe pse jo dhe atij që ka zaptuar zyrën e Kryeministrisë në Tiranë.
Protesta në Durrës: Betoni po varros trashëgiminë kulturore
Simpatizantë dhe drejtuesit e Partisë Demokratike në Durrës lanë çadrat në kryeqytet dhe iu bashkuan protestës së Shoqërisë Civile, e cila kërkon prej disa ditësh bllokimin e punimeve që po kryhen për ndërtimin e velierës. Reshjet e shiut nuk i kanë ndalur të protestonin në sheshin ku po ngrihet Veliera. Me këmbëngulje pohuan se nuk do lejojnë të shkatërrohen vlerat arkeologjike të qytetit 3 mijë-vjeçar. Sazan Guri: Keni vendimin e Gjykatës e cila thotë: në pjesën e sipërme ndalohet rreptësisht ndërhyrja me vepra urbane. Aktivist: Nuk jemi keq për Velierën. Veliera e cila ngrihet 20 metra nga Torra Veneciane është në shkelje të Ligjit 9048 të Ligjit Trashëgimisë Kulturore. Qytetar: Jemi këtu për të mbrojtur qytetin tonë nga betonizmi. Pse nuk thërrasim UNESCO-n?! “Është kjo Velierë betoni që na varros trashëgiminë tonë kulturore. E bukura për ne janë ato mure që janë varrosur aty. Ata nuk kanë frikë nga Gjykata, sepse e blenë gjykatën, ata nuk kanë frikë as nga vota juaj, sepse votën e kanë blerë. Nuk kanë blerë votën tonë, por kanë blerë votën e një pjese sa për të qëndruar në pushtet. Protesta është këtu, por edhe në Tiranë ku protestohet për votën e lirë, pa u futur në politikë të gjithë duam votë të lirë të votojmë për atë që duam. Këto gurë t’i marrim dhe mos t’i hedhim dhe tja lëmë atij si paralajmërim. Ne do të t’i hedhim jo në mënyrën si i ke hedhur ti o barbar, por do të t’i hedhim në mënyrë paqësore që t’i të kthehesh. “Më herët Shoqëria Civile ka organizuar disa protesta në sheshin ku po ndërtohet Veliera, me argumentin se po cënohet trashëgimia kulturore e qytetit bregdetar. Prej disa ditësh, një grup qytetarësh durrsakë të mbështetur nga shoqatat mjedisore të kryeqytetit kanë protestuar pranë Torrës Mesjetare, pikërisht aty ku prej disa javësh vazhdojnë punimet për sistemin nëntokësor të kanalizimeve. Protestuesit thonë se, ky ndërtim po shkatërron rrënojat arkeologjike të qytetit, pasi muri rrethues i qytetit antik, ndërtim i shekullit të V para erës sonë, kalon pikërisht në vendin ku po zhvillohen punimet. “Prej ditësh, këtu janë bërë gërmime ku ka dalë edhe arkeologjia në shesh, por kryetari i Bashkisë e ka betonizuar. Muri i kalasë po betonizohet”, u shpreh një nga përfaqësuesit e protestës. Ambientalisti Sazan Guri, u tha protestuesve se po shkatërrohet historia e një qyteti. “Këtu bëhet një gërmim për të ngritur një objekt, për të lënë shenjë, sepse nuk është e domosdoshme që ky objekt të rrijë si hije nën këtë Torre që është me vlera”, u shpreh Sazan Guri.
Historianët: Muret rrethuese datojnë që nga koha e Bizantit
Pretendimet e Ramës dhe Gjushit i hedh poshtë historiani Milan Shufaj. Në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët” në paragrafin ku flet për ndërtimin e qyteteve ja si e përshkruan ndërtimin e Durrësit, pikërisht në vendin ku sot po ngrihet Veliera e famshme,
nëpër rrënojat e lashtësisë sonë kombëtare
Themelet e fortesës të kohës se mesme të Durrësit i hodhi mbreti bizant Anastasi (491-518) që kishte lindur aty.
Shtytjen për këtë ia dha gjendja e mjerueshme e Durrësit pas ikjes së gotëve e ndoshta edhe dëmi që shkaktoi tërmeti katastrofal i vitit 345, pas të cilit nuk ishte merimetuar plotësisht.
Anastasi dha urdhër që qyteti të forcohej me rrethime fortesash trefishe, të cilat pas termetit të vitit 518 i përmirësoi mbreti Justin dhe i përfundoi Justiniani.
Sikundër e kërkonte nevoja në kohën e dyndjes së popujve dhe për vetë fuqinë e madhe detare të Bizantit sistemi i fortifikimeve ishte i ndërtuar kundër sulmeve nga ana e tokës.
Fortifikimin e fundit e përbënte mbyllja e rripit të ngushtë prej 7 km në veri të qytetit në rrugën nga ana e Bishtit të Pallës.
