Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një takimi me demokratët në Lezhë u shpreh se, as Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend.
“Ne treguam se pa asnjë pushtet, të bërë njësh me qytetarët mund ta ngrinim valën e ndryshimit, Ata po bëjnë çdo përpjekje të na ulin kokën, të na dëshpërojnë, të na përçajnë. Po bëjnë gjithçka të çoroditin opinion publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës.
Jo, 25 prilli është një humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët, një humbje e përkohshme e shansit për ndryshim por çdo ditë, çdo javë e çdo muaj deri në rrëzimin e këtij regjimi beteja do të vazhdojë. Sepse, në qoftë se ka diçka tjetër që historia na tregon përveç paraleleve të 91-shit apo 2001-shit është: një që demokratët nuk dorëzohen kurrë siç e treguat edhe ju, demokratët e qarkut të Lezhës dhe e dyta se në orët më të vështira të vendit, shqiptarët nuk kanë asnjë vend tjetër ku të vendosin kokën e tyre përveç se në supin e demokratëve. Nuk kanë asnjë forcë tjetër ku të mbështeten përveçse tek Partia Demokratike.
Ndaj, sot është dyfish detyrimi ynë që valën e shpresës dhe të besimit për ndryshim që bashkë e ngritëm ta vazhdojmë, ta bëjmë më të fortë, më të vendosur. Shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, lagje më lagje, qytet më qytet, nga jugu në veri asnjë minutë paqe për regjimin Rama-Doshi dhe racën e tyre bastarde të kriminelëve.
Është fare e thjeshtë zgjidhja: ose shqiptarët do të ulin kokën para këtij grushti bastardësh, ose të gjithë bashkë do t’i tregojmë vendin dhe do t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Le ta themi fare hapur në familjet tona, prindërit tanë kur kemi qenë fëmijë, ne që sot jemi vetë prindër kemi ushqyer një tjetër model dhe ushqejmë një tjetër model, modelin e ndershmërisë, të dinjitetit e vlerave. A është mëkat ky? A është dobësi kjo? Përpiqen të na bëjnë të besojmë që dobësia jonë është që nuk bëjmë dot aleancë me bandat.
Në fakt kjo është forca jonë, kjo është vlera jonë dhe ky është çelësi i betejës që do të vazhdojmë deri në fitore për një arsye fare të thjeshtë se, sado që t’i rreshtojmë emrat nga i pari tek i fundit, ata mbeten një grusht njerëzish që përfaqësojnë llumin e shoqërisë dhe ne të gjithë bashkë, bashkë me mijëra socialistë që njësoj si ne prisnin që 25 prilli të ishte një ditë ndryshimi, nuk mund t’i lëmë një grusht kriminelësh të na e ndalin rrugën që e kemi nisur bashkë.
Natyrisht miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën dhe lirinë e vetë për shprehjen e mendimit, ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e vetes dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime. Por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt.
Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjithë kritikat konstruktivë, idetë dhe konceptet teksa bëhemi gati që mbi 680 mijë shqiptarë që na besuan në valën tonë të ndryshimit t’i udhëheqim në vazhdimin e kësaj beteje deri në fund.
Ju e keni patur dhe shumë shpejt do ta keni përsëri të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit tuaj me votë, por tani e gjithë vëmendja jonë duhet të jetë tek mobilizimi i çdo energjie të demokratëve, të mbështetësve tanë të atyre që na besuan pavarësisht nëse janë apo jo votues tanë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara.
Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim. Kush është i lodhur nga kjo betejë ka hequr dorë nga Shqipëria, ka hequr dorë nga demokracia, është kthyer vetvetiu në një skllav të Edi Ramës, Tom Doshit, Arben Ndokës me shokë.
Kush është lodhur nga kjo betejë është dorëzuar dhe pranon që fatin e familjes së vet, fatin e fëmijëve të vet t’ia dorëzojë atyre të cilët në familjen tonë nuk do t’i qasnim kurrë. Përfundimi i kësaj beteje është i pashmangshëm dhe fundi i regjimit Rama-Doshi, është fitorja e Shqipërisë. Këtë betejë ne e nisëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk e nisëm për veten tonë.
Këtë betejë ne e nisëm për lezhjanët, mirditorët dhe kurbinasit, nuk e nisëm për karriget tona. Këtë betejë ne do ta përfundojmë për lezhjanët, për kurbinasit, për mirditorët, për shqiptarët me fitoren e Shqipërisë. Ndaj, ju bëj thirrje që siç jemi mbledhur sot bashkë këtu me kapitenët kryesorë të betejës në qarkun e Lezhës, i ka dhënë një mësim shembullor regjimit me rezultatin e marrë përkundër të gjithë shantazheve kriminale, milionave që derdhën dhe vënies në funksion të fushatës shtetin, njësoj si në kohën e partisë-shtet.
Ajo forcë që keni demonstruar, është pjesë e pandashme e shpirtit tuaj, atë s’ua merr dot askush përveç Zotit. Ndaj, le të vazhdojmë bashkë me bashkëluftëtarët tanë, me një ekip të jashtëzakonshëm njerëzish, shpeshherë i padukshëm në sytë e kamerave.
Një ekip të jashtëzakonshëm kurajosh, zemrash, shpirtrash, sakrificash me të cilët së bashku zhvilluat këtë betejë dhe arritët të mposhtnit frikën dhe të bashkonit qytetarët e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit dhe le të bëhemi gati që njeriut që ndërtoi skemën kriminale dhe orkestroi masakrën elektorale të 25 prillit dhe aleatëve të tij kriminel, t’i tregojmë vendin një orë e më parë. Zoti ju ruajt dhe ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, përfundoi Basha.