Ançeloti nuk trembet

Prej disa sezonesh kanë qenë të shumtë yjet e futbollit europian, të cilët janë transferuar në Kinë të joshur nga ofertat stratosferike të klubeve të këtij vendi. Oscar, John Obi Mikel dhe Carlos Teves janë emrat më të fundit që kanë vendosur ta vijojnë karrierën e tyre në Lindjen e Largët, madje argjentinasi pas firmës me Shangai Shenhua u bë lojtari më i paguar në planet, duke lënë pas edhe Cristiano Ronaldon e Lionel Messin.
Mirëpo paratë që po shpenzohen për të transferuar lojtarët më cilësorë në qarkullim në futbollin kinez nuk i bëjnë përshtypje trajnerit të Bayernit të Mynihut, Karlo Ançeloti. Sipas italianit, klubet europiane nuk kanë përse të shqetësohen aspak nga ky fenomen, pasi paratë kurrë nuk do të jenë motivi kryesor në vendimin e një futbollisti për të ndryshuar skuadër apo kampionat.
“Po është e vërtetë që janë disa futbollistë të rëndësishëm që janë transferuar në Kinë gjatë këtij muaji, megjithatë klubet europiane për momentin duhet të ndihen të sigurta. Kampionatet më të forta dhe më të bukura janë akoma në Europë, pra edhe futbolli më i bukur luhet në Europë. Lojtarët nuk luajnë vetëm për para, por edhe për të qenë më të mirët dhe të jenë pjesë e ndeshjeve më të bukura në botë”, u shpreh Ançeloti.
Në fakt tregu kinez i futbolli është interesuar për futbollin europian edhe për faktin që në vendin aziatik janë transferuar emra të rëndësishëm të trajnimit, si Lippi, Villas Boas apo Scolari. Çmenduritë kineze kanë shkuar deri aty që t’u kërkojnë edhe gjyqtarëve më të mirë në qarkullim, si anglezit Clatenburg, që të vënë drejtësi në kampionatin e këtij vendi.
Milionat e ofruara nga kinezët po joshin së tepërmi yjet e futbollit europian dhe botëror. Listës së Superligës kineze me emrat si Tevez, Oskar, Pele apo Hulk pritet t’i bashkohet edhe Riberi, por ndoshta në verën e 2018-ës. Gjatë konferencës për media në Doha, ylli francez i Bajernit flet për të ardhmen, modelin me numër 7 të flokëve, atmosferën në ekip, urinë për fitore, Lahmin dhe Hënesin.
Ribery ka deklaruar se mund të shkojë në Kinë. “Në jetë mund të ndodhë gjithçka. Kam edhe një vit me Bajernin. Kam arritur shumë dhe jam i lumtur në Mynih. Aktualisht jam në superformë. Më pas të shohim, ndoshta në Kinë, Katar ose Dubai. Nëse ata do të paguajnë mirë, atëherë pse jo? Gjithçka është e mundur”, u shpreh Riberi në një intervistë.

Exit mobile version