Ideja e këtyre lloj fortesave u vu në veprim në atë kohë dhe në “murin e gjatë” para Kostandinapolit, madje në Termopilet, me vonë në Gadishullin e Kasandrës, afër Selanikut dhe në Hersonez të Trakisë.
Ky mur ishte 200 m i gjatë, 1 m i trashë e me tulla të bukura bizantine.
Edhe sot rruga kalon nëpër portën e këtij muri e sipas emrit të tij të gjitha rrënimet quhen Porta.
Qysh prej kohës kur Venedikasit pushtuan Durrësin (1392) këto fortesa kanë mbetur rrënoja.
Nga ana e tokës qyteti kufizohej deri në kohën e Venedikut me rrethimin e dytë, me mure e Varoshit të cilat ishin aq të gjera sa mund të ecnin katër kalorës përbri njëri-tjetrit.
Këto mure i rindërtoi despoti i Epirit dhe mbreti i mëvonshëm Teodor.
Duke Komneni , i ati i Ana Dukës, e cila u martua në vitin 1220 me mbretin serb Stefan Radoslavin dhe që pas thyerjes së të jatit në betejën afër Klokotniscës iku në Durrës bashkë me burrin e saj (1234) dhe u la në vullnetin e një “Ftanku të madh”.
Prej këtyre mureve, natyrisht jashtë “Varoshit të Vogël”, sot shihet një pirg me një mbishkrim greqisht të vitit1223 që thotë se këtë ndërtesë të vjetër, të jashtezakoneshme e ka ngritur Theodor Komneni.
Rrethimin e tretë të perforcuar e formonte në anën Juglindore të qytetit kështjella ose qyteza.
Kur Anzhuinet , pas tërmetit të vitit 1273, ( rreth1280) ndërtuan limanin e Durrësit kështjellën e re, kështjella e vjetër bizantine quhej “castrm superius”.
Fillimet e rrënimit të Durrësit i shënon tërmeti katrastofal i vitit 1273 që i ngjan atij të Raguzës të vitit 1667.
Shumë qytetarë me këtë rast gjetën vdekjen, shumë të tjerë ikën nëpër male dhe në Berat prej nga vetëm një pjesë guxoi të kthehej në shtëpi ne vitin 1284.
Mbas tërmetit ndodhi një zi bukë e gjatë, pastaj një murtajë e tmerrshme, në vitin 1348 dhe 1363, më vonë luftime për pushtimin e Durrësit të shoqëruara me egërsinë tiranëve shqiptarë.
Nga këto shkaqe një pjesë e madhe e popullsisë u shtrëngua të shpërngulej në Apuli ku jetonte me të lypur
Me gjithë këto, Durrësi ndoshta do të mund të duronte gjithçka në se tërmeti nuk do t’i mbyllte kënetës së madhe rrjedhën për në det e të shkaktonte kështu “ajrin e lig”.
Në një masë më të madhe se sa në Vlorë e në Medonë malarja bënte dëm në popull e veç kësaj frika prej turqve i shtynte qytetarët të shkonin në vendet e huaja.
Në vitin 1430 venedikasit zvogëluan rrethimin e mureve të qytetit për arsye se ai nuk mund të mbrohej kursesi prej madhështisë që kishte prej numrit të vogël të ushtarëve, në vitin 1428 qyteti u shkatërrua gati fare.
Venedikasit shpallën se ata që donin të vendoseshin në Durrës nuk do të paguanin taksa.
Më në fund, Republika e Venedikut vendosi të plotësonte dëshirën e vjetër të qytetarëve që qyteti të shndërrohej me ndihmën e hendeqeve e të gërmimeve, në një ishull dmth që këneta të bashkohej nga ana e Veriut dhe e Jugut me detin, kështu që ujtë e detit të rrethonte plotësisht.
Në krye të kësaj pune, për të cilën edhe zotërit shqiptar dhanë një numër punëtorësh, ishte në vitin 1455 një inxhinier venedikas.
Por ky mundim i madh u tregua i pamjaftueshëm kundrejtë fuqisë së natyrës.
Kanalet ekzistencën e të cilave e vërtetojnë edhe sot kallzimet e banorëve, mbylleshin me shpejtësi me rërën e detit.
Ishte e nevojshme që ata të pastroheshin vit për vit, si për shembull në Trogirin (Trau) e kohës së mesme, por kjo punë nuk u bë.
Përsëri filluan ankimet për “ajrin e keq”, por në vere, në gusht të vitit 1501, turqit kapërcyen kënetën që në shume vende ishte tharë dhe papritur e pakujtuar sulmuan Durrësin.
Turqit përnjëherë e zvogëluan të gjithë qytetin në vendin e zbrapsur nëpërmjet dy pirgjeve, në anën e pirgut bizantin
Këta atje, paralel me muret e vjetra romake, një km larg dhe me muret e vjetra bizantine gjysëm km ngritën në drejtim të Veriut një mbrojtje të re, ndërtuar me gurë rrënimesh të vjetra.
