Miti i ndërhyrjes ushtarake në Siri

A Syrian man carries his two girls as he walks across the rubble following a barrel bomb attack on the rebel-held neighbourhood of al-Kalasa in the northern Syrian city of Aleppo on September 17, 2015. Once Syria's economic powerhouse, Aleppo has been ravaged by fighting since the rebels seized the east of the city in 2012, confining government forces to the west. AFP PHOTO / KARAM AL-MASRI (Photo credit should read KARAM AL-MASRI/AFP/Getty Images)

Stephen M. Walt

Teksa gjakderdhja në Siri vazhdon pa dhënë asnjë shenjë të përfundimit, nuk është aspak e çuditshme që shumë njerëz po i dyfishojnë përpjekjet për të shtyrë Shtetet e Bashkuara që “të bëjnë diçka”. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton (ndoshta edhe presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara) e ka përdorur fushatën e saj për të përçuar mesazhin se vazhdon të mbështesë idenë e vendosjes së zonës ku nuk lejohen fluturimet (no-fly zone) dhe shumë e shumë politikanë të tjerë, ekspertë dhe grupe interesi vazhdojnë të sugjerojnë se paaftësia e Shteteve të Bashkuara për t’u kundërpërgjigjur është një tjetër shenjë e tkurrjes së pushtetit dhe zbehjes së kredibilitetit të vendit.
Greg Jaffe, i “Washington Post”-it ka raportuar se nxitësit e zakonshëm në çështjet e politikës së jashtme janë duke u bashkuar për të mbrojtur idenë e një kundërpërgjigjeje më të fortë të Shteteve të Bashkuara, gjë që sugjeron se amnezia strategjike është duke marrë përmasa epidemike. Mesazhi që po përçohet është i njëjtjë: Nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë, angazhimi retorik amerikan që thotë se mizoritë e tilla nuk duhet të ndodhin më, do të shfaqet si mashtrim dhe se vendimi për të qëndruar përsëri të distancuar nga kjo çështje do të jetë një tjetër shenjë shqetësuese e rënies së Shteteve të Bashkuara.
Nëse keni qenë lexues të rregullt të opinioneve, atëherë e dini që shumë ekspertë janë të mendimit se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të angazhohen më thellë se kaq në luftën civile tragjike të Sirisë. Le të mos harrojmë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në një sërë mënyrash në këtë konflikt që nga fillimi. Megjithatë, duhet pranuar se ka edhe alternativa të tjera ndaj këtij pozicioni.
Respektoj ata që kanë konsideratë më të gjerë humanitare, ndoshta edhe në kurriz të ngushtimit të interesave kombëtare dhe ata që mendojnë se Shtetet e Bashkuara (së bashku me aleatët) duhet të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për t’u dhënë fund luftimeve dhe të shpëtojnë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm sirianë. Opinionistët e dy alternativave kanë të përbashkët qëllimin final – shpëtimin e jetëve – por nuk bien dakord me strategjinë e dërgimit të armëve apo angazhimin e forcave të Shteteve të Bashkuara në luftë. Cila nga këto dy alternativa mund ta arrijë qëllimin final me një kosto të pranueshme dhe cila do të arrinte vetëm të hapte dyert e gjakderdhjes më të madhe, ndëshkimit dhe ekstremizmit?
Në fakt, ata që mbështesin ndërhyrjen ushtarake amerikane duhet të krijojnë gjithashtu edhe një strukturë të rendit politik në Siri pas luftës civile, së bashku me një rrugë të detajuar për të arritur deri atje. Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të ndihmojnë në rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit, për arsye që nuk janë të vështira për t’u kuptuar, por mungon përsëri nocioni thelbësor i sistemit që do të zëvendësojë këtë regjim.
