Berisha dhe Rama si në vargjet e Dritëroit!

Nga Ermal Peçi

Shumë prej jush, të cilët lexojnë këtë titull do të thonë se çfarë i lidh dy njerëzit më të pushtetshëm në këto 34 vite demokraci hibride me poetin e popullit, të ndjerin Dritëro Agolli. Në fakt nuk i lidh asgjë përveç se shumë prej klasës e figurave politike i gjejmë të mishëruar si tek romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” por edhe tek vargjet e shumta, të cilat i ka nxjerrë mendja dhe pena e ndritur e Dritëroit.

Nuk e di se në çfarë viti i ka shkruar këto vargje, të cilat duket sikur janë shkruar sot, të cilat përkufizojnë më së miri simbozën e Ramës me Berishën dhe klasën politike.

Dritëroi shkruante në ato vargje:
“Ditën betohej për të vërtetën! Natën zgjohej dhe puthej plot me mall me gënjeshtrën!”
Vargje, të cilat mishërojnë më së miri pazaret mes Ramës dhe Berishës në kurriz të shqiptarëve dhe në interes të mbajtjes së pushtetit politik-ekonomik. Portretizimi i hipokrizisë që karakterizon politikën shqiptare, të cilët natën bëjnë pazare dhe ditën shpallen armiq të përbetuar në sytë e shqiptarëve.

“Pushteti i Thashethemeve” e ka amplifikuar akoma edhe më shumë këtë realitet ku gjuha e urrjetjes, linçimi, skenaret në parlament tentojnë t’i portrezojnë Ramën dhe Berishën si dy kundërshtarë të egër të njëri-tjetrit, për të sjellë polarizimin e tejskajshëm të shoqërisë kur në fakt ata janë vetëm dy bashkëpunëtorë dhe dy bashkëudhëtarë.

Të gjendur përballë thirrjes së fuqishmë të shqiptarëve, të cilët jo vetëm kërkojnë drejtësi por e duan sa më funksionale, të gjendur përballë një institucioni si SPAK, të cilët ata nuk e kontrollojnë dot por frika e prangave i ka futur në paranonjë se çfarë do të ndodhë me ata, ka rrëzuar maskat.

Në asnjë vend të botës perëndimore opozita nuk do të bashkonte votat me mazhorancën si në rastin e amnistisë penale, ku kërkon të lirohen drejtorët e korruptuar të PS por jo individët, të cilët protestuan kundër Ramës.
Në asnjë vend të botës perëndinore opozita nuk do të pranonte të votonte Reformën Zgjedhore ku mazhoranca është më shumë e favorizuar, duke dalë kundër vullnetit të popullit.
Në asnjë vend të botës opozita nuk do të dilte kundër drejtësisë kur ajo po godet mazhorancën dhe të ketë frikë precedentin që po hapet dhe kërkon të mbajë gjallë frymën e pandëshkueshmërisë.

Prandaj sa herë t’i shikoni teksa aktrojnë në “Pushtetin e Thashetheme”, akuzohen, shahen, e rishpikën armiq, pyesni veten se çfarë pazari po bëjnë në kurriz të shqiptarëve. Pazare, të cilat bëhen natën larg syve të shqiptarëve por që rëndojnë e vështirësojnë jetën e tyre. Se vargjet e Dritëroit kanë përshkruar atë që sytë dhe mendjes tonë i duheshin vite për ta kuptuar.
“Ditën betohej, për të vërtetën! Natën zgjohej e puthej plot me mall me gënjeshtrën!

Exit mobile version