Ky mur, me një pirg katërkëndesh mbi “Porta grande”, me copa mermeri, me skulptura të vjetera, me mbishkrime romake, bizantinë, e venedikase, mandej me gurë varresh e me stema duket si një muze i vërtetë.
Historia e Durrësit të vjetër
Milan Shufaj: Nga libri “Serbët dhe shqiptarët”
Torra Veneciane e betonizuar tërësisht
Tashmë hapësira rreth Torrës Veneciane është e betonizuar totalisht, duke shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme trashëgiminë kulturore të qytetit të Durrësit. Më 17 shkurt, Gjykata Administrative vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të sheshit, pikërisht në vendin ku u gjetën themelet e ndërtesës e mjete të vjetra lufte. Por fotot e publikuara nga qytetarët sot tregojnë se punimet jo vetëm që nuk janë ndalur, por është hedhur beton mbi gjetjet arkeologjike. Qytetarë, aktivistë të Shoqërisë Civile e arkeologë, që e quajtën fitore vendimin e gjykatës për pezullimin e ndërtimit, protestuan sot sërish kundër kryebashkiakut Vangjush Dako. Punimet për rikualifikimin urban të sheshit Veliera në Durrës kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 2400 metra katrorë. Qytetarët dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile e kanë kundërshtuar vazhdimisht këtë projekt, duke u shprehur se projekti rrezikon të betonizojë trashëgiminë kulturore në Durrës. Ky projekt nisi në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë. Ai do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro. Në total, 40 për qind e të gjithë buxhetit të vitit 2017 të Bashkisë Durrës. Ky projekt përveç kostos së lartë e dëmtimit të trashëgimisë kulturore mijëravjeçare të Durrësit është dhe një provë e klientelizmit të qeverisë Rama, ku një grup i ngushtë miqsh të Kryeministrit kanë përfituar të drejtën për të realizuar pjesën më të madhe të ndërhyrjeve infrastrukturore në vend. Projekti filloi përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor nga Këshilli Bashkiak. Projekti “Veliera” është projektuar nga firma italiane e arkitekturës “Archea Associati” e arkitektit të dënuar në Itali, Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale. Tenderi për ndërtimin e “Velierës” iu dha kompanisë “Everest” shpk dhe “Fusha” shpk. Kjo e fundit ka fituar edhe projektin e Sheshit “Skënderbej”, duke marrë tri tendera publikë të njëpasnjëshëm. Ashtu si në rasti e projektimit, kompania “Everest” dhe “Fusha” fituan vetëm sepse konkurruesit e tjerë u skualifikuan. Ndërkohë, kompania “Everest”, në të njëjtën datë, u skualifikua nga një tender i Bashkisë Tiranë, sepse nuk paraqiti vërtetimin e pagesës së taksave. Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rozë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”. Dy shtyllat e “velës” së betonit, të cilat janë shumë afër qendrës së qytetit ndodhen brenda Zonës A, cepi i tunelit ndodhet shumë pranë skajit të saj. Për mbajtjen e velës së betonit me sipërfaqe 200 metra katrorë, themelet duhet të jenë veçanërisht të forta. Ndërtimi i tyre, pa asnjë dyshim, do të dëmtojë shtresat e nëndheshme të qytetit. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore po përpiqet të rrisë vetëdijen për dëmet e pakthyeshme që po pëson kultura dhe trashëgimia kulturore e qytetit të Durrësit, si dhe ka kërkuar ndalimin e ndërtimeve. Edhe pse Durrësi është i vetmi qytet në Shqipëri që ka nëntokën të shpallur me ligj, nëntokë muzeore shkatërrimi vazhdon dhe sot. “Unë do përmend tre shkatërrime të mëdha të Durrësit. I pari, ka qenë po këtu në afërsi të Torrës Veneciane, tek ish-shtëpia e Pionerit, ku u zbulua Porta e Artë e rrugës Egnatia. Kjo përbëhej nga tre porta, një e madhe në mes që ishte për karrocat dhe kalorësit dhe dy porta anash që ishin për këmbësorët. Kur u bë ky zbulim që ishte i vetmi i gjithë rrugës kontinentale Egnatia, unë protestova dhe bëra shkrime, që mos prishej ky monument unikal dhe të mos mbulohej nga ndërtimi, por mbulua nga ndërtimi i një pallati. Një krim për arkeologjinë. Krimi i dytë, lagjia në qytetin antik në ish lulishten 1-Maji, dhe rasti i tretë është kjo që po ndodh me projektin Veliera”, pohon arkeologu Moikom Zeqo, i cili këto ditë ka reaguar jo pak për këtë projekt që ka nisur në Durrës. Arkeologu pohon se është një marrëzi projekti që ka nisur në këtë qytet.