Nuk është e nevojshme të përmendet fakti që kjo ishte strategjia që i mungoi Shteteve të Bashkuara kur pushtoi Irakun dhe kur ndihmoi në rrëzimin e Muammar al-Qaddafit në Libi: të heqësh qafe diktatorin e egër së bashku me ithtarët e tij ishte pjesa më e lehtë, por nuk kishim asnjë ide se çfarë dhe kë do të vendosnim në vend të tyre. Ajo që kundërshtoj më shumë është përpjekja për të frikësuar amerikanët se nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë pushteti, imazhi apo reputacioni i vendit do të vihet në rrezik. Ky pretendim nuk qëndron aspak në këmbë, edhe pse është përmendur shumë e shumë herë më parë. Ironikisht, është vërtetë që nëse vazhdohet të përmendet ideja se nëse Shtetet e Bashkuara nuk përfshihen në konflikte të dhunshme, kjo është shenjë e rënies së Shteteve të Bashkuara, gjithnjë e më shumë njerëz do të fillojnë ta besojnë. Megjithatë, e vërteta është se ky pretendim nuk ka asnjë bazë të qëndrueshme.
Përse? Përgjigjja është thjeshtë: Sepse njëlloj si fuqitë e tjera të mëdha, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur vazhdimisht për të mos ndërhyrë në shumë katastrofa të tjera humanitare, por askush nuk ka arritur në konkluzionin se vendi po dobësohej, i mungonte dëshira për të mbrojtur interesat kombëtare apo se po kthehej në një gjigant të butë. Më tej, këto vendime të mëparshme të mosveprimit dhe mosndërhyrjes nuk kanë pasur asnjë impakt në sigurinë, prosperitetin apo pozicionin e Shteteteve të Bashkuara në botë, madje e vërteta është që Amerika ka përfituar gjithmonë më shumë nga mosangazhimi në situata të tilla.
Kur Britania e Madhe hoqi dorë nga perandoria koloniale në Indi në vitin 1947, për shembull, largimi i saj nga vendi shkaktoi një valë prej 10 milionë refugjatësh dhe mbi një milion të vdekur në konfliktin ndërmjet popullit dhe hindu dhe mysliman. Ky është një nivel vuajtjeje akoma më i madh se ai që po ndodh në Siri në ditët e sotme, por Shtetet e Bashkuara nuk u përpoqën ta frenonin.
Paaftësia e Washingtonit për të vepruar nuk e dëmtoi reputacionin e vendit dhe nuk e ndaloi për të formuar NATO-n, implementuar kontrollin apo ndërtuar një sërë institucionesh dhe marrëdhëniesh përmes së cilave zhvilloi dhe fitoi Luftën e Ftohtë.
Siç është shprehur edhe Gary Bass në librin e tij “Telegrami i Gjakut”, Shtetet e Bashkuara e kanë përsëritur këtë politikë moralisht të dyshimtë gjatë luftës së vitit 1971 ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, duke bërë një sy qorr përpara provave se ushtria pakistaneze kishte kryer qëllimisht masakrën e 300 mijë njerëzve në Bengali dhe dëbimin e 10 milionë të tjerëve që u detyruan të emigronin. Megjithatë askush, as atëherë dhe as sot, nuk besoj se ky veprim, sado i qortueshëm, kishte një impakt në pozicionin e Amerikës si fuqi globale.
Po kështu, kur Khmer Rouge u ngjit në pushtet në Kamboxhia në vitin 1975, pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme të Shteteve të Bashkuara atje dhe qindra mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë në “fushat e vdekjeve”, Shtetet e Bashkuara nuk ndërhynë. Ironikisht, ishte Partia Komuniste e Vietnamit – armiku i Amerikës gjatë luftërave indo-kineze – ajo që ndërhyri për të larguar Pol Potin dhe mbështetësit e tij nga pushteti. Paaftësia e Washingtonit për të ndërhyrë nuk e shkaktoi rënien e NATO-s, as prishjen e aleancave amerikane në Azi dhe nuk e ndaloi qëllimin e Shteteve të Bashkuara për të triumfuar kundër Bashkimit Sovjetik.
Lista e mungesës së ndërhyrjeve nuk përfundon këtu. Shtetet e Bashkuara nuk bënë asgjë për të frenuar gjakderdhjet në El Salvador dhe Guatemalë, bënë një sy qorr përballë “luftës së pistë” të Argjentinës ndërmjet viteve 1976-1983 dhe mbështeti hapur Irakun gjatë luftës së tij të gjatë me Iranin, ku vdiqën mbi 1 milion njerëz. Bill Clinton vendosi të mos ndërhyjë në gjenocidin e Ruandës në vitin 1994, por ky vendim, për të cilin Clinton tha se ishte penduar më pas, nuk e dëmtoi pozicionin e Amerikës në botë dhe as presidencën e Bill Clintonit.

