Zjarri tek spitali, familjarët e viktimave kërkojnë dëmshpërblim

Familjarët e viktimave që humbën jetën nga zjarri tre ditë më parë në Spitalin Amerikan, kanë kërkuar dëmshpërblim. Disa prej të afërmve të pacienteve Hani Malit dhe Sanie Sulajt, pretendojnë për një dëmshpërblim financiar për jetët e humbura. Sipas tyre, të afërmet e tyre kanë qenë në dorëzim nga ana e Spitalit Amerikan dhe për pasojë ishin duke marrë shërbimin që u takonte me ligj.
Por për shkak të kushteve jo të mira të sigurisë dhe teknikës së shuarjes së zjarreve, këto dy shtetase kanë ndërruar jetë. Sipas familjarëve vdekja e tyre nuk ka ardhur për shkak të plagëve të marra, por për shkak të asfiksisë, pasi ndihma e spitalit është dhënë me vonesë, dhe për pasojë Hani Mali dhe Sanie Sulaj janë mbytur për shkak të tymit.
Disa prej familjarëve thonë se pas gjithë asaj që ndodhi, dy gratë kanë qëndruar të shtrira në tokë, pasi nuk mund të largoheshin për shkak se ishin të lidhura me makinerinë e hemodializës.
Ndërhyrja e stafit të sigurisë së spitalit dhe mjekët, ka qenë e vonuar dhe për pasojë, sipas tyre ka ardhur dhe vdekja e grave. Shqiptarja.com shkruan sot nuk dihet me saktësi nëse në ditët në vijim familjarët e viktimave t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës me padi për dëmshpërblim financiar, por ka shumë gjasa që një veprim i tillë të ndodhë në vazhdim.
I gjithë pavioni i hemodializës është përfshirë nga flakët e zjarrit, pasi njëri nga pacientët e këtij spitali Lefter Canaj, ka lyer me 1.5 litra benzinë pacientin tjetër Dashamir Saraçi, duke i vënë më pas zjarrin. E gjithë skena është riregjistruar nga kamerat e sigurisë, ndërkohë që shumë pranë vendit të ngjarjes ka qenë dhe një infermier i Spitalit Amerikan.
Autori i krimit e kishte futur në çantën e tij shishen e benzinës, ndërkohë që askush nuk e kishte kontrolluar tek dera hyrëse e Spitalit Amerikan.
Dy pistat ku po heton Prokuroria
Mbetet ende mister shkaku që çoi në zjarrvënien në Spitalin Amerikan në Tiranë, ngjarje tragjike që solli 4 viktima. Policia dhe Prokuroria janë duke hetuar në dy pista në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa nën hetim është edhe vetë spitali, pasi nuk ka pasur sistem të sigurisë ndaj zjarrit.
Materiali hetimor i bërë nga policia dhe ekspertët ka mbërritur një ditë më parë në tryezën e prokurorit të ngarkuar me hetimin, Robert Kote. Burimet nga akuza e kryeqytetit, bazuar në të dhënat dhe dëshmitë e marra deri më tani, hetimi në lidhje me ngjarjen është përqendruar në dy drejtime kryesore.
Objektivi i parë i hetimit është zbardhja e arsyes së konfliktit mes dy pacientëve, Lefter Canaj, autor i ngjarjes, tashmë i vdekur, dhe personi i spërkatur me benzinë, Dashamir Saraçi, gjithashtu i vdekur.
Prokuroria ka thënë se hetimi i dytë do të jetë te masat e sigurisë kundër zjarrit, ku do të verifikohet nëse ambientet e brendshme ku ofrohet shërbimi i hemodializës kanë pasur të instaluar dhe në funksion sistemin kundër zjarrit.
Hetuesit thanë se në institucione të tilla, ku ofrohet shërbim publik për persona të sëmurë, sistemet kundër zjarrit duhet të jenë të tilla që të vihen në funksion menjëherë sapo konstatojnë tym apo nxehtësi.

Exit mobile version