Baleti “non grata” në Durrës

AGRON GJEKMARKAJ

Durrësi, qyteti i cili shfaqet kudo në shënimet historike që nga Plutarku e Herodoti si shenjë e lashtësisë e identitetit shqiptar, prej vitesh gjendet nën thundrën e të paudhëve. Durrësi i qindra bukurive është bërë vendi simbol ku pushteti abuzon me votën, e industrializon atë, e manipulon, i ndryshon kahjen. Për disa mandate atë e ka qeverisur “akullorja” Vangjush Dako, njeri i identifikuar me betonin si biznes dhe i akuzuar për betonizimin e qytetit në shërbim të tij. Po kaq i shfaqur aty-këtu në pisllëkun e përgjimeve telefonike, në të cilat dëgjohen rrëketë e poshtërsisë njerëzore, se si shitet e blihet vota, si kërcënohen qytetarët e administrata nëse nuk i shërbejnë PS-së. Durrësin e goditi tërmeti, po shumë më tepër Edi Rama me Vangjush Dakon. Në zgjedhjet e 25 prillit, aty u eksperimentua ndërhyrja më e madhe shtetërore në shërbim të masakrës zgjedhore. Mbi 120 milionë euro. Kudo shfaqet Vangjua si simbol i ujërave të zeza nën rrogoz, si personazh balzakian, ku ambiciet, pasurinë, shërbestarinë dhe tamahqarllëkun i ka shumë pashë më të gjatë se shtatin. Strumbullar me veset mullar u shfaq kudo skutave e kthinave, duke psherëtirë me sytë përdhe, duke joshur e shpënë mesazhe.

I njohur si Gjushi ose “akullorja”, qerratai u shpall “non grata” nga SHBA-të për të gjitha këto virtyte që ka shfaqur e shumë si ai në Shqipërinë tonë.

“Akullorja” nuk mbaron ai vetofrohet për ta lëpirë përsëri. Në këto ditë fushate u shfaq me kandidaten e rilindjes a PS-së në Durrës si shefi i saj pasi e ka caktuar ai. Non gratta e Rilindjes është mentori e punëdhënësi i kandidates së PS-së. Kush voton atë ka akulloren në shpi. Nga ana tjetër bashkëkryetari i LSI-së, Sali Berisha, edhe ai për fat të keq “non gratta” po bën fushatë për këtë parti të majtë duke u bërë thirrje demokratëve të votojnë për partinë e Metës. Baleti “non gratta” në qytetin e vjetër po luhet më shëmtueshëm se kudo. Më turpshëm se kudo, më kërcënueshëm se kudo për qytetin dhe qytetarët. Më infrastrukturën që non gratta-t disponojnë kryesisht ekonomike po përpiqen të influencojnë vullnetin e zgjedhësve. Durrësi e ka një mundësi reale për të ikur nga tuneli “non gratta” atë ia jep Partia Demokratike me kandidatin e saj, Luan Hoti, të pakapur nga mafia dhe non gratta-t, intelektual e profesionist. Durrësi duhet të dalë nga pushteti i veseve dhe t’u kthehet njerëzve normal e të ndershëm. Durrësi duhet të mbështesë Luan Hotin dhe PD-në. Durrësi ishte krenari dhe hierarki në antropologjinë historike e kulturore shqiptare, Durrësi nuk mund të jetë qytet non gratta, as peng i tyre, ai duhet t’i bjerë kambanës së ndryshimit më 6 mars!!!/Panorama

Exit mobile version