Sa kushton mosndërhyrja amerikane në konflikte

Shtetet e Bashkuara, së bashku me pjesën tjetër të fuqive të mëdha, kryesisht kanë vendosur të qëndrojnë larg një sërë luftërash të përgjakshme që janë zhvilluar në Republikën Demokratike të Kongos. Rreth 5 milionë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e këtyre luftërave megjithatë askush nuk ka thënë se mosndërhyrja e Amerikës ka vënë në diskutim qëndrimin e saj moral dhe politik në botë.
Në secilin prej këtyre rasteve ka pasur zëra të shumtë që i thonin Amerikës “të bëjë diçka”. Ndoshta kanë pasur të drejtë, të paktën në disa raste të veçanta kur ndërhyrja me të vërtetë mund të evitonte vdekje të njerëzve të pafajshëm. Por e vërteta e ftohtë dhe e hidhur është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë bërë shumë pak për të parandaluar katastrofat dhe pasojat e tyre nuk i kanë prekur.
Kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë më shumë për të zgjidhur çështjen e Sirisë apo në vende të tjera ku ka krizë humanitare. Kjo është një tjetër çështje dhe ka të bëjë më shumë me faktin nëse Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin dhe zgjuarsinë për t’i përmirësuar situatat me një kosto të pranueshme. Fatkeqësisht, të dhënat e ndërhyrjeve të fundit në Irak, Jemen, Libi, Somali, Sudan dhe Afganistan ngrenë dyshime të mëdha në këtë aspekt dhe Siria është një mjedis akoma më i rrezikshëm dhe më i paqendrueshëm për të rikrijuar një rend politik që nuk do të kthehet në një tjetër kërcënim për vendin.
Deri tani, argumenti më i keq që përdoret për të ndërhyrë në Siri është sugjerimi se ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara është e dosmosdoshme për të ruajtur kredibilitetin amerikan, për të ngritur reputacionin si një superfuqi globale me moral të lartë apo për të ruajtur respektin e aleatëve dhe kundërshtarëve në të gjithë botën.
Të dhënat historike tregojnë se mosndërhyrja në tragjeditë humanitare ka shumë pak impakt mbi pozicionin e Amerikës dhe e njëjta gjë vlen sot me çështjen e Sirisë. Në të kundërt, zhytja në sagën siriane është mënyra më e mirë për të shpërdoruar burimet dhe për të djegur kapitalin politik të liderëve amerikanë, gjë që e bën Amerikën më pak të aftë për të reaguar përballë sfida që kërcënojnë interesat kombëtare në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ka shumë e shumë ekspertë që mund të shpalosin teza të ndryshme për ndërhyrjen ushtarake në Siri, bazuar në qëllimin mëse të denjë të reduktimit të vuajtjeve njerëzore dhe të shpëtimit të njerëzve të pafajshëm. Kjo mund të ndodhë në rast se Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët, krijojë një strategji afatgjatë të regjimit sirian që do të zëvendësojë atë të Bashar al-Assadit. Por duhet refuzuar njëherë e përgjithmonë ideja se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë sepse janë në rrezik siguria, prosperiteti dhe reputacioni i vendit. Kjo nuk është e vërtetë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version