Basha në “Review”: Prioriteti i parë dhe kryesor i Koalicionit Euroatlantik mbështetja e SPAK dhe lufta kundër korrupsionit

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin “Review” në Euronews Albania tha se prioriteti i parë dhe kryesor i forcës politike që drejton është lufta kundër korrupsionit. Ai tha se ndryshe nga partitë e tjera që e kanë retorikë, Euroatlantikët e kanë me vepra. Sipas tij, ato janë amendamentet e propozuara në Parlament dhe që janë bllokuar prej dy vitesh si mbështetjen financiare dhe burime njerëzore për SPAK, projektligji për vettingun e politikanëve dhe amendamenti për heqjen e imunitetit të parlamentarëve.

“Mbështetja ndaj SPAK duhet të vazhdojë dhe duhet forcohet. Dhe kjo nuk mund të mjaftohet thjesht dhe vetëm me mbështetjen e partnerëve tanë Euroatlantik, por duhet të jetë dhe mbështetje nga vet qeveria dhe legjislativi shqiptar. Ky është qëndrimi ynë kryesor, mbështetje totale ndaj SPAK. Ka dhe parti të tjera që e kanë këtë retorikë, por Euroatlantikët e kanë me vepra. Prej më shumë se dy vitesh në parlamentin e Shqipërisë ndodhen iniciativat tona për mbështetjen financiare dhe burime njerëzore për SPAK, që jo të frenohet por të vazhdojë luftën kundër korrupsionit, të vazhdojë t’i ojë shokët e korruptuar të kryeministrit dhe shoqet para drejtësisë. Dhe projektligji tjetër i depozituar prej pothaujse dy vitesh po kështu në parlament është projektligji për vettingun e politikanëve, që parashikon kontrollin e imtësishëm të përvitshëm të pasurisë të 140 deputetëve, 61 kryetarëve të bashkive, qeverisë, presidentit, drejtorëve kryesor të shtetit, me të njëjtin parim që është bërë vetingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Dhe padiskutuim edhe amendamenti që po kështu ka mbetur i bllokuar prej dy vitesh, për heqjen për imunitetin e parlamentarëve. Ne flasim me vepra kur vjen puna te lufta kundër korrupsionit” – tha ai.

Basha u pyet për pikën e tij më të dobët si politikan, ku u përgjigj duke thënë se është kur njerëzit i thonë “je më europian seç duhet”. Por sipas tij, këtë e shikon si vlerësim pasi me këtë qytetarët kanë parasysh një kulturë të ndryshme politike nga ajo që ka dominuar vendin dhe sot njihet gjerësisht si Trekëndëshi i Bermudës, nga vendosja me do kusht e interesit, e karrierës, e interesit personal të liderve me kosto të madhe mbi shoqëri dhe nga trajtimi i politikës si një sport mundje.

“Pika e dobët?! Njerëzit më vënë në pah që je më europian se duhet. Unë nuk e shoh si një pikë të dobët, e shoh si një vlerësim. Kanë parasysh një kulturë të ndryshme politike nga ajo që ka dominuar vendin dhe sot njihet gjerësisht si Trekëndëshi i Bermudës, nga vendosja me do kusht e interesit, e karrierës, e interesit personal të liderve me kosto të madhe mbi shoqëri dhe nga trajtimi i politikës si një sport mundje që bëhet për të fituar njëri e për të humbur tjetri dhe jo si një shërbim ndaj qytetarëve. Ndërkoh që qytetarët i shohin fëmijët e tyre në vendet e Europës ku ka me të vërteë një kulturë europiane si ajo që unë e kam për nder dhe e shoh si vlerësim ta mishëroj në politikën shqiptare, ajo e ballafaqimit të ideve, e debatit thelbësor, e ikjes nga përpjekjet për t’u justifikuar nga përgjegjësitë e papërmbushura dhe e mbajtjes së përgjegjësive të të plota politike dhe përgjegjësive penale që vjen vetëm përmes një drejtësie të pavarur dhe një lufte të vërtetë ndaj korrupsionit” – tha Basha.

Exit mobile version